Kërko

Vatican News
2019.08.21 Beata Vergine Maria Regina 2019.08.21 Beata Vergine Maria Regina  (Copyright (C) Bridgeman Art Library)

Me 22 gusht kalendari kishtar kremton festën e Shën Marisë Mbretëreshë

Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. "T'’ falem, Mbretëreshë, e bukura! Mbi krye tand ndritë kunora,/ Që e popujve edhe e kombeve/ Desht me vendue dora,/ Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,/Toka ty t’ thotë se t’ don!”.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike. më 22 gusht, kremton festën e Zojës Mbretëreshë e Qiellit dhe e Tokës. Maria, pjesëmarrëse në mbretërinë e lavdishme të Krishtit, propozohet nga Kisha si shembull e shenjë shprese për të krishterët, të cilët të pajisur me dinjitetin mbretërore të Zotërisë Jezus në Sakramentin e Pagëzimit, janë të thirrur të mbretërojnë përjetësisht në amshim me Të.

Pra, Festa e sotme e së Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë, që përkon me atë të Krishtit Mbret, u themelua nga Piu XII në vitin 1955, por, festa i ka rrënjët në shekujt e parë të historisë së krishterë. I pari që e quajti shën Marinë, Mbretëreshë, qe shën Efraimi në shekullin IV. E ndoqën etër të tjerë të Kishës, duke i njohur Zojës dinjitetin mbretëror, si Nënë e Mbretit të Gjithësisë. Në Koncilin e Efesit, në shekullin V, kundër tezave të Nestorit, u pranua se Maria është Theotòkos, pra, Nëna e Zotit. Që këndej, nisi praktika e kurorëzimit të Zojës. Por, devocioni për të duhet të presë shekullin XX, që të marrë formën e festës së vërtetë liturgjike.

Festa e Zojës Mbretëreshë

Papa Piu XII, me enciklikën “Ad Coeli Reginam”, në vitin 1954, themeloi për herë të parë festën e Zojës Mbretëreshë të Gjithësisë, duke e fiksuar më 31 maj. “Nuk është e vërtetë e re kjo, që i propozohet popullit të krishterë – shpjegon Papa – sepse bazat dhe arsyet e dinjitetit mbretëror të Marisë, shprehur gjerësisht në çdo kohë, gjenden në dokumente të lashta të Kishës dhe në librat e Liturgjisë shenjte”. Papa Pacelli i referohej Shkrimit Shenjt dhe etërve të Kishës, liturgjisë dhe artit. Pas reformës liturgjike, festa u zhvendos nga Papa Pali VI më 22 gusht, tetë ditë pas të Ngjiturit të Zojës në Qiell, për të nënvizuar natyrën e njëjtë me atë të glorifikimit të korpit të saj. Për t’u vënë në dukje se qe pikërisht Papa Piu XII ai, që kishte shpallur dogmën e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në vitin 1950.

Tradita e kurorëzimit të Marisë

Kurorëzimi i shën Marisë Virgjër ishte gjest shumë i ndjekur nga populli. I pari që i ka kurorëzuar solemnisht paraqitjet e ndryshme të Zojës mbahet frati kapuçin Girolamo Paulucci de Calboli nga Forli, në periudhën ndërmjet ‘500-ës dhe ‘600-ës. Kjo traditë e ndjente atmosferën e krijuar pas Koncilit të Trentit e kishte edhe aspekt pendestar, pasi besimtarët dhuronin në shenjë largimi nga kotësitë e kësaj bote, arin dhe gurët e çmuar, që shërbenin për kurorën. Traditë e rëndësishme, vijuar në vite nga kapuçinët e më pas, në veçanti nga konti i Borgonovos, Alessandro Sforza Pallavicini, i cili i la një trashëgimi të madhe Kapitullit të Shën Pjetrit në Vatikan, për të kurorëzuar fuguret më të famshme të Zojës.

Lëvizja, që solli festën

Por është fillimi i viteve ‘900 ai, që do të sjellë kërkesën për ta shpallur Zojën, Mbretëreshë të Gjithësisë, duke nisur nga tre kongreset mariane të viteve të para të shekullit. Nxitja tjetër erdhi edhe nga Papa Piu XI, që në përfundim të Vitit Shenjt 195l, shpalli festën e Krishtit Mbret. Pastaj, qe një grua, Maria Desideri, e cila në vitet ’30, themeloi në Romë lëvizjen “Pro regalitatae Mariae”, duke mbledhur peticione në të gjithë botën, në favor të kësaj feste. Qe kjo rruga, që e nxiti Papën Piu XII të shpallë festën, i cili nuk kishte harruar edhe ndihmën e Zojës për Romën, gjatë Luftës II Botërore, kur shmangu ndeshjen ndërmjet gjermanëve dhe aleatëve. Jo rastësisht, ai shpalli vitin marian 1953, gjatë të cilit përuroi homazhin tradicional, që i bëjnë Papët Zojës në sheshin e Spanjës në Romë, çdo vit, më 8 dhjetor.

Papët dhe shën Maria Mbretëreshë

Të paharrueshme lutjet e shumta dhe aktet e kushtimit Marisë, që shën Gjon Pali II bëri gjatë papnisë së tij, me moton “Totus tuus”. Edhe Benedikti XVI ia pati kushtuar audiencën e përgjithshme të 22 gushtit 2012, duke shpjeguar pse Zoja është mbretëreshë:  “Si e ushtron Maria këtë privilegj mbretëror shërbimi dhe dashurie? Duke vigjëluar mbi ne, bijtë e saj: bij, që i drejtohen Asaj në lutje, për ta falënderuar, ose për t’i kërkuar mbrojtjen amnore e ndihmën e saj qiellore, pasi, ndoshta, e kanë humbur rrugën, nën thundrën e dhimbjes apo të ankthit për ngjarjet e trishtuara e për shqetësimet e jetës. Në qetësinë, ose në errësirën e jetës, ne i drejtohemi Marisë, duke i besuar ndërhyrjes së saj të vazhdueshme, që i Biri të na nxjerrë çdo hir e mëshirë të nevojshme për shtegtimin tonë përgjatë udhëve të botës”. Maria nuk është mbretëreshë e largët, që ulet mbi fron, por Nëna që përqafon të Birin, Jezu Krishtin e, me Të, të gjithë ne, bijtë e saj.

22 gusht 2020, 12:13