Kërko

2018-01-04 Battesimo.jpg

Nuk është i vlefshëm Sakramenti i Pagëzimit dhënë me formulë të ndryshuar arbitrarisht

Deklarata është e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në një “responsum” për dy pyetje mbi Pagëzimin e mbarështuar me formulën “Ne të pagëzojmë në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.

R.SH. - Vatikan

Sakramenti i Pagëzimit i mbarështuar me një formulë të ndryshuar arbitrarisht nuk është i vlefshëm, prandaj, ata, që e kanë marrë në këtë mënyrë, duhet të pagëzohen sërish “me formën absolute”, pra, duke e përsëritur ritin, sipas normave liturgjike të përcaktuara nga Kisha. Kështu pohon Kongregata për Doktrinën e Fesë, duke iu përgjigjur dy pyetjeve mbi vlefshmërinë e Pagëzimit, dhënë me formulimin “Në emër të babait dhe nënës, të nunës e të nunit, të gjyshërve, të familjarëve, të miqve, në emër të bashkësisë, ne të pagëzojmë në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Papa Françesku e miratoi këtë “responsum” (siç quhet dokumenti) në qershor, por ai u botua sot.

          Në një notë doktrinore shpjeguese, Dikasteri vëren se “ndryshimi i formulës sakramentore” u paraqit për miratim, me synimin “e nënvizimit të vlerës komunitare të Pagëzimit, për të shprehur pjesëmarrjen e familjes dhe të të pranishmëve dhe për të shmangur idenë e përqendrimit të pushtetit sakral vetëm tek meshtari, në dëm të prindërve dhe të bashkësisë”. Kujtojmë se formula e Ritualit Romak e shpreh më se qartësisht nga i vjen pushteti atij, që pagëzon. Në të vërtetë, kujton nota, duke përmendur Kushtetutën konciliare “Sacrosantum Concilium”, “kur dikush pagëzon është vetë Krishti që pagëzon”, ai është “protagonisti i ngjarjes që kremtohet”. Natyrisht, në këtë kremtim, “prindërit, nunët dhe e gjithë bashkësia janë të thirrur të luajnë një rol aktiv, një funksion të vërtetë liturgjik”, por kjo, sipas Kushtetutës konciliare, nënkupton që “secili, ministër a besimtar, duke kryer funksionin e tij, kryen vetëm atë që, sipas natyrës së ritit dhe të normave liturgjike, është në kompetencën e vet”(Sacrosanctum Concilium, n. 28).

          “Këtu duket sërish, duke përdorur arsye të dyshimta baritore, - vijon nota - një tundim i lashtë për ta zëvendësuar formulën e dhënë nga Tradita me tekste të tjera, që konsiderohen më të përshtatshme”, por “motivet baritore maskojnë, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, një devijim subjektivist dhe një vullnet manipulues”. Kocili II i Vatikanit, në vazhdën e Koncilit të Trentit, deklaron se nuk është e lejueshme që ndokush të ndryshojë diçka në çështje liturgjike, me iniciativën e vet, edhe kur është meshtar. Në fakt, këto lloj ndryshimesh cënojnë njohjen e veprimit të Krishtit, që, në rastet më të rënda, e zhvlerëson vetë Sakramentin. Meshtari e çdo mbarështues i Pagëzimit nuk vepron pra, në emër të vet, por në emër të Krishtit, prandaj, “ndryshimi i formulës sakramentore – përfundon nota – do të thotë se nuk është kuptuar vetë natyra e shërbimit kishtar, që është gjithnjë shërbim për Zotin e popullin e Tij e jo ushtrim i ndonjë pushteti, që arrin të manipulojë çka i është besuar Kishës me një akt, i cili i përket Traditës”. Siç thotë shën Augustini: “Le të pagëzojë Pjetri, është Krishti që pagëzon; le të pagëzojë Pali, është Krishti që pagëzon; le të pagëzojë Juda, është Krishti që pagëzon”.

06 gusht 2020, 12:01