1596441661470-Perdonanza-Bibionese-2.jpeg

Becciu në Bibione: “Kapërcimi i Portës Shenjte është takim me Krishtin”

Prani e dyfishtë e prefektit të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalit Angelo Becciu, në dioqezën Concordia - Pordenone. Sot 3 gusht, në katedralen e Concordia-s, për Pajtorin e dioqezës, Shën Shtjefnin dhe dje, në Bibione për hapjen e Portës Shenjte.

R.SH. - Vatikan

“Ndjesa” dhe “hapja e Portës Shenjte”, me shpresën e dikimit të Hirit të Tënzot, “që pas periudhës dramatike të emergjencës shëndetësore, bëhet edhe më i domosdoshëm për jetën shpirtërore të njeriut dhe për atë ekuilibër, që na mundëson të vazhdojmë me shpresë e guxim rrugëtimin e jetës”. Kështu tha dje, në homelinë e meshës së kremtuar në kishën e Zojës së Madhe, në Bibione - dioqeza italiane Concordia-Pordenone - kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, i cili hapi Portën Shenjte të Ndjesës Bibioneze.

Ndjesa e plotë dhe lutja

          “Ndjesa apo Falja e Bibionës” është përvojë shpirtërore, me të cilën kërkohet ndjesa e plotë për vete dhe për të afërmit. Kujtojmë, se Ndjesa e plotë (që merret edhe më 1 e 2 gusht me Ndjesën apo Faljen e Asizit) parashikon anulimin e dënimeve të përkohshme për mëkatet e rrëfyera dhe të falura përmes Sakramentit të Pajtimit. Me rrëfim dhe pendim njeriu merr “faljen sakramentale”; indulgjenca anulon “dënimin e përkohshëm” për ato mëkate, domethënë pasojat shpirtërore të tyre, që lënë gjurmë mbi njeriun. Kushtet për marrjen e ndjesës së plotë janë rrëfimi sakramentor, kungimi dhe lutja sipas ndjeteve të Papës. Kërkohet edhe një vepër shpirtërore, siç është një lutje e caktuar, vizita në një kishë e veçantë, ose në varreza.

Shën Shtjefni dhe martirët e fesë

Sot paradite, në festën që përkujton gjetjen e relikeve të Shën Shtjefnit protomartir, pajtor kryesor i dioqezës, kardinali Angelo Becciu kryesoi meshën papnore në nder të tij, në orën 9.30. Shën Shtjefnit i kushtohet edhe katedralja e Concordia-s.

Në homelinë e tij, kardinali i ftoi besimtarët të imitojnë Shën Shtjefnin në besimin, këmbënguljen, bindjen e tij ndaj Zotit. Më pas, përmendi një nga famullitarët më të rëndësishëm të katedrales, kardinalin Celso Costantini, për të cilin vijon çështja e lumnimit. Prefekti theksoi jo vetëm besnikërinë e tij ndaj Krishtit në vazhdën e martirëve të shumtë të fesë, por edhe aftësinë për të dialoguar me tjetrin e me kulturat e ndryshme. “Si përfaqësuesi i parë i Papës në tokën kineze - tha Becciu - ai punoi që e njëjta fe të shprehej me gjuhën e kulturave të  ndryshme, duke vënë bazat për urën e bashkimit të Lindjes me Perëndimin, në kuadrin e së njëjtës familje të Kombeve”.

03 gusht 2020, 17:46