Kërko

 Papa duke u lutur në Memorialin e Paqes, në Hiroshimë Papa duke u lutur në Memorialin e Paqes, në Hiroshimë  Editorial

Magjister për paqen, kundër hipokrizisë

Papa e mbështeti Rezolutën e OKB-së për ndalimin global e të menjëhershëm të zjarrit, për t’u krijuar popujve mundësinë të marrin frymë lirisht e të mund t’i kundërvihen pandemisë së Covid 19.

R. SH. - Vatikan

Pak ditë më parë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për “ndalimin e menjëhershëm të veprimeve luftarake në të gjitha situatat, për së paku 90 ditët në vijim”, që të mund t’u garantohet, kështu,  asistenca humanitare popullsive të prekura e të mund t’u kundërvihen pasojave shkatrrimtare të përhapjes së Covid-19. Françesku, me thirrjen e  tij, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, deshi ta mbështesë nismën, duke uruar që ndalimi global i zjarrit të jetë i vërtetë e i shpejtë”. Nisma e Papës është hap i ri i një udhe të gjatë. Hap, që bëhet edhe më urgjent nga kriza  e shkaktuar prej pandemisë, pasojat shkatrrimtare të së cilës - njëlloj si ato të luftërave -  peshojnë tepër rëndë mbi kurrizin e  të varfërve.

Të dielë, më 29 mars, Papa e pati bërë këtë kërkesë duke mbështetur  thirrjen e pesë ditëve më parë, nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterrez, që pati kërkuar ndalimin global e të menjëhershëm të zjarrit në të katër anët e botës, duke kujtuar edhe emergjencën e Covid-19, që nuk njeh kufij. Françesku bashkoi zërin “me të gjithë ata, që e pranuan këtë thirrje dhe i ftoi të gjithë ta ndalojnë çdo veprim luftarak, duke favorizuar krijimin e korridoreve humanitare, ndërhyrjen e diplomacisë dhe vëmendjen për ata, që  vuajnë më shumë në këtë situatë".

Angazhimi i përbashkët kundër pandemisë, pati uruar Papa, mund të na nxisë të gjithë për të pranuar nevojën e forcimit të lidhjeve vëllazërore, si anëtarë të së njëjtës familje. E posaçërisht, të ngjallë në shpirtin e drejtuesve të Kombeve e në palët e tjera në konflikt, angazhimin për t’u dhënë fund rivaliteteve. “Konfliktet nuk zgjidhen me luftë! Inatet e kundërvëniet duhen kapërcyer përmes dialogut e kërkimit  të paqes”.

Në javët e mëpasme, Françesku bëri edhe dy herë të tjera thirrje kundër shpenzimeve për armatime. Në homelinë e Natës së Pashkëve, kremtuar në Shën Pjetër,  pati thënë: “T’i  bëjmë të heshtin britmat e vdekjes, mjaft më me luftra! Të ndalohen prodhimi dhe tregtia e armëve, sepse kemi nevojë për bukë e jo për pushkë”. Papa Bergoglio deshi ta kujtojë edhe një herë këtë temë, në qendër të vëmendjes së papnisë së Tij, pas dy lutjeve mariane, në përfundim të Rruzares së majit, duke iu drejtuar Zojës me fjalët: “Nxiti drejtuesit e Kombeve të punojnë me urti, zell, bujari, duke i ndihmuar njerëzit, të cilëve u mungon gjithçka e nevojshme për jetën, duke programuar rrugëzgjidhje shoqërore dhe ekonomike me largpamje e frymë solidariteti. Mari e Shenjtnueshme, preki ndërgjegjet që shumat e mëdha, të cilat përdoren për të shtuar e për të përsosur armatimet, të përdoren për studime, që parandalojnë katastrofat e së ardhmes”.

Shumë herë e në raste të ndryshme, në vitet e kaluara, Papa vuri haptazi në dukje “hipokrizinë” dhe “mëkatin” e drejtuesve të këtyre vendeve që “flasin për paqen e shesin armë për të bërë luftërat”. Fjalë, që i përsëriti edhe gjatë kthimit nga shtegtimi i fundëm ndërkombëtar, para shpërthimit të pandemisë, nga Tajlanda e Japonia: “Në Nagasaki e Hiroshima u gjunjëzova në lutje, u takova me të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave,  ripohova dënimin e vendosur të armëve bërthamore e të hipokrizisë së atyre, që  flasin për paqen e shesin armë shkatrrimtare”.  

Sipas një raporti të Oxfam, në vitin 2019 shpenzimet ushtarake globale  arritën në dy miliard dollarë e, aktualisht, janë dy miliardë  qenie njerëzore  të zëna në kurth, në vendet ku vijon lufta e shkatërron dhuna, persekutimi,  zija e bukës, e tani, edhe emergjenca e Pandemisë.

05 korrik 2020, 13:15