Kërko

46503227_1944360892344593_402714529017888768_o.jpg

Famullia, në shërbim të ungjillëzimit: Udhëzuesi i Kongregatës për Klerin

Një mjet normativ-baritor, lidhur me projektet për reformimin e bashkësisë famullitare dhe ristrukturimin dioqezan: u bë i njohur sot Udhëzuesi “Përtëritja baritore e bashkësisë famullitare në shërbim të misionit ungjillëzues të Kishës”, përgatitur nga Kongregata vatikanase për Klerin. Në mungesë të meshtarëve, në raste të jashtëzakonshme, laikët mund të kremtojnë Pagëzime, funerale e martesa.

R.SH. - Vatikan

Në Kishë ka vend për të gjithë e të gjithë mund të gjejnë vendin e tyre, sipas thirrjes së secilit. Këtë dëshiron të theksojë Udhëzuesi i ri “Përtëritja baritore e bashkësive famullitare në shërbim të misionit ungjillëzues të Kishës”, që u bë i njohur sot. Dokumenti i Kongregatës së Vatikanit për Klerin nuk përmban risi ligjore, por propozon mënyra për zbatimin më të mirë të normativës në fuqi. Përbëhet prej 11 kapitujsh e mund të ndahet në dy pjesë të mëdha: e para (kap. 1-6) jep një reflektim të gjerë mbi përtëritjen baritore, misionin dhe vlerën e famullisë në kuadrin bashkëkohor; e dyta (kap. 7-11) ndalet mbi bashkësitë e ndryshme famullitare e mbi rolin e tyre, duke nënvizuar mënyrën e zbatimit të normave, që u përkasin.

         Shenjë e përhershme e Krishtit të gjallë ndërmjet njerëzve, famullia është “shtëpi në mes të shtëpive” - ​​lexohet në pjesën e parë të dokumentit - dhe misioni i saj është themelor për ungjillëzimin. Globalizimi dhe bota dixhitale ia kanë ndryshuar lidhjen me territorin, i cili nuk është më thjesht hapësirë ​​gjeografike, por hapësirë ​​jetësore. Pikërisht këtu del në pah aftësia e famullisë për të kuptuar nevojat e kohës dhe për t’ia përshtatur shërbimin e saj besimtarëve dhe historisë.

         Udhëzuesi i ri i Kongregatës për Klerin nënvizon rëndësinë e përtëritjes së strukturave të famullisë. Gjetja e mënyrave të reja për kumtimin e Fjalës së Zotit, kultura e takimit, dialogu e solidariteti, janë shtylla të atij “arti të afërsisë”, që duhet të jetë tipar karakteristik i famullive. Në veçanti, dokumenti këshillon të dëshmohet feja në bamirësinë dhe në kujdesin për të varfërit, ungjillëzues të vërtetë të besimtarëve, që frekuentojnë famullinë.

         Pjesa e dytë e Udhëzuesit hapet me një analizë të përhapjes së famullive në territor, duke nënvizuar se ngritja e tyre duhet të ketë parasysh afërsinë, homogjenitetin e popullsisë dhe karakteristikat e territorit. Më tej, vihen në dukje procedurat e bashkimit, të shkrirjes, ose të ndarjes së famullive, si edhe hollësi të tjera teknike, për të kaluar menjëherë tek kujdesi baritor për bashkësitë famullitare.

         Së pari, nënvizohet roli i famullitarit si “bari” i grigjës, që i është besuar. Ai është në shërbim të famullisë e jo e kundërta – kujton Udhëzuesi vatikanas. Ai kujdeset për shpirtrat e besimtarëve, prandaj duhet të jetë meshtar, pra, të ketë marrë Urdhrin e persbiteratit; përjashtohet çdo mundësi tjetër. Administrator i trashëgimisë së famullisë dhe përfaqësues juridik i saj, famullitari emërohet në atë detyrë për një kohë të pacaktuar, sepse kujdesi për shpirtrat kërkon qëndrueshmëri, gjë që do të thotë afërsi dhe njohje e thellë e bashkësisë së besimtarëve. Megjithatë, mund të ketë përjashtime nga kjo normë, me vendim të ipeshkvit, i cili, gjithsesi, duhet ta emërojë famullitarin për të paktën 5 vite me radhë. Në moshën 75-vjeçare, famullitari paraqet kërkesën për dorëheqje, por vijon detyrën deri sa ta shohë të arsyeshme ipeshkvi.

         Një pjesë e kapitullit të tetë u kushtohet diakonëve, bashkëpunëtorë të meshtarëve dhe të ipeshkvijve në misionin ungjillëzues të Kishës. Nuk duhen konsideruar “gjysmë meshtarë e gjysmë laikë”, pohon Udhëzuesi, duke cituar Papën Françesku, e as nuk duhen parë në këndvështrimin e klerikalizmit e të funksionalizmit. Përsa u përket të shuguruarve dhe laikëve, Kongregata për Klerin u kujton të parëve të dëshmojnë se po ndjekin me gjithë zemër gjurmët e Krishtit, ndërsa të dytëve, u kërkon dëshminë e jetës sipas Ungjillit, në shërbim të bashkësisë. Laikët mund të jenë lektorë e akolitë për shërbimin në altar e, me vendim të ipeshkvit e në rrethana të jashtëzakonshme, mund të kremtojnë Liturgjinë e Fjalës dhe ritin e varrimit, të mbarështojnë Pagëzimin, të ndihmojnë në kremtimin e martesës me lejen e Selisë së Shenjtë dhe, të predikojnë në kishë e në oratore, në rast nevoje. Gjithsesi, në asnjë rast, s’mund të mbajnë homelinë gjatë meshës.

         Udhëzuesi reflekton edhe mbi organizma famullitare si Këshilli për Punët Ekonomike. Me karakter këshillues, ai kryesohet nga famullitari dhe përbëhet të paktën nga tre anëtarë. Detyra e tij është të kontribuojë në formimin e një “kulture bashkëpërgjegjësie, në trasparencën administrative të famullisë dhe në plotësimin e nevojave të Kishës”. I së njëjtës natyrë është edhe Këshilli baritor i famullisë, funksioni kryesor i të cilit është studimi i propozimeve praktike për nismat baritore e bamirëse, në përkim me udhën e dioqezës. Këto propozime duhen miratuar më parë nga famullitari.

         Kapitulli i fundit ndalet në ofertat për kremtimin e sakramenteve, të cilat, nënvizon Udhëzuesi, duhet të jenë “akt i lirë” i besimtarit e të mos pretendohen si të ishin ndonjë taksë për t’u paguar. Jeta sakramentore, shkruhet në dokument, nuk duhet kthyer në “tregti dhe kremtimi i meshës, ashtu si shërbimet e tjera, nuk mund të jetë subjekt i tarifave, pazareve apo tregtimit. Ftohen meshtarët të japin shembull virtuoz në përdorimin e parave, përmes një jete të thjeshtë dhe administrimit transparent të trashëgimisë famullitare. Në këtë mënyrë, mund të sensibilizohen besimtarët të kontribuojnë me dëshirë në plotësimin e nevojave të famullisë, që është edhe e tyrja”.

20 korrik 2020, 12:17