Shenjtja Nene Tereze Shenjtja Nene Tereze  

Nënë Tereza me sarin e bardhë me vijën blu anash, në botën e të varfërve

Më 17 gusht tё vitit 1948, 71-vjet më parë, Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardhë me vijën e blu anash, për të hyrë në botën e të varfërve, të cilëve iu kushtua deri më 5 shtator 1997, kur në Kalkutë ndërroi jetë. Më 19 tetor 2003, u shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II. Më 4 qershor 2016 u shpall Shenjte nga Papa Françesku.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 17 gusht tё vitit 1948, 71-vjet më parë, Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardhë me vijën e blu anash, për të hyrë në botën e të varfërve, të cilëve iu kushtua deri më 5 shtator 1997, kur në Kalkutë ndërroi jetë.

Viti 1948 pёr Motrën Tereze Boajxhiun ёshtё i rёndёsishёm, pse atё vit, pas gati 20 vjetësh të kaluara në kongregatën e Motrave të Loretos, ajo e la kuvendin e Entalisë me pesë rupi në xhep dhe me veshjen e sarit me shirita blu të grave indiane më të varfëra, e nisi misionin e shërbimin e saj plot dashuri ndaj më tv varfërve ndër të varfër. Ishte, pra, 17 gushti i vitit 1948. Ganxha e vogël nga Shkupi bëhej Nënë Tereza dhe fillonte, nga ai moment, rruga e saj prej gjiganteje.

Kujtojmë se Sari bardh e blu, petku i Motrave të Nënë Terezës, është tashmë shenjë dalluese, nën mbrojtje juridike qё nga viti 2017, e kjo për të shmangur çdo lloj shpërdorimi. Çdo veshje rregulltare, çdo  zhgun e çdo veladon ka domethënien e vet. Në rastin e motrave të Nënë Terezës, e bardha është simbol i pastrisë, e vijat blu, të kujtojnë ngjyrën e veshjes së Zojës së Bekuar si dhe tre kushtet: varfëri, pastri, bindje.

Më 7 tetor 1950 Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë, themeluar nga Banxhe Bojaxhiu. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t'i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. E Drejta Papnore, lëshuar Kongregatës së Misionareve të Bamirësisë nga Papa Pali VI, në shkurt të 1965-ës, i dha zemër të hapte një shtëpi misionare në Venezuelë. Menjëherë pas saj u themeluan shtëpi të tjera  në Romë dhe në Tanzani e, pak më vonë, në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza  hapi shtëpi misioni të Misionareve të Bamirësisë pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën.

E gjithё veprimtaria e Nënё Terezёs dhe e Misionareve tё Dashurisë kishte një qëllim tё vetëm, nё emër tё Dashurisë sё Zotit t'i përgjigjej sa më mirë si nevojave fizike, ashtu edhe atyre shpirtërore të të varfërve e tё mënjanuarve tё shoqërisë, kudo, pas asnjë dallim.

Në 1979 iu dha Çmimi Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, tё Dielën e 29-tё gjatë vitit kishtar, Ditën Botërore Misionare, me ritin e beatifikimit, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan, u shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II.  Më 4 qershor 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan u kremtua riti i kanonizimit, gjatë Vitit jubilar tё Mëshirës Hyjnore, dhe u shpall Shenjte nga Papa Françesku.

Ç’gjë të jashtëzakonshme bëri Nëna e madhe e të varfërve e vijon ta bëjë Kongregata e themeluar prej saj?

Dëshmia e Nënë Terezës dhe e familjes së saj rregulltare, nuk shkëputet nga realiteti, nuk është shumë e lartë, shumë e ashpër, shumë kërkuese, shumë impenjative, për të prekur seriozisht të përditshmen e atyre, që dëshmojnë se janë të krishterë.  Vepra e saj është tronditëse, sepse përfaqëson të vërtetën e Zotit, vënë në jetë me gjithë dashurinë, që mund të ketë zemra njerëzore. E është pikërisht kjo dashuri, që të ndihmon të kapërcesh çdo lloj pengese. Kjo dashuri, që jetohet deri në fund të fundit, duke e lëshuar veten plotësisht në dorë të Zotit.

Nënë Tereza: “Duaje jetën, ashtu si të vijë”

Sot, në përkujtimin e 17 gushtit tё vitit 1948, kur Nënё Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardhë me vijën e blu anash, për të hyrë pёr tёrё jetën në botën e të varfërve, një ftesë e saj, që tingëllon gati si urdhër për çdo njeri: “Duaje jetën!”.…

Duaje jetën ashtu si të vijë!

Duaje fort jetën tënde, ashtu si të vijë papritë

Duaje plotësisht, mos rri - i ngrysur ditë për ditë.

Duaje kur ka shumë dritë, dhe kur i humb kuptimi,

E duaje fort edhe, kur të ndjek përpas mohimi.

Duaje, kur të lënë vetëm, e ndoshta të poshtërojnë,

E duaje kur si mbret, të gjithë ty të lartojnë.

Duaje dhe kur të vjedhin e t’i lënë duart e thata,

E duaje kur të duan e të mbushin me dhurata.

Duaje kur të flakojnë në shtigje t’errëta të natës,

Por dhe kur zemra, pezull, i qëndron fort shtrëngatës.

Kur s’shikon sy njeriu për javë edhe për muaj,

E sidomos kur ëmbël të lëmon një dorë e huaj!

Duaje kur nuk ka më, aspak  kuptim kjo botë,

Por dhe kur është e hijshme, e mirë e kuptimplotë.

Duaje kur je i lum, duaje kur je i mjerë,

Duaje kur je i fortë e edhe i ligshtë përherë.

Duaje kur ke shumë frikë, edhe kur ke guxim

Duaje si kur të dridh, si kur të mbush me gëzim

Duaje për kënaqësi të  vogla e edhe për të mëdha,

Duaje, kur të bën të qeshësh e kur të bën hata.

Duaje, pse dashuria të jep kuptim e shpresë,

E në fund  vetëm ajo mes nesh gjithnjë do të mbesë,

Kur të nisemi nga viset e mrazta të murrizit,

ka për ta hapur gonxhen në kopshtet e Parrizit! 

(Përkthim i lirë marr nga libri “Njoha një shenjtore”, shkruar nga kardinali Angelo Komastri).

17 gusht 2020, 09:13