Kërko

Vatican News

Pandemia dëshmon se familja është thesari më i çmuar i shoqërisë

Videomesazh i zv.sekretares së Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën, Gabriella Gambino, për ipeshkvijtë e Kolumbisë. Në një artikull të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, temat e dokumentit.

R.SH. - Vatikan

“Të shoqërohen” bashkëshortët edhe pas martesës: kjo është fjala kyçe e videomesazhit të zv.sekretares së Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën, Gabriella Gambino, dërguar ipeshkvijve të Kolumbisë, të cilët nga data 6 deri më 8 korrik u mblodhën në asamblenë e tyre të përgjithshme, me temë “Në shërbim të Ungjillit, për shpresën e Kolumbisë”. Qëllimi i këtij shoqërimi, sipas Gambinos, është “të ndihmohen bashkëshortët që ta kuptojnë e ta zbulojnë vlerën e madhe të sakramentit të martesës, shenjë e pranisë së Krishtit në jetën e tyre”, dhe “të mbështeten në edukimin e fëmijëve”.

Familjet të mos lihen vetëm

         Në videomesazhin, që u dërgoi të hënën gjashtë ipeshkvijve të mbledhur virtualisht, përmes internetit, Gambino niset nga “përvoja e saj personale, si bashkëshorte dhe si nënë”, duke vënë më pas në dukje përparësitë dhe objektivat e baritorisë familjare. “Në këto kohë pandemie – nënvizon ajo – familjet e gjithë botës dëshmuan se janë pasuria më e rëndësishme e shoqërisë”. Në fakt, “me rezistencën e tyre, ato janë shndërruar në një forcë lëvizëse, që përhap ndjenjën e përgjegjësisë, të solidaritetit dhe të ndihmës së ndërsjellë në vështirësi”. Ato “janë dhe vazhdojnë të jenë një amortizator i shkëlqyeshëm ekonomik, shoqëror dhe edukativ”.

Kishë shtëpiake

         Bashkëshortët, nënvizon Gambino, janë Kishë shtëpiake. Në jetën e përditshme, kjo do të thotë se çdo anëtar është edukator e udhërrëfyes shpirtëror, siç kërkon edhe Papa Françesku me Nxitjen apostolike “Amoris Laetitia”. Një nga shqetësimet më të mëdha për familjet e sotme është edukimi i fëmijëve. “Duhet t’i kushtojmë energji – thekson Gambino – shoqërimit të prindërve” përballë sfidave të një shoqërie “ku mbizotëron teknologjia, e cila i largon të rinjtë nga marrëdhëniet e vërteta”, duke mos u dhënë mundësi të kuptojnë edhe vlerën e trupit të tyre e të dhurimit të vetvetes në kuadrin e martesës e të familjes. Gambino nënvizon rëndësinë e përgatitjes për martesë dhe të vazhdimit të udhës katekumenale edhe gjatë jetës bashkëshortore. Së fundi, prek temën e të moshuarve dhe të pranisë së tyre të çmuar në familje, duke kërkuar të mos lihen vetëm e të ndiqen edhe shpirtërisht.

10 korrik 2020, 11:16