Kërko

Kreu i Aif-it, Carmelo Barbagallo Kreu i Aif-it, Carmelo Barbagallo

Vatikani reflekton mbi luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Seminar përditësimi për autoritetet publike. Normat e Vatikanit, në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Presidenti i Aif-it, Barbagallo: “Krimi, në çaste krize, arrin të hyjë në indin e ekonomisë dhe të kontaktojë subjektet më të ligshta”.

R.SH. - Vatikan

Dy ditë reflektimi mbi dispozitat për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Më 15 e 16 qershor, në Vatikan, u mbajt një seminar për autoritetet publike të Selisë së Shenjtë dhe të Qytet-shtetit të Vatikanit, që pati për qëllim përditësimin e tyre me normat e reja. Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar nga pandemia e koronavirusit, kryetari i Autoritetit vatikanas të Informacionit Financiar, Carmelo Barbargallo, vuri në dukje se “ky është një çast veçanërisht i ndërlikuar, në perspektivë, ndoshta, do të jetë edhe më i ndërlikuar për ekonominë, prandaj, duhet pajtuar misioni i rëndësishëm i Kishës me ekuilibrin ekonomik, që është po aq i rëndësishëm, si edhe me respektimin e normave. Në veçanti, me rregullat, që mbrojnë nevojën për t’u çliruar nga kërcënimi i pastrimit të parave dhe i financimit të terrorizmit, një aspekt absolutisht i rëndësishëm”.

Aif: në çaste krize, krimi përpiqet të hyjë në ekonomi

 Si rezultat i krizës ekonomike, shkaktuar nga Covid 19, Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OCSE) parashikon një ulje prej 6% të Prodhimit të Brendshëm Brut në vitin 2020, por në rastin e një vale të dytë infektimesh, kjo ulje mund të shkojë deri në 7,6% në shkallë globale. Në Bashkimin Evropian, rënia pritet të arrijë në 8%. Barbagallo pohoi se “krimi, në kohë krize, mund të hyjë në indin e ekonomisë dhe të krijojë kontakte me subjektet më të ligshta, duke propozuar blerje me para në dorë. Prandaj, ky është çasti kur duhen hapur sytë më shumë se zakonisht”. Kryetari i Aif-it saktësoi se “normat e Vatikanit janë në përkim me rregulloret e vendeve të tjera të botës. Kohët e fundit, ato janë rishikuar, e, në veçanti, legjislacioni që ka të bëjë me tenderat është tejet i përparuar”.

Seminari në Vatikan
Seminari në Vatikan

Nga Selia e Shenjtë, hapa të rëndësishme në normativë

 Zv.drejtori i Aif-it, Federico Antellini Russo, nënvizoi, gjithashtu, se legjislacioni “po zhvillohet më tej çdo vit, pasi merr parasysh jo vetëm parametrat evropianë, por edhe veçoritë e juridiksionit vatikanas. Selia e Shenjtë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm pionieristike në krahasim me Evropën, për shembull. Komiteti i sigurisë financiare ka vendosur ta shtrijë edhe për autoritetet publike të Selisë së Shenjtë, të Qytet-Shtetit të Vatikanit, jo vetëm formimin, por edhe format e parandalimit, të ndërgjegjësimit dhe, në një farë mënyre, të mbështetjes së tyre. Kjo do të thotë që ata i nënshtrohen detyrimit për t’ia raportuar veprimtaritë e dyshimta Autoritetit të Informacionit Financiar”.

Përshtatje me parametrat ndërkombëtare

 Anita Titomanlio e zyrës juridike të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, theksoi se “u janë propozuar autoriteteve publike mënyra për të vlerësuar vetveten. Prandaj, po përgatiten pyetësorë për vetëvlerësimin, që do të plotësohen nga autoritetet publike dhe do t’u dërgohen autoriteteve të informacionit financiar për të përgatitur një plan veprimi, nëse ka ndonjë mangësi në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Vitet e kaluara, Selia e Shenjtë vendosi të zbatojë disa konventa ndërkombëtare, duke iu përshtatur parametrave botërore për transparencën dhe kontrollin. Natyrisht, duke respektuar gjithmonë veçoritë e Selisë së Shenjtë dhe të Qytet-Shtetit të Vatikanit, pa harruar se burimi kryesor i sistemit vatikanas është e Drejta kanonike”.

Nuk është e lehtë të zbulohet pastrimi i parave

Kontributi i Xhandarmërisë së Vatikanit është thelbësor në këtë drejtim. Fabio Vignali, kreu i seksionit të Policisë Ekonomike-Financiare, nënvizoi gjatë seminarit, se “pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit kanë karakteristika, që e bëjnë të vështirë përpunimin e të dhënave, gjetjen e provave dhe gjurmimin e fajtorëve. Kjo është sfidë e re. Por normativa aktuale në fuqi na jep mjete më të shumta e më të fuqishme sesa në të kaluarën”.

17 qershor 2020, 12:25