AdobeStock_134798881.jpeg

Trafikimi, Selia e Shenjtë: të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të viktimave

Përfundoi në Austri, Konferenca e 20-të e Aleancës kundër Trafikimit të Njerëzve. Imzot Joseph Grech mori pjesë në punime, në emër të Misionit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Organizatat Ndërkombëtare në Vjenë.

R.SH. - Vatikan

Është një nga veprimtaritë e paligjshme më fitimprurëse në botë, por edhe një nga ato krime, për të cilin shkalla e pandëshkueshmërisë është ende shumë, tepër e lartë: trafikimi i njerëzve shkakton sot rreth 40 milion viktima. Shumica janë gra, por edhe burra e, gjithnjë e më shumë djem dhe vajza të reja. Njerëz të trajtuar nga rrjetet kriminale si të ishin mallra, gati në kushte skllavërie, për t’i shfrytëzuar seksualisht e për punë, lypje, martesa të parakohshme, birësime të paligjshme, madje edhe për transplantim organesh. Veprimtari, që shpesh mbeten të pandëshkuara: çdo 2.154 viktima, sot dënohet vetëm një trafikant njerëzish, pavarësisht nga impenjimi i institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe i organizatave jo qeveritare, që i kanë shpallur luftë këtij fenomeni të urryer.

Kriminelët duhen dënuar

Pikërisht përforcimi i përpjekjeve për t’i dhënë fund mosndëshkimit të kriminelëve e për të siguruar drejtësi për viktimat, ishin objektivat e Konferencës së 20-të të Aleancës kundër Trafikimit Njerëzor, që u mbajt në Vjenë, nga 20 deri më 22 korrik. Aleanca është një platformë këshillimi dhe bashkëpunimi kundër trafikimit, në të cilën bëjnë pjesë organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile. Takimi, me temë “T’i japim fund mosndëshkimit: të zbatohet drejtësia, duke përndjekur trafikun e njerëzve”, u organizua në bashkëpunim me Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE). Në emër të Misionit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, mori pjesë në punime imzot Joseph Grech, i cili foli në katër panele diskutimi.

Drejtësi për viktimat

 Ipeshkvi maltez vuri në dukje mungesën e fondeve për të luftuar fenomenin, sidomos financimin e pamjaftueshëm të sistemeve gjyqësore kombëtare, që e përqendrojnë vëmendjen vetëm në rezultatet e çastit, pa menduar për plane afatgjata për t’i dorëzuar drejtësisë “mendjet” e krimit, të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj”. Nga ana tjetër, shpesh, për shkak të vështirësive ekonomike, viktimat nuk janë në gjendje t’i përdorin në favor të tyre, mundësitë, që u jep ligji. Imzot Grech kërkoi që sistemet gjyqësore t’u garantojnë trajtimin e barabartë dhe mbështetjen konkrete gjatë proceseve. Për këtë nevojitet edhe një koordinim më i madh ndërmjet qeverive dhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet policive të shteteve të ndryshme, përmes agjencive si Interpoli dhe Europoli. Themelor, sigurimi i pavarësisë së vërtetë të sistemit gjyqësor kombëtar.

Roli i mediave

 Jo më pak i rëndësishëm, shpjegoi më tej përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, është roli i mediave, që mund të promovojnë fushata sensibilizimi për çështjen. Ato mund të ndihmojnë në garantimin e të drejtave të njeriut për viktimat e trafikimit, duke krijuar kushtet në opinion, për të lehtësuar dëshminë e tyre në gjyq kundër trafikantëve. Selia e Shenjtë, përfundoi imzot Grech, mbështet përpjekjet e Aleancës për krijimin e një sistemi ligjor, që ka në qendër njerëzit dhe mbron të drejtat e patjetërsueshme dhe liritë e tyre themelore.

24 korrik 2020, 10:54