1593597667363.JPG

Selia e Shenjtë, SHBA-ve dhe Izraelit: paqja në Lindjen e Mesme, në rrezik nga veprimet e njëanshme

Shqetësimet e Selisë së Shenjtë u shprehën nga kardinali Pietro Parolin, në bisedë me ambasadorët e SHBA-ve dhe të Izraelit. U theksua se Shteti i Izraelit dhe Shteti i Palestinës kanë të drejtë të ekzistojnë dhe të jetojnë në paqe e siguri, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

R.SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u takua dje me ambasadorët e SHBA-ve dhe të Izraelit, të cilëve u shprehu “shqetësimin e Selisë së Shenjtë rreth veprimeve të mundshme të njëanshme, që mund të vënë më tej në rrezik kërkimin e paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, si edhe gjendjen delikate në Lindjen e Mesme”. Njoftimi u dha mbrëmë, me një komunikatë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

 “Siç u deklarua më 20 nëntor 2019 dhe më 20 maj 2020 – nënvizohet në komunikatë – Selia e Shenjtë thekson se Shteti i Izraelit dhe Shteti i Palestinës kanë të drejtë të ekzistojnë e të jetojnë në paqe e siguri, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Prandaj, u bën thirrje palëve që të punojnë për ta rihapur udhën e bisedimeve të drejtpërdrejta, mbi bazën e Rezolutave të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara, të ndihmuara nga masa, që shërbejnë për të rivendosur besimin e ndërsjellë e për të pasur “guximin  t’i thonë ‘po’ takimit e ‘jo’ ndeshjes; ‘po’ dialogut e ‘jo’ dhunës; ‘po’ bisedimeve e ‘jo’ armiqësive; ‘po’ respektimit të pakteve dhe ‘jo’ provokimeve; ‘po’ sinqeritetit dhe ‘jo’ dyfytyrësisë” (Papa Françesku, Lutja për paqen në Tokën Shenjte, Kopshtet e Vatikanit, 8 qershor 2014”.

Selia e Shenjtë: për Izraelin e Palestinën, vlen zgjidhja “dy popuj – dy shtete”

 Më 20 majin e kaluar, Salla e Shtypit njoftonte se Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, pati një bisedë telefonike me kryenegociatorin dhe Sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Saeb Erekat, i cili e informoi Selinë e Shenjtë “rreth zhvillimeve të fundit në territoret palestineze dhe rreth mundësisë që të zbatohej sovraniteti izraelit në një pjesë të këtyre zonave, në mënyrë të njëanshme, gjë që do ta kompromentonte më tej procesin e paqes”.

Edhe në atë rast, Selia e Shenjtë pati theksuar “se respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i Rezolutave të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara, është element i domosdoshëm që dy popujt të jetojnë krah për krah në dy shtete, me kufij të njohur ndërkombëtarisht para vitit 1967. Selia e Shenjtë – përfundonte komunikata e 20 majit – e ndjek me vëmendje gjendjen dhe shpreh shqetësim për aktet e mundshme, që mund ta komprometojnë më tej dialogun, duke uruar që izraelitë e palestinezë të gjejnë sërish e shpejt, mundësinë për të biseduar drejtpërdrejt për një marrëveshje, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, si edhe që paqja të mund të mbretërojë më në fund në Tokën Shenjte, kaq të dashur për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët”.

02 korrik 2020, 08:18