1994 Sinodo, Madre Teresa di Calcutta 1994 Sinodo, Madre Teresa di Calcutta 

Nënë Tereza: Puthja e Krishtit nё tё varfrit

Ajo që i shërbeu me besnikëri Zotit në njerëzit më të varfër ndër varfër, në njerëzit më nevojtarë e të jenё dëshmitarë e përçues tё qytetërimit tё dashurisë, thoshte: “Po t’ia ngulësh sytë Kryqit, do të vëresh se Zoti e ka kokën të përkulur drejt teje: dëshiron me të puthë… E krahët i ka të hapur. Dëshiron me të rrokë! Në kraharorin e shporuar i duket zemra, nga e cila del një pëshpëritje e lehtë. Zemra e Zotit të thotë: “Po të pres!”.

R.SH. - Vatikan

"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Me këto fjalë të thjeshta e pati përmbledhur gjithë jetëshkrimin e saj, Shën Nënë Tereza, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, së cilës iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër.  

Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, Ganxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910, u kthye në shtëpinë e Atit më 5 shtator 1997, u shpall e Lume  në Vatikan më 19 nëntor 2003, nga Gjon Pali II e Shenjtore, nga Papa Françesku më 4 shtator 2016, gjithnjë në Vatikan.

Jetoi e vdiq me sytë ngulur te Krishti Kryqëzuar, të cilit ia kushtoi gjithë jetën dhe misionin, në shërbim të më të varfërve të botës. Ajo që i shërbeu me besnikëri Zotit në njerëzit më të varfër ndër varfër, në njerëzit më nevojtarë e që, sipas saj, janё dëshmitarë e përçues tё qytetërimit tё dashurisë, thoshte:

“Po t’ia ngulësh sytë Krishtit mbi Kryq, do të vëresh se Zoti e ka kokën të përkulur drejt teje: dëshiron me të puthë… E krahët i ka të hapur. Dëshiron me të rrokë! Në kraharorin e shporuar i duket zemra, nga e cila del një pëshpëritje e lehtë. Zemra e Zotit të thotë: “Po të pres!”.

Atëherë kur ta ndjesh veten shpirtërisht të mjerë, shikoje Kryqin, e do ta kuptosh Fjalën e pafolur! Vuajtja, dhimbja, pakënaqësia, nëpërkëmbja, poshtërimi, vetmia, s’janë tjetër, veçse puthja e Jezusit! Shenjë se i je afruar aq pranë Zotit, sa ai, më në fund, mundet me të puthë! E puthja e Zotit është e vetmja shtyllë guri, ku mund të mbështetesh, pa frikë nga rrëzimi! Kur të puth Zoti, trishtimi ik si shpend i egër,
andej kah vjen terri...”.

Ky, pra, është edhe thelbi i spiritualitetit të Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfrit e të braktisurit, e cila gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na la trashëgim Shёn Nënë Tereza.

19 gusht 2020, 14:18