Kërko

“Çdo i moshuar është gjyshi yt”: fushata e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën “Çdo i moshuar është gjyshi yt”: fushata e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën 

“Çdo i moshuar është gjyshi yt”

Frymëzuar nga fjalët e Papës, filloi sot fushata e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, që i fton të rinjtë e gjithë botës të bëjnë një gjest ëmbëlsie ndaj të moshuarve, që ndihen vetëm, t’u japin atyre një ledhatim. “Çdo i moshuar është gjyshi yt”: kjo është tema e fushatës, me hashtagun #sendyourhug për rrjetet shoqërore. Historitë e lajmet më të rëndësishme do të botohen në faqen Twitter të Dikasterit @laityfamilylife.

R.SH. - Vatikan

“Përdorni fantazinë e dashurisë: thirrjet telefonike, lidhjet me video, dëgjojini!”. Niset nga fjalët e Papës Françesku, gjatë lutjes se djeshme të Engjëllit të Tënzot, fushata e Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen e jetën, me temë “Çdo i moshuar është gjyshi yt”.  Izolimi i të moshuarve mund të kapërcehet, duke respektuar me rigorozitet rregullat shëndetësore kundër Covid-19. Pandemia i goditi veçanërisht fort të moshuarit dhe ndërpreu edhe ato lidhje tashmë të dobta ndërmjet brezave, por respektimi i distancës nuk do të thotë të pranosh vetminë dhe braktisjen e tyre.

Për këtë arsye, Dikasteri vatikanas i fton të rinjtë e gjithë botës për një gjest ëmbëlsie ndaj të moshuarve, që ndihen vetëm. Në rrjetet shoqërore, fushata ka hashtagun #sendyourhug. Ndërsa, historitë e lajmet më të rëndësishme do të botohen në faqen Twitter të Dikasterit @laityfamilylife.

“Fantazia e dashurisë”

Gjatë muajve të fundit, shumë Konferenca Ipeshkvnore, shoqata dhe besimtarë të ndryshëm, me “fantazinë e dashurisë” – siç tha Papa në Engjëllin e Tënzot - gjetën mënyra për t’i bërë të moshuarit të ndihen pranë bashkësisë së Kishës. I kontaktuan me telefon, me internet, me rrjete shoqërore – madje, edhe me serenata për ata, që ndodheshin në shtëpi pleqsh, nga ku s’mund të dilnin, për shkak të masave të sigurisë – gjithçka, bërë nga të rinjtë për të mos i lënë vetëm të moshuarit, kudo ndodheshin. Në këtë fazë të fushatës, për të përmbushur rregullat shëndetësore në fuqi në vende të ndryshme, Dikasteri i Vatikanit i fton të rinjtë të shkojnë virtualisht tek pleqtë më të vetmuar në lagjen, ose në famullinë e tyre dhe t’u çojnë një përqafim, siç kërkoi Papa, një ledhatim ideal, përmes një telefonate, një lidhje me video, ose një fotografie. Aty ku është e mundur, vijon më tej Dikasteri në një notë, të rinjtë të shkojnë personalisht për t’i përqafuar e për të ndenjur me të moshuarit.

Përqafimi i ri ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve

Shpresa jonë - theksohet në notë - është që, edhe duke u nisur nga kjo fushatë, të plotësohet dëshira e Papës Françesku, i cili, në parathënien e librit “Urtia e kohës”, shkruan: “Ja ç’do të doja: një botë që përjeton përqafimin e ri ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve”. E ja fjalët e Papës Françesku, në Engjëllit e Tënzot të së dielës:

“Në përkujtimin e shën Joakimit dhe të shën Anës, ‘gjyshërit’ e Jezusit, dëshiroj t’i ftoj të rinjtë t’u japin një ledhatim të ëmbël pleqve, posaçërisht më të vetmuarve, atyre që jetojnë në shtëpi e në rezidenca e që nuk i shikojnë prej muajsh të afërmit. Të dashur të rinj, secili nga këta pleq është gjyshi juaj! Mos e lini vetëm! Përdoreni fantazinë e dashurisë, bëjani një telefonatë, një videothirrje, dërgojani një mesazh, dëgjojini e, ku mund të bëhet pa shkelur normat shëndetësore, shkoni edhe t’i takoni. Jepuani një përqafim të ngrohtë! Ata janë rrënjët tuaja. Një dru pa rrënjë nuk mund të rritet, nuk mund të çelë lule as të pjekë fryte. Prandaj është i rëndësishëm bashkimi e lidhja me rrënjët. ‘Pemët çelin lule, sepse i kanë rrënjët thellë në tokë’, thotë një poet i atdheut tim. Prandaj ju ftoj për një duartrokitje të stuhishme, kushtuar të gjithë gjyshërve”.

27 korrik 2020, 15:31