Kërko

Lutja për paqen, gjashtё vjet pas nismës në Vatikan

Gjashtë vjet pas takimit historik të Papës Françesku me presidentët e Izraelit e të Palestinës, në Vatikan më 8 qershor 2014. Zoti i haptë “sytë tanë e zemrat tona”, e na dhashtë guximin të themi: “Kurrë më luftë!”. Kjo, lutja e Papës në takimin për Tokën Shenjte e për të gjithë banorët e saj”, lartuar Zotit, 6 vjet më parë, nga Kopshtet e Vatikanit.

R. SH. - Vatikan

“Për të bërë paqe duhet guxim, shumë më tepër, sesa për të bërë luftë”. Ishte 8 qershori i vitit 2014. Në kornizën sugjestive të Kopshteve të Vatikanit, pak javë pas shtegtimit në Tokën Shenjte, Papa Françesku ftoi presidentët Shimon Perez dhe Mahmoud Abbas për të kërkuar dhuratën e paqes ndërmjet popujve izraelit e palestinez. Pas një takimi privat në Shën Martë, nisi edhe “lutja për paqen”, në praninë e delegacioneve përkatëse dhe të patrikut ekumenik Bartolomeu I.

Një minut për paqen

Kanë kaluar gjashtё vjet nga ky takim historik e zelli dhe shpresat për paqen, ndonëse gjithnjë të përmbajtura nga faktet e realitetit shoqëror, nuk e kanë humbur gjallërinë e aktualitetin. Prej këndej, Forumi ndërkombëtar i Veprimit Katolik e ripropozoi sot nismën “Një minut për paqen”, me ftesën: “Të ndalohemi një minut, në orën 13.00, e të lutemi për dhuratën e paqes, për fat të keq, ende e kërcënuar në shumë vende të botës”. Në këtë minut u kujtuan në lutjen e përbotshme, posaçërisht vendet e ndryshme qё ende janё në konflikte.

Lutja është për të gjithë

Zemra, kuptimi, forca shtytëse e kësaj nisme është pra, lutja e të gjithëve për paqen në Lindjen e Mesme dhe në të gjithë botën. Prandaj, kudo ndodhemi e çfarëdo pune të jemi duke bërë, ndalemi një minut në orën 1 pas dreke, për t’i bërë këtë dhuratë njerëzimit dhe planetit.

Për Papёn Françesku “ajo nismë e 8 qershorit 2014, që lindi nga njerëz të cilët besojnë në Hyjin, nuk qe fare një dështim. Sepse, pa lutje nuk ka negociata, as dialog, shpjegon Ati i Shenjtё, prandaj ajo përbën “një hap themelor të sjelljes njerëzore” dhe dera mbetet gjithnjë e hapur. Aty ku përpjekjet njerëzore nuk ia dalin dot, ka një mundësi tjetër, lutja". 

Takimi në Kopshtet e Vatikanit - kujton Papa nuk ishte i kotë: pse? "Sepse lutja është gjithnjë e vlefshme. Ne besimtarët e dimë se lutja e bërë me fe ka fuqi dhe forcë të veçantë. Sidomos, kur njerëzit që luten janë “armiq” ndërmjet tyre. Jam i sigurtë se lutja e palestinezit Abbas dhe e izraelitit Peres ishte e sinqertë, sepse duan të dalin nga kjo ëndërr e keqe. Por nëse rezultati nuk shihet që të nesërmen, nuk do të thotë se nuk ka pasur rezultat". Papa ka besim se "Zoti mund t’i shndërrojë zemrat, sepse problemi është kryesisht vullneti i mirë. Hyji mund t’u japë vullnetin e mirë zemrave".

Ndërkaq, vijon jehona e thirrjes së Papës Françesku të asaj dite historike, kur kërkoi të mos kursehen lutjet e përpjekjet për të ndalur çdo konfliket e për të kthyer paqen në rajon dhe në mbarë botën.

08 qershor 2020, 13:21