E Lumja Maria Antonia Samà E Lumja Maria Antonia Samà 

Do të shpallet e Lume laikja kalabreze Maria Antonia Samà

E lumja e re, 60 vjet pa lëvizur nga krevati, si pasojë e një paralize, jetoi duke i ftuar të gjithë të mos e humbasin kurrë besimin në Zotin, në çfarëdo situate.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku priti dje kardinalin Angelo Beçiu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe e autorizoi dikasterin të shpallë Dekretet që kanë të bëjnë me të Lumen e re Maria Antonia Samà  dhe 4 të Nderuar të rinj.

Një jetë, dhuruar për Zotin e të tjerët

E Lumja e Re, Maria Antonia Samà lindi në vitin 1875, në Sant Andrea Jonio, provinca e Catanzaros. E prekur që fëmijë nga një sëmundje e rëndë, mbeti e paralizuar, me gjunjët e ngritur lart. Ashtu jetoi, plot me fe, duke i ftuar të gjithë ata, që vinin ta vizitonin, të mos e humbisnin besimin në Zotin, në çdo situatë. Në vitin 1915 bëri kushtet private, pas të cilave mbuloi kokën me një vel të zi. Atëhere njerëzit nisën ta quajnë “Murgesha e Shën Brunos” e ta vizitojnë, për të marrë prej saj këshilla e për të fituar prehje shpirtërore. Për lumnimin e Maria Antonia Samà postulacioni paraqiti për shqyrtim në Kongregatën e Çështjeve të Shenjtorëve një shërim të mrekullueshëm me ndërmjetësimin e saj, të një zonje me po atë   sëmundje, që e kishte gozhduar në krevat gjithë jetën të Lumen e re.

Me njohjen e virtyteve heroike, bëhen Shërbëtorë të Nderuar të Zotit edhe:

Eusebio Francesco Chini (i njohur me emrin Kino), meshtar jezuit;

Mariano Giuseppe de Ibargüengoitia y Zuloaga, prift dioqezan, bashkëthemelues i Institutit të Shërbëtoreve të Jezusit;

Maria Félix Torres, themeleuse e Shoqërisë së Shëlbuesit;

Angiolino Bonetta, laik i Shoqatës së Punëtorëve të Heshtur të Kryqit.

11 korrik 2020, 14:34