biblioteca.jpg

Faqe e re interneti për Bibliotekën e Vatikanit. Pasini: më e shpejtë dhe më intuitive

Duke filluar nga 16 korriku, procedura të thjeshtuara për të kërkuar riprodhime të dorëshkrimeve dhe të materialeve të tjera në faqen e internetit të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Prefekti Pasini: “Prania fizike bëhet më e vështirë, për shkak të pandemisë, prandaj, faqja e internetit ktheht në një vend për mikpritje, bashkëpunim dhe hapje horizontesh”.

R.SH. - Vatikan

Me adresën “vaticanlibrary.va”, në internet, është e dukshme që nga 16 korriku, faqja e re e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, risi për lexuesit, me grafikë të re dhe me mundësi për t’u konsultuar më lehtë. Procedurat për të kërkuar riprodhime të dorëshkrimeve dhe të materialeve të tjera, që ruhen në Bibliotekë, janë thjeshtuar dhe janë bërë më intuitive. Si në faqet e internetit më të fundit, teknika e publikimit të materialeve në internet është statike (tekste, lidhje hipertekstuale, fotografi e video), por sidomos dinamike: pra, faqja lejon bashkëveprimin me sisteme të tjera informative, të lidhura me të. Këtë bëjnë motorët e kërkimit për katalogët dhe bibliotekat dixhitale, për konsultimin e katalogut editorial, për administrimin e Twitter nga interneti dhe për tregtimin përmes web-it. Ky operacion, që ia ndryshoi pamjen faqes së internetit, ishte i domosdoshëm sidomos, për shkak të pandemisë, gjatë së cilës, masat e sigurisë e bëjnë më të vështirë praninë fizike të studiuesve. Prefekti i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, imzot Cesare Pasini, shpjegon në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Grafika zhvillohet me shpejtësi në këtë lloj të komunikimit dixhital, prandaj, kemi qenë prej kohësh të vetëdijshëm se duhej diçka më e freskët, më e shpejtë dhe më intuitive. Pastaj, dolën mënyra të reja, mjete të reja, që duheshin shtuar. Faqja e risuar i ofron këto shërbime të reja shumë dinamike. Pjesërisht, është një faqe statike - ka tekste për të lexuar dhe imazhe për të parë – por duhen bërë kërkime, prandaj, kjo kërkonte një risim, që e kemi realizuar me faqen e re të internetit.

Në plan të parë, në kryefaqe (home-page), ndodhen mjetet për konsultimin e katalogëve dhe të bibliotekës dixhitale. Jo rastësisht janë në faqen e parë, apo jo?

Kush hyn në bibliotekë, përmes internetit, dëshiron të dijë, të shohë, të konsultojë e të marrë shënim, njëlloj si të ishte aty fizikisht. Prandaj, ky duhet të jetë shërbimi i parë që gjen, këto duhet të jenë gjërat e para të bukura, që mund t’i shohë, të bëhet kureshtar, t’i hulumtojë. Secili mund të ndalet tek medaljet, monedhat, gravurat, dorëshkrimet. Kështu që ai e merr vesh se çfarë mund të gjejë në bibliotekë, ose arrin të gjejë diçka, që e kërkonte për ndonjë studim të veçantë. Gjithashtu, mund të kënaqet me mijëra kulturat, me mijëra gjuhët, që kemi në bibliotekë, në thesaret tona. Janë gjuhët e historisë botërore.

A ka risi për të ashtuquajturën “zonë të rezervuar”?

Po. Kjo është zonë, që u kushtohet komunikimeve për kërkesa të veçanta. Mjafton të regjistrohesh e mund të hysh. Risia është përmirësimi i kërkimit ndërmjet titujve të katalogut tonë editorial, pra, ndërmjet librave, që botojmë ne, si Bibliotekë: botime shkencore, por edhe me interes të atypëratyshëm, siç është agjenda, që botojmë çdo vit. Pastaj, në këtë zonë, mund të bëhen kërkesa për riprodhimin fotografik të dokumenteve, si për studim, ashtu edhe për përdorim profesional. Kemi parashikuar një fluks, që i bën këto kërkesa të rrjedhin më lehtë, në mënyrë më praktike e të dobishme. Nga zona e rezervuar, një përdorues, një studiues, një person kureshtar, mund t’i bëjë pyetje Bibliotekës për të shfrytëzuar kompetencat e saj të veçanta, ose për të kërkuar informacionet, që i interesojnë.

Imzot Cesare Pasini, sa e rëndësishme është faqja e internetit në shërbimin tuaj si bibliotekarë të Papës?

Ne jemi bibliotekarët e Papës, sepse biblioteka është e tij dhe është hapur me dëshirën e Papëve, para shumë shekujsh. Duam të jemi vërtet në shërbim të vizitorëve, duke përdorur një mjet modern dhe aktual, që të jep menjëherë atë që i kërkon e, ndoshta, edhe diçka më shumë. Faqja e re tregon se kush jemi dhe çfarë kemi për t’i ofruar botës si shërbim, që arrin deri në kufijtë e saj më të largët. Papa Françesku thotë shpesh se duhet shkuar drejt periferive: për këtë, mendoj se nuk ka asgjë tjetër më të mirë se faqja e internetit, e cila, potencialisht, të lejon të shkosh drejt të gjitha kufijve dhe vendeve të globit, afër dhe larg. Sigurisht, nuk e lëmë pas dore shërbimin për ata, që vijnë të na vizitojnë. Por, veçanërisht në periudhën e emergjencës shëndetësore, që po përjetojmë, kur lëvizja e njerëzve është e kufizuar dhe është më vështirë të vihet në Bibliotekë, kjo faqe e hapur dhe komunikative, e pasur dhe tërheqëse, dëshiron të jetë një vend i rëndësishëm mikpritës, bashkëpunimi dhe hapje horizontesh.

23 korrik 2020, 12:57