Kërko

 Asuncionistët Asuncionistët 

Kardinali Parolin, Asuncionistëve: të guximshëm, të lirë e në shërbim të të afërmit, për të ungjillëzuar!

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Parolin, dje në Lurdë, i drejtoi Kongregatës së lindur nga meshtari francez D’Alzon, një fjalim, që përshkoi 175 vjet histori, parë në lidhje me sfidat dhe problemet e krishterimit të sotëm.

R. SH. - Vatikan

Përfundoi dita e parë e vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në Lurdë, me rastin e solemnitetit të Të Ngjiturit të Zojës në Qiell dhe kremtimeve të shtegtimit kombëtar 2020 të Kongregatës së Agostinianëve, Asuncionistëve, siç njihen në popull, në 175-vjetorin e themelimit. Atyre Hirësia e Tij u drejtoi një fjalim, gjatë një takimi buzë mbrëmjes, duke theksuar kryesisht historinë e institucionit fetar si dhe të mirat që bëri për rritjen shpirtërore të njeriut e për t’iu përgjigjur detyrave, që kërkon karizma në kohët e reja, aspak të lehta.

Të ngulësh “çadrën” në botën e sotme

Në fytyrën tuaj - u tha kardinali - pasqyrohet ajo e themeluesit, Emmanuel D’Alzon dhe e gjithë protagonistëve “që i shërbyen Krishtit, Ungjillit, Kishës e njerëzimit” gjatë këtyre viteve. Fytyrë, që nuk e ka humbur kurrë “hapësirën” e vet, e as shprehjen. Kardinali vuri në dukje, në vijim, lidhjen e  ngushtë ndërmjet së kaluarës e së sotmes. Fillin e kuq, që lidh ngjarjet e panumërta të historisë, duke nisur që nga shekulli IV e në vijim, deri në kohët tona.

Parolin në Lurdë: njerëzimi duhet të rritet, si Maria

Sot, ashtu si në kohët e Emmanuele D’Alzon e duke ndjekur rrugën që zgjodhi, gjithnjë duke shqyrtuar, në një krishterim, që ndryshon e që e    pranon “transformimin antropologjik me rezultate të paqarta” duhet - theksoi -  të mos ndalemi tek e kaluara, por të vihemi për udhë “që fundi të bëhet fillim i ri”, “etapë e re” në vijim të udhës, përmes së cilës, me gëzimin e Ungjillit, ndërtohet një çadër e re në të përpjetat e të tatëpjetat të njerëzimit”.

Historia e zemrave

“Historia e Kishës e historia e familjes suaj rregulltare, është histori zemrash - u tha Sekretari i Shtetit rregulltarëve. Domethënë, qeniesh njerëzore, konkrete, që bëhen të afta të krijojnë sinodalitetin, të angazhohen së bashku me të tjerët e për të tjerët, sipas modelit të dashurisë së Krishtit për ne. Kjo forcë ungjillore krijon mundësinë - vërejti akoma -  të jetohet pa ankth “e përkohshmja”, që krijojnë ndryshimet e epokës, duke qëndruar të patundur!

Mënyrat e reja për të ungjillëzuar

Kardinali vërejti se në kushtet e sotme të ungjillëzimit, duhet ndryshuar mënyra e të menduarit e edhe e sjelljes, duke pasur parasysh se nuk jemi më të vetmit, që prodhojmë kulturë, as të parët, “më të dëgjuarit”. Kardinali foli për “një mendësi të re baritore”, gjë që nuk do të thotë “të kalosh në një  baritori relativistike”, foli edhe për shërbimin ndaj të afërmit dhe interesimin vetëm për Krishtin. E këtu, duke cituar fjalët e Papës në takimin e majit 2019 me pjesëmarrësit në Kuvendin e Dioqezës së Romës, uroi:

“Zoti na i mbushtë zemrat me guximin dhe lirinë e atyre, që nuk kushtëzohen nga interesat e duan të vihen, me empati e simpati, në mes të jetës së të tjerëve”.

Në botën e sotme thirrjet janë në rënie, ungjillëzimi niset nga qytetet tona, nga viset e afërta, jo të largëta e prania e Zotit shpesh kufizohet. E gjithë kjo - përfundoi Hirësia e Tij, Kardinali Parolin - kërkon të bëhemi të përvuajtur, “të fundmit”, në fushat e ndërlikuara të dialogut ekumenik e ndërfetar, e na bën solidarë me të varfërit e të përjashtuarit e kësaj  bote e të kësaj “shtëpie të përbashkët”, të plagosur nga pangopësia e sistemeve ekonomike edhe e organizatave kriminale”.

 

 

16 gusht 2020, 11:40