Kërko

INDIA-SRI LANKA-ATTACKS INDIA-SRI LANKA-ATTACKS 

'Dhuna' në dritën e fesë katolike

Para faqeve të tilla, që kullojnë gjak, pasqyrim i ngjarjeve njerëzore të të gjitha kohërave, duke filluar nga vëllavrasja e Kainit, është e qartë se kur feja keqkuptohet, keq interpretohet e kёshtu edhe keqjetohet, dhe është e qartë se kur parimi, sipas të cilit çdo gjë që thuhet në Bibël duhet besuar verbërisht, bëhet i rrezikshëm pikёrisht kur zbatohet në mënyrë mekanike e fjalë për fjalë. Këtu i ka rrënjët ”fundamentalizmi”.

R.SH. - Vatikan

Shpesh, madje tepёr shpesh, siç njoftojnë kronikat, opinioni publik tronditet nga dhuna qё ushtrohet ndaj personave tё pajafajshёm, pёr arsyet mё tё ndryshme e shpesh me pasoja tejet dramatike. Kisha e ngre zërin nё mbrojtje tё dinjitetin tё çdo njeriu, pa dallim, nё mbrojtje tё tё drejtave themelore tё njeriut, e edhe nё mbrojtje tё lirisё sё fesё. Majde, sot, sipas tё dhёnave, të krishterët janë akoma grupi më i persekutuar në botë.

Sipas Amnesty International, 2019-ta ka qenё vit i "aktivizmit dhe shtypjes". Vitin e kaluar, miliona e miliona njerëz dolën në sheshe e rrugë, për t'i kërkuar të drejtat e tyre themelore. Një turmë e tillë njerëzish nё manifestime nuk u pa qё nga vitet 2010-2011, por qeveritë hapën zjarr ndaj tyre. Pra, denoncimi vjen nga raporti vjetor i organizatës për Të Drejtat e Njeriut 'Amnesty International'.

Ndёrsa me rastin e Ditës Botërore të Refugjatit, që u kremtua më 20 qershor, UNICEFI kërkoi garanci për mbrojtjen e familjeve, të fëmijëve dhe adoleshentëve refugjatë dhe migrantë e jo vetёm. E, sipas Unhcr (Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët), “gjatë dhjetë vjetëve të fundit, numri i njerëzve në ikje është dyfishuar: 30-34 milionë janë të mitur, 79,5 milionë njerëz në ikje, rekord i paparë. Shaku varfёria, papunёsia e dhuna.

Liderët e feve të mbarë botës e përfunduan Takimin ndërfetar në Asizi 2016, mbi temën: “Etje për Paqen: fetë e kulturat në dialog”, me një thirrje të fuqishme të përbashkët për paqen mes popujve, e për t’i thënë jo dhunës, jo luftës, jo vdekjes. “I jemi drejtuar me lutje Zotit, që t’i dhurojë paqen botës. E pranojmë nevojën e lutjes së vazhdueshme për paqen, sepse lutja e mbron dhe e shndrit botën. Paqe është emri i Zotit. Kush e përmend emrin e Zotit për të justifikuar terrorizmin, dhunën dhe luftën, nuk ecën në udhën e Tij: lufta në emër të fesë kthehet në luftë kundër vetë fesë. Me bindje të patundur, theksojmë pra, se dhuna dhe terrorizmi janë kundër frymës së vërtetë fetare”, pohuan Liderët e feve të mbarë botës me atё rast.

Por si e sheh ”dhunën” feja katolike?

Një studiues i Biblës, Rajmund Shvager, vëren se në 600 pjesë të Shkrimit të Shenjtë informohemi për popuj, mbretër e individë, që sulmojnë e vrasin të tjerët; në mëse 100 pjesë të tjera, është zemërimi i Zotit, që dënon me vdekje, shkatërrim e zjarr dhe në 100 pjesë akoma, është vetë Zoti, ai që jep urdhër për të vrarë njerëzit. Dihet se Besëlidhja e Vjetër e përfshin ligjin e dënimit me vdekje. Mjafton të lexojmë kapitullin e 10-të të Jozuehut për të zbuluar pasojat e ”anatemës” (në hebraisht ”herem”), e cila synon zhdukjen e shkatërrimin tërësor të njerëzve e të qyteteve armike.

Para faqeve të tilla, që kullojnë gjak - pasqyrim i ngjarjeve njerëzore të të gjitha kohërave, duke filluar nga vëllavrasja e Kainit, është e qartë se kur feja keqkuptohet, keq interpretohet e kёshtu edhe keqjetohet, dhe është e qartë se kur parimi, sipas të cilit çdo gjë që thuhet në Bibël duhet besuar verbërisht, bëhet i rrezikshëm pikёrisht kur zbatohet në mënyrë mekanike e fjalë për fjalë.

Këtu i ka rrënjët ”fundamentalizmi”, i cili duke pushtuar mendjen edhe një personi, që dëshiron vetëm të jetë besimtar i mirë, kalon në paradoks, për të mos thënë në absurditet dramatik.

Është folur shumë për interpretimin e drejtë të Shkrimit të Shenjtë - Biblës, në të cilin duhen pasur parasysh si aspekti letrar - i gjuhës, i mënyrës së shprehjes, aspekti i lidhur me historinë e njeriut – ashtu edhe ai teologjik. Bibla, si Besëlidhja e Vjetër, ashtu edhe ajo e Re, nuk është një përmbledhje tekstesh, ose teoremash abstrakte, që duhen pranuar e zbatuar automatikisht. Siç duket qartë në çdo faqe tё Biblës, ajo është paraqitja e historisë së shëlbimit të njerëzimit. Zoti na zbulohet duke hyrë në historinë tonë, të mbushur me mëkate e mjerime njerёzore, e dalëngadalë, me durim, e udhëheq njeriun drejt horizontit më të lartë e më të përsosur të së vërtetës e të dashurisë.

Pra, Zbulimi Hyjnor nuk është fjala, që qëndron pezull në qiell e komunikohet vetëm përmes ekstazës, por është fara, që i bën udhë vetes në terrenin e shurdhër e me pak dritë të ekzistencës tokësore. Atëherë, ne nuk duhet të ndalemi vetëm në hapin e parë, vetëm në konstatimin e dhunës, pasi ajo mund të jetë shprehje e edukimit plot durim të Zotit para ”ngurtësisë së zemrave” të njeriut. Madje, kjo vlen edhe për dhunën që ndodhi në disa periudha të epokës së krishterë, dhunë që është krejtësisht në kundërshtim me Ungjillin e Jezu Krishtit.

Por jo vetëm Krishti – ”paqja jonë”, siç thotë shën Pali, Ai që na fton t’i kthejmë armikut edhe faqen tjetër – është kundër shfrimit me dhunë. Që në Besëlidhjen e Vjetër shihet një Zot, që fal deri në të njëmijtin brez (Es 34,7), që beson në kthimin e mëkatarit, që ndryshon, madje, mendimin e nuk e ushtron drejtësinë e Tij mbi të keqin (Es 32,14). Mund të marrim këtu, si shembull, dy tekste emblematike. I pari është ai nga Libri i Ezekielit profet: ”Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit – është fjala e Zotit Hyj – e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?... Unë nuk i kënaqem vdekjes së vdekatarit” (18,23.32). I dyti nga Libri i Urtisë: ”Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe…Duke vepruar në këtë mënyrë, ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm” (12,18-19).

Mund të themi pra, se dhuna e pranishme në Bibël është shenja e ”mishërimit” të Fjalës së Zotit, e cila nuk qëndron e ndrydhur mes reve të qiellit e në formula të përsosura, por lidhet me historinë reale të njerëzimit, për të fituar mbi të keqen e për ta çuar Gjithësinë drejt harmonisë, së parashikuar nga Hyji në planin e tij fillestar. Një plan, që përfshin edhe lirinë e njeriut, i aftë për dhunë e urrejtje, por i destinuar të mbështetet nga Hiri Zotit, që dashuria të bëhet ligji më i lartë i jetës.

08 korrik 2020, 16:40