Kërko

Vatican News

Vatikani: mbrojtja e Gjithësisë është përgjegjësi e përbashkët

Të japë orientime për katolikët, por edhe t’i bëjë thirrje çdo të krishteri të ketë marrëdhënie të drejta me Gjithësinë: këto janë objektivat e dokumentit vatikanas “Në udhë për kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët”, botuar me rastin e 5-vjetorit të enciklikës “Laudato sì”, nënshkruar nga Papa Françesku më 25 maj 2015 e publikuar më 18 qershor të po atij viti.

R.SH. - Vatikan

Teksti u përpilua nga “Tryeza ndërdikasteriale e Selisë së Shenjtë mbi ekologjinë e gjithanshme”, themeluar në vitin 2015, për të analizuar e zbatuar parimet e kësaj ekologjie. Në të bëjnë pjesë Institucionet e lidhura me Selinë e Shenjtë, të cilat impenjohen në këtë fushë, disa Konferenca Ipeshkvnore dhe Organizata të ndryshme katolike. Megjithëse është hartuar para pandemisë së koronavirusit, dokumenti vë në dritë mesazhin kryesor të Enciklikës: gjithçka është e lidhur, nuk ka kriza të ndara nga njëra-tjetra, por është fjala për një krizë të vetme e të ndërlikuar shoqëroro-mjedisore, që kërkon një kthesë të vërtetë ekologjike.

Konferenca për shtyp

 Një vëllim prej 220 faqesh, që u paraqit sot në një konferencë për shtyp nga Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, nga zyrtarë të tjerë të lartë të Selisë së Shenjtë, si edhe nga eksponentë të Karitasit Ndërkombëtar e nga drejtori ekzekuti i Lëvizjes Globale Katolike për Klimën. Gjatë ndërhyrjeve të ndryshme, u theksua se qëllimi kryesor i këtij udhëzuesi “është të ritheksohet centraliteti i përmasës së ekologjisë së gjithanshme në jetën e secilit prej nesh dhe të ndihmojë për të gjetur mënyra konkrete jetese, të cilat duhen zbatuar duke filluar nga ndjeshmëria e secilit, por sidomos nga kërkesat për t’u kujdesur për shtëpinë tonë të përbashkët dhe për banorët e saj, sidomos kur ndodhen në gjendje të vështira e problematike”.

Kapitujt e dokumentit

  Pas hyrjes, kapitulli i parë i kushtohet “Edukimit dhe kthesës ekologjike”, ndarë në seksionet: “Ekologjia e gjithanshme dhe kthesa shpirtërore”, “Jeta njerëzore”, “Familja dhe të rinjtë në mbrojtje të shtëpisë së përbashkët”, “Shkolla fillore dhe 9-vjeçare”, “Shkolla e mesme”, “Universiteti”, “Edukimi i përhershëm”, “Edukimi jo formal dhe kultura e takimit”, “Katekizmi”, “dialogu ekumenik”, “Dialogu ndërfetar”, “Komunikimi”.

Shihet qartë se titujt e seksioneve të ndryshme përvijojnë rrugën e menduar nga Vatikani, ashtu siç ndodh edhe me kapitullin e dytë me temë “Ekologjia e gjithanshme dhe zhvillimi i gjithanshëm njerëzor”. Seksionet e tij janë: “Ushqimi”, “Uji”, “Energjia”, “Ekosistemet, shpyllëzimi, shkretimi, përdorimi i tokës”, “Detet dhe oqeanet”, “Ekonomia rrethore”, “Puna”, “Financa”, “Urbanizimi”, “Institucionet, drejtësia dhe administrimi publik”, “Shëndeti”, “Klima: sfida, përgjegjësi, mundësi”. Para “Përfundimeve”, një seksion i veçantë i kushtohet “Impenjimit të Qytet-Shtetit të Vatikanit”.

5 vite pas “Laudato sì”, problemet mbeten

“Në këtë kohë të vështirë, – shkruhet në tekst – kohë e destinuar ta ndryshojë jo pak shoqërinë në të cilën jetojmë, jemi të thirrur të kujdesemi për njëri-tjetrin, të mos mbyllemi në egoizëm, ta promovojmë dhe ta mbrojmë jetën njerëzore nga zënia në fundin e saj të natyrshëm, të ofrojmë terapi të përshtatshme për të gjithë, të ushqejmë solidaritetin ndërkombëtar, të luftojmë kulturën e hedhurinave, të studiojmë, të ndërtojmë së bashku sisteme të reja ekonomike dhe financiare më të drejta, të impenjohemi për dialogun, paqen, refuzimin e dhunës e të luftës”. “Kriza, që po kalojmë – vijon dokumenti – e bën gjithnjë e më të qartë – pesë vite pas botimit – vlerën e Letrës Enciklike ‘Laudato sì’, që Papa Françesku ia kushton kujdesit për shtëpinë e përbashkët, duke dëshmuar se gjithçka është e lidhur”.

Bota është e lidhur

 “Bota u trondit nga kriza e shkaktuar prej pandemisë së Covid-19, nga një virus që solli dhjetra-mijra viktima e po na e ndryshon mënyrën e jetesës, duke vënë në rrezik sistemet ekonomike të shoqërive tona”, nënvizohet në tekstin e Selisë së Shenjtë. “Emergjenca shëndetësore, vetmia, izolimi që pasoi masat kundër infektimit, na vunë papritmas të gjithëve para brishtësisë sonë si krijesa, që do t’u vijë fundi, dhe na bënë thirrje të zbulojmë a të rizbulojmë ç’është thelbësore për jetët tona”.

Projekt global i përbashkët, të forcohet bashkëpunimi shumëpalësh

“Të reflektohet sërish për një botë të vetme dhe për një projekt të përbashkët – pohohet në tekst – është detyrë e ndërlikuar, sepse i njëjti intelekt i përdorur për një zhvillim të jashtëzakonshëm teknologjik, ka vështirësi të gjejë forma të frytshme administrimi ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve të rënda mjedisore dhe shoqërore”. “Në këtë perspektivë – vijohet më tej – ndihet gjithnjë e më e fortë thirrja për një dialog të ndershëm e koherent për të mirën e përbashkët, të aftë të vlerësojë bashkëpunimin shumëpalësh e atë ndërmjet shteteve, më synimin për të shmangur rreziqet e instrumentalizimit politiko-ekonomik”. Gjithsesi, theksohet me forcë në dokument, “bashkëpunimi shumëpalësh ndërmjet shteteve është kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, për t’i dhënë përgjigjen e duhur sfidës së madhe e stimuluese, që ka përpara epoka jonë”.

Propozimet për një dekalog ekologjik

 E Vatikani bën edhe disa propozime “green”, duke filluar nga përdorimi i biçikletave, tek përdorimi i përbashkët i makinave (car-sharing) e tek kalimi në energji më të pastra për të gjithë, duke respektuar zërin e bashkësive lokale. Edhe strukturave kishtare u kërkohet të përdorin sa më shumë të jetë e mundur materiale natyrore dhe të kujdesen për efikasitetin energjitik. Gjithashtu, duhet të kontrollojnë veprimtaritë e tyre në vendet në zhvillim, në mënyrë që të shmanget cënimi i të drejtave të njeriut e të mos shkatërrohet natyra. Bashkësisë ndërkombëtare i kërkohet të bëjë ç’është e mundur për zvogëlimin e ndotjes së atmosferës, të braktisë strategjitë me shpenzime të mëdha energjitike, ato që parashikojnë daljen e programuar jashtë përdorimit të makinerive dhe të hedhë poshtë mendësinë “përdor e flak”, që sjell prodhime me cilësi të dobët.

18 qershor 2020, 12:40