CRISTO, CIMABUE CRISTO, CIMABUE  

Zhvillimi i doktrinës dhe besnikëria, në risi

Disa nga kritikat, që i bëhen Papnisë së sotme, i kundërvihen Koncilit II të Vatikanit, duke arritur deri aty, sa ta harrojnë edhe shërbesën Papnore të Gjon Palit II e të Benediktit XVI.

R.SH. - Vatikan

Disa kritika me karakter doktrinor kundër papnisë aktuale, po distancohen, gradualisht, por gjithnjë më qartë, nga Koncili II i Vatikanit. Jo vetëm nga një farë interpretimi i disa teksteve, por nga vetë tekstet konciliare. Disa interpretime, që synojnë t’ua kundërvënë Papën Françesku paraardhësve të tij të afërt,  arrijnë deri aty, sa t’i kritikojnë haptazi  Shën Gjon Palin II dhe Benediktin XVI, ose t’i kalojnë në heshtje të plotë  disa aspekte themelore  të shërbesës së tyre, që  kanë të bëjnë me zhvillime të dukshme  të Koncilit të fundit.

25 vjet  pas “Ut unum sint”, ndërmjet profecisë e  kundërshtimeve

Një shembull për sa u tha më sipër ishte, kohët e fundit, 25 vjetori i Enciklikës “Ut unum sint”, - “Që të jemi një”,  në të cilën Papa Wojtyla  pohon se angazhimi ekumenik dhe dialogu me jo katolikët, janë në qendër të vëmendjes së Kishës. Përvjetori u kalua në heshtje të plotë nga ata, që ripropozojnë sot interpretimin e  reduktuar të traditës,  të mbyllur për këtë “dialog dashurie”, përveçse doktrinor, nisur nga Papa polak, duke iu  bindur dëshirës së zjarrtë të Zotit tonë Jezu Krishtit që gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme!

Profecia e faljes

Po kaq u la pas dore edhe një përvjetor tjetër: kumtimi jubilar i faljes, i shumëdëshiruar nga Shën Gjon Pali II, më 12 mars, 20 vjet më parë.  Është e papërmbajtshme, forca profetike e një Pape,  që kërkon falje për mëkatet e kryera nga bijtë e Kishës. E kur flet “për “bij”, flet edhe për papët. Dihet: kush kërkon falje për gabimet e bëra, e vë veten në një situatë të rrezikshme, për t’u rishikuar. Wojtyla zgjodhi profetikisht rrugën e së vërtetës, e Kardinali i asokoshsëm Joseph Ratzinger, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, nënvizonte me forcë risinë e këtij “gjesti”. E këtij “akti publik pendimi nga ana e Kishës”, për mëkatet e së kaluarës dhe të së sotmes: një mea culpa e Papës në emër të Kishës, gjest vërtet “i ri, por gjithsesi në vazhdimësi të plotë me historinë e Kishës, me vetëdijen e saj”.

Inkuizicioni e dhuna: vetëdije që rritet

Të shumta janë legjendat e zeza, sajuar për Inkuizicionin: flasin për zjarre, për klithma, për intolerancën e Kishës në rrjedhë historie, duke i zmadhuar ngjarjet, duke i falsifikuar, duke shpifur e duke i dekontekstualizuar, për ta zhdukur nga kujtesa ndihmesën e madhe, vendimtare, që i solli krishterimi njerëzimit. Ndaj historianëve iu desh të punonin, më pas, "për të ndrequr shtembërimet dhe mitizimet e realitetit”. Po kjo nuk të pengon të bësh rrëmimin e ndërgjegjes, për të njohur - pohon Gjon Pali II -  devijimet e së kaluarës e për të rizgjuar ndërgjegjet tona përballë kompromiseve të së sotmes”. Prej këndej buroi kërkimi i faljes, në vitin 2000, “për  përçarjet ndërmjet të krishterëve, për përdorimin e dhunës në shërbim të së vërtetës, për sjelljet e dyshimta dhe armiqësore kundër ndjekësve të feve të tjera”. Me kalimin e kohës - pohoi më 2004-ën Papa Wojtyla - Kisha, e udhëhequr nga Shpirti Shenjt, perceptoi një vetëdije  gjithnjë më të gjallë lidhur me kërkesat e përkimit të plotë me Ungjillin, që nuk i pranon metodat intolerante e të dhunshme të cilat, në rrjedhë të historisë, e  shpërfytyruan fytyrën e saj.

Rasti Galileo   

Një nga rastet më domethënëse ka qenë ai i Galileo Galileit, shkencëtarit të madh italian - katolik - pohoi Gjon Pali II - të cilit iu desh të vuante shumë, gjë që nuk mund ta fshehim - nga ana  e njerëzve dhe organizmave të Kishës. Papa Wojtyla e studion çështjen “në dritën e rrethanave historike të epokës” e “të mendësisë së asokoshme”. Kisha, ndonëse e  themeluar nga Krishti “përbëhet nga njerëz me mendësi të kufizuar e të lidhur me epokën e tyre kulturore”. Edhe ajo “mëson nga përvoja”; e çka i ndodhi Galileos “e ndihmoi të fitonte pjekurinë dhe ta kuptonte më drejt   autoritetin e saj”. U rrit, kështu, mirëkuptimi i së vërtetës: që nuk jepet njëherë e përgjithmonë!

Revolucioni kopernikan

Wojtyla kujton se “paraqitja gjeocentrike e botës pranohej plotësisht nga kultura  e kohës, e parë në përkim të plotë me mësimet e Biblës, në të cilën disa shprehje, të marra fjalë për fjalë, dukeshin sikur e pohonin gjeocentrizmin: domethënë qendërsinë e planetit Tokë, në gjithësi. Pastaj,   para teologëve të epokës lindi problemi i përkimit ndërmjet eliocentrizmit e Shkrimit Shenjt. Kështu shkenca e re, me metodat e saj e me lirinë e plotë të kërkimit shkencor, i detyroi teologët t’i rishikonin kriteret e tyre  të shpjegimit të Shkrimit Shenjt. Shumica nuk deshën e as nuk ditën ta bëjnë këtë. Paradoksalisht Galileo, besimtar i sinqertë, u tregua në këtë drejtim, më i mprehtë se kundërshtarët e tij teologë, të cilët ranë në gabim, në përpjekjen për ta mbrojtur fenë. “Përmbysja e shkaktuar nga sistemi i Kopernikut”, krijonte kështu detyrën “e riinterpretimit të Biblës”. Me Galileon, që nuk ishte teolog, por shkencëtar katolik, “nisi të vihej në jetë  parimi i ri i interpretimit të librave të shenjtë, që nuk duheshin marrë fjalë për fjalë, por sipas qëllimit e tipit të secilit prej tyre, duke i shpjeguar edhe sipas gjinive letrare. Qëndrim, që u ripohua nga Piu XII, më 1943, me Enciklikën “Divino afflante Spiritu”.

Teoria e evolucionit

Vetëdija e Kishës vijoi thellimin me teorinë e evolucionit, që dukej sikur i kundërvihej parimit të krijimit. E nisi këtë thellim me Enciklikën “Humanae generis” (Gjinia njerëzore) të Piut XII të 1950-tës, që më 12 gusht 2020 mbushi 70 vjet. Gjon Pali II pohon se “krijimi duhet parë në dritën e evolucionit” si ngjarje që shtrihet në kohë - domethënë - si “creatio continua”, në të cilin Zoti bëhet i dukshëm para syve të besimtarit si Krijues i Qiellit e i tokës. Ndërsa Papa Françesku nënvizon: “Kur lexojmë, në Librin e Zanafillës, rrëfimin mbi krijimin, rrezikohemi ta përfytyrojmë Zotin si të ishte magjistar, që i bën të gjitha gjërat me shkopin magjik. Po nuk është kështu. Ai i krijoi qeniet dhe i la të zhvilloheshin sipas ligjeve të brendshme, që i dha secilës, që të zhvilloheshin e të arrinin në përsosurinë e tyre (…). Big-Bang, që sot  vihet në zanafillë të botës, nuk i kundërvihet ndërhyrjes së Krijuesit hyjnor, por ka nevojë për Të. Evolucioni në natyrë nuk është në kundërshtim me nocionin e Krijimit, sepse evolucioni nënkupton krijimin e qenieve, që zhvillohen.

Zhvillimi i konceptit  të lirisë

Në Besëlidhjen e Re, por jo vetëm në të, gjejmë thirrje të shumta për lirinë, që ia ndryshuan faqen historisë, por që zbulohen pak nga pak. Papa Bonifaci VIII me Bulën “Unam sanctam” të vitit 1302, pohonte  epërsinë e autoritetit shpirtëror, mbi atë kohor. Ishte epokë tjetër. Gati 700 vjet më pas, Gjon Pali II, duke folur në Strasburg, para Parlamentit Evropian, vëren se krishterimi mesjetar “nuk bënte akoma dallime” ndërmjet sferës së fesë e asaj të jetës civile”. Pasojë e këtij vizioni ishte “tundimi integralist  për t’i përjashtuar nga bashkësia  e kohës  të gjithë ata, që nuk e praktikonin fenë e vërtetë”. Ishte viti 1791 kur, në një Letër drejtuar ipeshkvijve francezë, Piu VI kritikonte Kushtetutën e shpallur nga Asambleja Kushtetuese, e cila e quante parim të së drejtës natyrore, lirinë e plotë të çdo njeriu që jeton në shoqëri. E kjo do të thoshte se askush nuk kishte të drejtë ta shqetësonte në zgjedhjen e fesë e se kishte të drejtë  të mendonte sipas dëshirës e edhe të shkruante e të publikonte gjithçka lidhur me fenë”. E në vitin 1832, Enciklika “Nirari vos” e Gregorit XVI, e quan lirinë e ndërgjegjes “gabim të helmatisur” e “jerm”; ndërsa Piu IX, në Sillabo të 1864, dënon ndërmjet “gabimeve kryesore të kohës”, pohimin sipas të cilit “në disa vende katolike nuk duhet që feja katolike të jetë  feja e vetme  e shtetit, duke i përjashtuar të gjitha kultet e tjera”. Siguronte, kështu, lirinë plotë të ushtrimit të kultit, sipas dëshirës së secilit.
Koncili II i Vatikanit, me Deklaratën “Dignitatis humane” kushtuar lirisë fetare dhe me “Nostra aetate” mbi dialogun me fetë jo të krishtera bën një hop cilësor,  që na kujton Koncilin e Jeruzalemit të bashkësisë së parë të krishterë, i cili ia hap portat mbarë njerëzimit. Përballë kësaj  sfide, Gjon Pali II pohon se “bariu  duhet të jetë gati, me guxim të vërtetë”.

Nostra aetate: Koncili hapi udhën e dialogut me fetë

Në vitin 1988 (Letra Apostolike “Ecclesia Dei”) Kisha jeton një çast shqetësues, skizmën e tradicionalistëve lefebvrianë. Lefebvrianët hedhin poshtë  zhvillimet që solli me vete Koncili II i Vatikanit: pohojnë se është krijuar një Kishë e re. Benedikti XVI përdor një figurë të fortë, kur i nxit  të “mos e bllokojnë autoritetin magjistral të Kishës së vitit 1962”. Kështu kishte ndodhur edhe në vitin 1870: “katolikët e vjetër” e patën dënuar Koncilin I të Vatikanit për dogmën e pagabueshmërisë papnore”. Kisha katolike jetoi 20 koncile, nësa ecte nëpër shtigjet e historisë: e në përfundim të çdo koncili pati nga ata, që nuk u pajtuan me zhvillimet e reja e i ndaluan.  Piu IX, në vitin 1854, shpalli dogmën e Zojës së Papërlyer. Po një Shenjt i madh, Bernardi i Chiaravalles, edhe pse ishte një nga përhapësit më të zjarrtë të devocionit marian, iu kundërvu kësaj së vërtete: “Jam tepër i shqetësuar, duke parë se shumë nga ju vendosën t’i ndryshojnë kushtet e ngjarjeve të rëndësishme, si për shembull, të përfshijnë këtë festë të panjohur për Kishën, që nuk miratohet nga Arsyeja e aq më pak, përligjet nga Tradita e lashtë. Thua ne jemi më të ditur e edhe më të lashtë se etërit tanë?”. Jemi në shekullin XII. Kisha, qysh asokohe, ka shpallur edhe festa të tjera të panjohura të cilat, ndoshta-ndoshta, do t’i kishin shkandulluar besimtarët, që jetuan në shekujt e mëparshëm.

Rruga e Jezusit: gjëra të reja e gjëra të lashta

Jezusi ka pohuar se nuk erdhi ta shfuqizojë Ligjin “por ta përmbushë”: “Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t'i shfuqizuar, po për t'i plotësuar. Sepse në të vërtetë po ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë fjalë e asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka” (Mt 5,17).

E megjithatë u akuzua se po shkelte normat e Moisiut, si pushimi i së shtunës dhe ndalimi i takimeve me mëkatarët e njohur publikisht. E apostujt bëjnë një hop të madh cilësor: heqin detyrimin e rrethprerjes, që niste që nga Abrahami e ishte në fuqi që prej 2000 vjetësh e, për më tepër, ua hapin portat paganëve, gjë e pamendueshme për atë kohë. “Ja - thotë Zoti - unë i bëj të reja të gjitha sendet” (Vap 21,5). Është “vera e re” e dashurisë ungjillore, që rrezikohet gjithnjë të vihet në “shakujt e vjetër” të sigurive tona fetare, që nga një herë synojnë  ta bëjnë të heshtë deri Zotin e gjallë, që nuk pushon së na foluri. Është urtia e “dishepullit të mbretërisë së qiellve”, që kërkon përmbushjen e Ligjit, drejtësinë që e tejkalon atë  të skribëve e farizenjve, duke nxjerrë “nga thesari i vet gjëra të reja e të lashta”(Mt 13,52). Jo vetëm të reja, pra, por edhe të lashta!

06 korrik 2020, 09:13