San Giovanni Eudes San Giovanni Eudes 

Më 19 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin Eudes

Shën Gjoni Eudes, meshtar, themelues i Eudistëve, apostull i palodhshëm i devocionit për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar, përballë rreptësisë së zhansenistëve - jemi në shekullin XVII – përhapi devocionin e butë, burimin e të cilit e gjeti tek Zemra e Jezusit dhe e Marisë.

R.SH. - Vatikan

Më 19 gusht Kisha katolike e ritit romak përkujton Shën Gjonin Eudes, apostull i palodhshëm i devocionit për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar, në një shekull si ai i XVII, kur sundonin ideologjitë që e përbuznin fenë e krishterë. Shën Gjoni Eudes është ai i cili, përballë rreptësisë së zhansenistëve - jemi në shekullin XVII – përhapi devocionin e butë, burimin e të cilit e gjeti tek Zemra e Jezusit dhe e Marisë.

I Lindur në Normandi në vitin 1601, Gjon Eudes de Mezerej, bir i një familjeje fisnike normane, vdiq në vitin 1680. Si u bë veprimtar e i devoçëm i Virgjërës Mari, hyri në Kongregatën e oratorit, krijuar në vitin 1611 nga meshtari e kardinali i ardhshëm Pjetër de Beryl , për të përgatitur predikatarë të mirë. Në vitin 1625 u shugurua meshtar e u dërgua në Kolegjin e Jezuitëve në Kaen, në Normandi. Sapo arriti, këtu u përhap epidemia e kolerës e ai u vu në shërbim të të sëmurëve aq, sa deri të vetët e izoluan nga frika se mund t’u ngjiste sëmundjen e tmerrshme vdekjeprurëse.

Krejt i vetmuar në veprimtarinë e tij, flinte në një kullë sane, derisa e mori edhe ai vetë sëmundjen. Shpëtoi gjallë e, pas zhdukjes së epidemisë, rifilloi misionin në gjirin e popullit, duke iu kushtuar krejtësisht misioneve famullitare. I bindur se figura e meshtarit ka rëndësi të jashtëzakonshme për jetën e njerëzve, ia doli mbanësh të themelonte një seminar, hap i parë drejt krijimit të ‘Kongregatës së Krishtit e të Zojës’.

Shën Gjon Eudes është apostulli më i zjarrtë i kultit liturgjik të Zemrës së Krishtit e të Zojës së Bekuar. Në vitin 1641 themeloi dy kongregata rregulltare, një mashkullore e një femërore, kushtuar Zemrave të Shenjta të Krishtit e të Zojës. Për të kulti i Zemrave të Shenjta është kulti i njeriut, duke pasur parasysh se që aty buron dinjiteti e shenjtëria njerëzore. Themeloi, më pas, edhe një strehë për t’i hequr vajzat nga rruga e një Kongregatë rregulltare, për t’i ndihmuar të rikthehen në jetë, urdhrin e “Zojës Përdëllyese të Strehimit’. Shkroi shumë vepra, ndërmjet të cilave më e njohura e më e lexuara është “Zemra e admirueshme e Nënës së Hyjit”.

Shën Gjoni Eudes: Të falem, Mari!

Të falem , Mari, bij e Hyjit Atë.
Të falemi, Mari, Nënë e Hyjit Bir.
Të falem, Mari, e fejuara e Hyjit Shpirt Shenjt.
Të falem, Mari, tempulli i tejet Shenjtenueshmës Trini.
Të falem, Mari, zambak i pastër I Trinisë shkëlqimtare.
Të falem, Mari, lule qiellore e dashurisë së patregueshme të Hyjit.
Të falem , Mari, virgjër e çiltër dhe e përkorë, prej të cilës
deshi të lindej dhe të rritej përgjimi Mbreti qiellor.
Të falem, Mari, Virgjër e virgjërave.
Të falem, Mari, Mbretëresha e martirëve, zemra e të cilës
qe shporuar me shpatë.
Të falem, Mari, zonjë e bekuar, kujt iu dha çdo pushtet
në qiell e në tokë.
Të falem, Mari, mbretëresha dhe nëna ime, jeta ime, ëmbëlsia ime
dhe shpresa ime.
Të falem, Mari, Nënë e denjë e dashurisë.
Të falem, Mari, Nëne admiruese.
Të falem, Mari, Nënë e dashurisë hyjnore.
Të falem, Mari, e papërlyer, e lindur e pamëkatë.
Të falem, Mari, përplot hir, Zoti është me ty.
Ti je e bekuar mbi të gjitha gratë e I bekuar është fryti I
kraharorit tënd, Jezusi.
Qoftë bekuar fati yt, Shën Jozefi.
Qoftë bekuar ati yt, Shën Joakim.
Qoftë bekuar nëna jote, Shën Ana.
Qoftë bekuar roja jote, Shën Gjoni.
Qoftë bekuar engjëlli yt, Shën Gabrieli.
Lavdi Hyjit At që të zgjodhi.
Lavdi Hyjit Bir që të deshi.
Lavdi Hyjit Shpirt Shenjt që të mbulojë.
Virgjëra lavdishme Mari, mund të të duam
Dhe të lavdërojmë të gjithë popujt.
Mari Nënë e Hyjit, lutu për ne dhe na jep bekimin tënd, tash e
Në fill të vdekjes sonë, në emër të Jezusit, Birit tënd hyjnor.

Kjo këngë lavdërimi, e ngjashme me litanitë, nga Shën Gjoni Eudes (+1640) Është një numër titujsh më shkëlqimdhënës të Virgjërës Mari. (15.08.2011)


Gjon Eudes, meshtari që u kumtoi dhembshurinë e Zotit grave të përdala.

E fshehur në skajin e një porte të madhe, një grua pret klientë. Sapo ka aguar.
Gjon Eudes me disa miq, vrapojnë për në Meshën e mëngjesit.
“Ngadalë, bre!” – u thërret nga mbrapa gruaja – “Pse gjithë ky ngut?”.
Grupi i burrave ngadalëson për një çast hapin e, pas një ngurrimi të vogël, vijon rrugën. Gjoni kthen kokën mbrapa… Gruaja e përdalë e ngacmon: “Jam e sigurtë se po shkoni në kishë për t’u gjunjëzuar para figureve…, e kështu ju thotë mendja se jeni në rregull me Zotin!”.
Meshtari mbetet si i shituar. Edhe dy herë të tjera, në vitin 1634 në Argjentan, krahinë franceze në Normandi, kur pati rënë kolera; e katër vjet më pas, në Kaen, gjithnjë në Normandi, pati rastin të takohet me gratë, të cilat gjithë bota i tregon me gisht: prostitutat. U kujdes për to, si për gjithë të tjerët, e u ofroi praninë e ngushëllimin e Jezusit, përmes Eukaristisë. Po sikur këto takime të ishin shenjë, që tregonte se Zoti po i kërkonte të bënte diçka më tepër? Në Ungjill Jezusi u thotë atyre, të cilët deshën ta mbysin me gurë gruan kurorëthyese: “Unë nuk gjykoj asnjeri”. E atëherë pse ai, Gjon Eudes, që është meshtar e duhet t’i përngjasë Krishtit, na u dashka t’i gjykojë? Zoti e la Marinë Magdalenë t’ia lyente këmbët me një parfum të çmuar. Atëherë pse duhet të bëjë sikur s’e ka parë? Madje Jezusi ka thënë edhe se do të na paraprijnë në Parriz. Tani, ç’bën Kisha për t’u treguar këtyre grave se Zoti nuk i gjykon, përkundrazi, kujdeset për to?”. Këto pyetje nisin t’i bëjnë vetes Gjoni e miqtë e tij, në sa vijojnë rrugën drejt kishës. 
“Zoti nuk do të ndërhynte kurrë nga qielli, duke i rregulluar punët e botës si me magji”, thotë me zë të lartë njëri prej tyre. “Vëmendja që i kushton çdo krijese, bëhet e dukshme përmes burrave e grave, të cilët vendosin t’u shërbejnë të tjerëve”. 
“Nuk mund ta dish rezultatin, para se ta kesh nisur punën” - nënvizon një tjetër “Duhet rrezikuar!”.
Kështu Gjon Eudes, me ndihmën e miqve të tij, nis të kërkojë një shtëpi. Pastaj krijon një grup vullnetarësh, që janë gati të kujdesen për këto gra të cilat, sipas mendimit të përgjithshëm, e kanë humbur shpirtin.
Lind, kështu, instituti i Zojës së Dhembshurisë. Gjoni interesohet edhe për formimin e meshtarëve e nis të themelojë për ta disa seminare. Duke u marrë me dramën e prostitutave e duke bërë përpjekje për ta bazuar meshtarinë mbi studimin e zgjuarsinë, Gjon Eudes përshkon dy rrugë, që të çojnë te Zoti: atë të zemrës e atë të shpirtit. Rrugën e jetës e përfundoi më 1680, por dy rrugët e tjera nuk përfunduan bashkë me shtegtimin e tij tokësor; vijojnë të jenë të hapura.

 

19 gusht 2020, 07:34