Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kardinali Parolin: “Prioritet nuk ka ekonomia, por njeriu!”

Intervistë e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin: “Në krye të vendit nuk duhet vënë ekonomia, po njeriu!”

R. SH. - Vatikan

“Pandemia po na mëson dramatikisht se asnjëri nuk mund të bëjë gjë i vetëm: për ta përballuar virusin, duhet një përgjigje kolektive dhe e koordinuar. E njëjta gjë vlen kur është fjala për t’i shëruar sëmundjet e indiferencës, të vetmisë, të armiqësisë”. Këtë pohon kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në një intervistë dhënë Carlo Di Cicco-s, botuar të enjten e kaluar në kanalin www.ripartelitalia.it.

“Prioritet nuk është ekonomia, si e tillë, por njeriu”- shpjegon menjëherë kardinali. “Covid-19 - vijon - nuk shkaktoi vetëm krizën shëndetësore, por  preku dhimbshëm shumë aspekte të jetës njerëzore: familjen, politikën, punën, sipërmarrjet, tregtinë, turizmin etj etj. Karakteri i zgjeruar dhe i ndërlidhur i pandemisë, na kujton vazhdimisht vërejtjen e Papës Françesku  se “gjithçka është e ndërlidhur”

Sipas Sekretarit të Shtetit  të Vatikanit, “ nëse të gjitha qeveritë u detyruan  të marrin masa drastike, deri në atë pikë sa t’i ndalonin  shumë veprimtari ekonomike, për të luftuar pandeminë, kjo do të thotë  se  vendin e parë nuk e zë ekonomia, por njeriu. “E kjo kërkon që së pari të kujdesemi për mbrojtjen e shëndetit”. Gjithsesi - vijon - “doktrina shoqërore e Kishës,  me rrënjë në antropologjinë e krishterë, na kujton se nuk mund të kufizohemi vetëm me kujdesin ndaj shëndetit të trupit. Objektivi kryesor  i angazhimit politik dhe ekonomik, në një etikë të përbashkët përgjegjësie,  në shtëpinë e përbashkët, duhet të jetë njeriu, i parë në përgjithësi”.

“Për pasojë - kujton Hirësia e Tij, kardinali Parolin - Kisha fton për ta rigjetur thirrjen e ekonomisë  në shërbim të njeriut, për t’i garantuar çdo njeriu kushtet e nevojshme për zhvillimin e gjithanshëm si dhe për një jetë dinjitoze". “Sot, më shumë se kurrë - na kujtoi Papa Françesku  në Pashkët e 11 prillit të kaluar - në qendër të vëmendjes, duhet të jenë njerëzit, bashkësitë e popujt, të bashkuar, për të shëruar, për të mjekuar, për të ndarë së bashku vuajtjen e sëmundjes e gëzimin e shërimit”.

Po kardinali Parolin vë në dukje edhe rreziqet, që dolën sheshit në luftën kundër pandemisë, si mbizotërimi i përçapjeve antropologjike të kufizuara që, duke u pëqendruar mbi shëndetin e trupit,  krijojnë rrezikun  të lënë pas dore përmasat shpirtërore. Në situatën dramatike të emergjencës, që po e jetojmë - vijoi - nuk duhen mohuar disa nga nevojat themelore, si për shembull afërsia e familjarëve te koka e të sëmurëve dhe shoqërimi  shpirtëror i njerëzve në prag të vdekjes. Kjo kërkon reflektim të thelluar rreth problemeve të shumta, që  na vuri para pandemia!

Pandemia “zbuloi para nesh si ndërvartësinë, ashtu edhe ligështinë tonë, brishtësinë e përbashkët” - ky, mendimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit. “Asnjë bashkësi politike sot nuk është në gjendje t’i mbrojë interesat e veta e të zhvillohet, duke u mbyllur në vetvete”- kujtoi - për të cituar më pas Papën Françesku që, në enciklikën “Lëvduar qofsh”, nënvizon:

“Ndërvartësia na detyron të mendojmë në një mënyrë të vetme, për një projekt të përbashkët”.

Ndërsa Gjon Pali II, në Sollicitudo Rei Socialis nënvizonte: “Sot jemi përballë ndërvartësisë teknologjike, shoqërore e politike, që kërkon urgjent etikën e solidaritetit”.

Me një fjalë - pohoi kardinali Parolin - " sot nuk duhet të ngremë mure, si garanci sigurie, duke krijuar një situatë të pëhershme konflikti. Sot duhet të globalizojmë shpresën, duke e përjashtuar globalizimin e hedhurinës e të indiferencës”.

29 gusht 2020, 14:41