Kërko

Vëllazërimi njerëzor: nga Abu Dabi, ndihma për Amazonën

U dërguan në Peru, 50 tonelata me aparate e materiale mjekësore. Nisma është fryt i bashkëpunimit ndërmjet Dikasterit vatikanas të Edukimit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

R.SH. - Vatikan

Në qiellin, që ka mbetur më i zbrazët se më parë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, hapet një rrugë e re solidariteti. Ajo lidh Abu Dabin e Emirateve të Bashkuara Arabe me Limën e Perusë. Të enjten, më 25 qershor, një aeroplan me 50 tonelata ndihma humanitare u nis për në kryeqytetin e Amerikës së Jugut, nga ku ngarkesa vijoi udhën tokësore për në destinacionin e saj përfundimtar: Iquitos, qyteti me 400 mijë banorë, që ndodhet pranë lumit Rio të Amazonës, në mes të pyllit amazonian. Mbërrijnë kështu në epiqendrën globale të pandemisë së koronavirusit, materiale të dobishme për të luftuar përhapjen e Covid-19. Maskat, dorezat, oksigjeni mjekësor dhe produktet ushqimore do të shpërndahen nga Kisha vendase: një pjesë, për strukturat shëndetësore dhe arsimore; pjesa tjetër, për familjet e zonës.

         Nisma është fryt i bashkëpunimit të princit të Abu Dabit me Fondacionin Papnor “Gravissimum Educationis”, aktiv në Kongregatën e Selisë së Shenjtë për Edukimin Katolik. Shehu Mohamed bin Zayed, princi i Abu Dabit, iu përgjigj ftesës së Papës Françesku për të ndihmuar popujt më të varfër të botës, duke dhuruar materiale shëndetësore. Bashkëpunimi bëhet në kuadrin e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, për Paqen dhe Bashkëjetesën globale, nënshkruar në Abu Dabi, me rastin e vizitës së Atit të Shenjtë, në shkurt të vitit të kaluar.

         “Popullsi të tëra nuk po përballen vetëm me pandeminë, por edhe me varfërinë, e cila është keqësuar gjatë mbylljes nëpër shtëpi – komenton imzot Guy-Réal Thivierge, Sekretar i Përgjithshëm i Fondacionit. - Në këtë situatë, përparësia e tyre është mbijetesa. Prandaj, së pari, duhet të plotësojmë nevojat themelore (ushqimin dhe mjetet shëndetësore), pastaj, nevojat për arsimim. Është mënyrë veprimi, që i hap rrugën edukimit të gjithanshëm”.

25 qershor 2020, 11:57