Dolomiti Dolomiti 

Imzot Bruno Forte: pushimi i vërtetë është të mbushesh me praninë e Zotit

Pushim i vërtetë është ai që të mbush me praninë e Zotit, me gëzimin e dëgjimit të atij zëri të heshtur, i cili të depërton deri në skajet më të fshehta të shpirtit. Të jep atë dritë e atë paqe, që s’mund ta japë asnjë pushim tjetër në botë.

R.SH. - Vatikan

Vera është koha e pushimeve e, në përgjithësi, gjatë saj, ngadalësohen, ose lihen krejtësisht mënjanë veprimtaritë e zakonshme të vitit, megjithëse këtë vit, për shkak tё Covid-19 situata ka ndryshuar e shumё njerëz nuk shkëputën nga puna e tё tjerё akoma nuk kanё mundёsi tё shkojnё me pushime. Gjithsesi, pushimi i krishterë e kapërcen mungesën e punës apo çlodhjen fizike e mendore. Pushimi i vërtetë është ai, që përqafon shpirtin dhe turpin në marrëdhënie me Zotin, në shërbimin ndaj të afërmit e në shpresën e realizimit të premtimeve të Hyjit, i cili dëshiron të japë një paqe, që i kapërcen travajët e kësaj jete. Prandaj, në se të pushosh do të thotë të ndëpresësh detyrat e të drejtat, ligjet e Zotit e ligjet e jetёs njerёzore, sigurisht që pushimet nuk janë në përkim me jetën e krishterë. Por në se pushimi kuptohet si kohë që ia kushtojmë vetvetes, që e kalojmë në një mjedis natyror, i cili e bën edhe më të bukur komunikimin me veten, me të tjerët e sidomos me Zotin, atëherë ‘rroftë pushimi’!.

Luka nё kapitullin e 10-të tё Ungjillit tё tij, na njofton pёr vizitёn e Jezusit nё shtёpinё e Martës e tё Marisë, ku na pёrshkruan qёndrimin dhe sjelljen e tyre: njëra e zënë me punët e shtëpisë e, tjetra, e vëmendshme ndaj fjalëve të Krishtit, pa u ngritur nga këmbët e Mësuesit Hyjnor, ku ishte ngjeshur, gjithë interes për ta dëgjuar.

Nё atё kohё, Jezusi hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!” 41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret” (Lk 10,38-42).

Fjalët e kёtij fragmenti ungjillor, na ftojnë tё jemi tё vëmendshëm kurdoherë ndaj Fjalёs sё Zotit, madje edhe gjatё periudhës verore jemi tё ftuar ta shikojmё kohën e pushimeve, si rast të favorshëm për të vënë në plan të parë dëgjimin e Fjalës së Zotit. Fragmenti ungjillor nga Luka (Lk 10,38-42) qё flet pёr vizitën e Jezusit në shtëpinë e Martës e të Marisë, ёshtё një faqe në përkim me stinën e ngrohtë e na tregon dy mёnyra e stile jete: Marta është e mbytur në punë. Zbukuron shtëpinë, për të pritur Mikun e madh. Nuk ka kryer ende punë, kur Miku (Jezusi) arrin e Maria, e pushtuar nga prania e tij, i ulet tek këmbët, për ta dëgjuar më mirë. Maria na kujton se njeriu, mbi të gjitha, ka nevojë për Zotin. Koncept i thellë biblik ky, siç nënvizon ipeshkvi i Kieti-Vastosimzot Bruno Forte:

Në Bibël, që nga rrëfimi i veprës krijuese të Zotit, ndeshemi me temën e pushimit të së shtunës, domethënë me atë kohë, në të cilën edhe vetë Zoti pushon, pas punëve të jashtëzakonshme të krijimit të gjithësisë. Tashti, ashtu si Zoti pati nevojë të pushojë ditën e shtatë, kështu edhe njeriu duhet të pushojë në të shtatën ditë. Atëherë modeli i madh sabatik i traditës hebraiko-biblike bëhet model i një pushimi të pasur me kuptim, me veprimtari, të ndryshme nga ato të përditshmet, por jo më pak të frytshme. Duke pasur parasysh këtë traditë, teologjia e krishterë nuk e koncepton kohën e pushimit si periudhë, në të cilën nuk duhet bërë asgjë. Duhet bërë, por ndryshe, duhet bërë diçka që na e pushton krejt zemrën, që na hap përmasa më të vërteta, më të bukura, që na krijon hapësirë të re, për të shijuar përvojën e dëgjimit e e bukurinë e takimit me Zotin.

Kjo faqe ungjillore, përkon shumë edhe me kohën e pushimeve verore e na kujton se njeriu duhet të merret me punë shtëpiake e profesionale, duhet edhe të pushojë, por mbi të gjitha, ka nevojë për Zotin...

Njeriu realizohet me të vërtetë, kur nuk largohet nga Zoti. Kur largohet, është i humbur. Realizohet vetëm atëherë kur zemra e tij, që është mall për Zotin, mbushet përplot me praninë e Hyjit, me hirin e dëgjimit, me Fjalët e tij e me heshtjen e tij. Pushim i vërtetë është ai që të mbush me praninë e Zotit, me gëzimin e dëgjimit të atij zëri të heshtur, i cili të depërton deri në skajet më të fshehta të shpirtit. Të jep atë dritë e atë paqe, që s’mund ta japë asnjë pushim tjetër në botë.

23 korrik 2020, 10:22