Papa Françesku me Ahmad al-Tayyib dhe Atë Yoannis Lahzi Gaid, në Abu Dhabi Papa Françesku me Ahmad al-Tayyib dhe Atë Yoannis Lahzi Gaid, në Abu Dhabi 

Ayuso: vëllazërimi është identitet, që i respekton larmitë

Kremtohet sot Dita e dytë Ndërkombëtare për kujtimin e viktimave të dhunës së bazuar mbi fenë a besojmën, themeluar më 2019 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Intervista me kardinalin Ayuso, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

R. SH. - Vatikan

Fetë nuk nxisin kurrë për luftë e dhunë, nuk ushqejnë kurrë urrejtje, në emër të Zotit! Sepse Zoti nuk e do urrejtjen, ndaj kjo fjalë nuk duhet shqiptuar kurrë në emër të Atij të Lumit! E kjo është edhe zemra e Dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënshkruar më 4 shkurt 2019, në Abu Dabi, nga Papa dhe Imami i Al-Azhar, Al-Tayyib. Gjatë papnisë së tij, Françesku më se një herë ka kërkuar të marrë fund manipulimi i feve. E pikërisht këtë synon edhe Dita e sotme, themeluar më 28 maj të vitit 2019 nga Kombet e Bashkuara, që ripohon me forcë detyrën e mbështetjes së viktimave të akteve të dhunës, bazuar mbi fenë a besojmën. E rëndësishme e themelore, udha që duhet të bëjë shoqëria në këtë drejtim - shpjegon kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar:

“Së pari, dëshiroj të shpreh solidaritetin e të siguroj se lutem për të gjitha viktimat e pandemisë dhe familjarët e tyre, të shumtë për fat të keq, duke shprehur keqardhjen e thellë për vuajtjen, që i sollën botës këto ditë të tmerrshme terrori të verbër. E uroj që kjo ditë, e themeluar nga OKB-ja, të jetë me të vërtetë diçka me rëndësi jetike për situatën dramatike, që rëndon mbi supet e lodhura të botës, në Shekullin XXI”.

Hirësi, manipulimi i fesë është mënyra më e përdorur për të nxitur dhunën. Papa Françesku nuk ka pushuar kurrë së kujtuari se kjo është pikë jashtëzakonisht e rëndësishme, e pohuar me forcë edhe në dokumentin kushtuar Vëllazërimit njerëzor…  

“E njohim mirë të keqen, që shkakton manipulimi i fesë për të nxitur dhunën; është diçka, që vijon të dënohet me forcë! Por fatkeqësisht, pavarësisht nga thirrjet dhe dënimet kundër këtij manipulimi, ka rëndësi këmbëngulja që ligji ndërkombëtar të vihet në jetë kundër atyre, që i kryejnë këto akte të mbrapshta, barbare. Ndërsa nga liderët fetarë kërkohet të punojnë për t’i edukuar bashkësitë me vlerat e traditave të tyre të ndryshme e fetare. Jam i kënaqur që në mesazhin e urimeve për përfundimin e Ramazanit të sivjetëm, si Këshill Papnor për Dialogun Ndërfetar vumë në dukje, së bashku me vëllezërit myslimanë, rëndësinë që ka respektimi i vendeve të kultit. Kujtuam edhe çfarë thotë Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor, lidhur me këtë problem kaq të mprehtë. Duke pohuar se mbrojtja e  vendeve të kultit është detyrë e garanatuar nga fetë, nga vlerat njerëzore, nga ligjet e konventat ndërkombëtare”.

Ju mendoni se shoqëria po bën mjaft për t’i mbrojtur qytetarët e vet nga sulmet për shkak të fesë a të besojmës? Besoni se prijësit po i përdorin të gjitha mjetet që kanë në dorë për ta ndaluar persekutimin?

“Besoj se po, se shoqëria po bën gjithçka mundet për t’i mbrojtur qytetarët e vet. Por mund të them se mbetet ende shumë për të bërë. E edhe shumë udhë për t’u përshkuar! Udha e edukimit me vlerat e fesë. E kjo është përgjegjësi e liderëve fetarë: si të edukohen njerëzit me vlerat e vërteta, që breznia e re e besimtarëve të jetë me të vërtetë e rrënjosur në vlerat e traditës së vet fetare. E mendoj edhe se u duhet kujtuar vazhdimisht autoriteteve civile e fetare, që çdo anëtar i shoqërive tona duhet mbrojtur e duhet vlerësuar, që të mund të ndërtohet kështu, një shoqëri, e cila punon krah për krah për të mirën e përbashkët e bën çmos për ta zhdukur fantazmën  e përjashtimit”

Çfarë ju shqetëson më shumë?

“Do të thosha se, ndërmjet gjërave të tjera, më shqetëson problemi i edukimit, vëmendja që i duhet kushtuar në të gjitha nivelet, posaçërisht në këtë  periudhë të errët, në të cilën jeton mbarë njerëzimi, për shkak të pandemisë Covid-19. Njeriu duhet edukuar me vlera të vërteta, për ta zhdukur dhunën, që breznia e re të rritet me frymën e vëllazërimit njerëzor, gjë që do të thotë të mbetesh me rrënjë në identitetin tënd, por njëkohësisht, duke u përpjekur ta njohësh tjetrin, ta respektosh, sepse vetëm kështu mund të bashkëpunohet, për të ndërtuar një botë të re, më paqësore, më solidare, më vëllazërore!”.

22 gusht 2020, 12:14