Kërko

 Kardinsali Turkson viziton kampin e refugjatëve Kardinsali Turkson viziton kampin e refugjatëve 

Turkson në kampin e endacakëve të Castel Romano: për t’u dëshmuar afërsinë

Kardinali Turkson ishte këto ditë për vizitë në ngulimin pranë Portave të Romës, për të marrë pjesë në shpërndarjen e maskave, dorashkave dhe ilaçeve. Ishte vizitë “për të mbështetur të gjithë ata, që jetojnë në gjendje të vështirë e që shpesh harrohen nga bota”- tha prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor.

R. SH. - Vatikan

Kisha, Vatikani, është pranë endacakëve të lagjes së barakave në Romë. Kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, pak ditë më parë ishte për vizitë në kampin e Castel Romanos, paksa jashtë qendrës së banuar të Romës, për të dëshmuar afërsinë e Papës. E atje u takua me familjet, me nënat, me të vegjlit, që jetojnë nën këto strehë, ku shpesh ndjehen të krejtësisht të lënë pas dore.

 U dhurohen dorashka, maska e paracetomol

 Lockdown për epideminë e coronavirusit nuk e ndaloi, por e bëri më të vështirë veprimtarinë që Kisha, organizatat dhe vullnetarët po zhvillojnë në përpjekjen për integrimin e këtyre njerëzve, të mësuar me jetë endacake, nga vendi në vend. Në Castel Romano jetojnë rreth 600 endacakë. E gjysma e tyre janë të mitur. Kardinali u çoi - me kontributin e Farmacisë së Vatikanit, partner i Komisionit vatikanas për Covid 19, themeluar pranë Dikasterit - 3000 dorashka, 6000 maska kirurgjike, 200 maska prej stofe, që mund të lahen, 500  kuti  me paracetomol.  Çoi, pra,  çka është e domosdoshme për mbrojtjen në këtë fazë të epidemisë. E pastaj, falë Shoqatës 21 korrik, që i ndihmon prej vitesh endacakët, atyre iu dorëzuan edhe 260 pako me sende të domosdoshme për jetesën, posaçërisht për fëmijët nga zero deri në 3 vjeç.

Nuk duhet harruar askush  

Siç përsërit shpesh Papa Françesku, askush nuk duhet harruar - kujtoi kardinali Turkson. - Jemi këtu sot për të dëshmuar se duhen mbështetur të gjithë ata, që vuajnë e që shpesh harrohen, posaçërisht në këtë situatë shëndetësore, shoqërore dhe ekonomike. Kujtojmë se zhvillimi i gjithanshëm i njeriut lidhet ngushtë me kujdesin për Krijimin: duke  dështuar në njërin, dështojmë edhe në tjetrin.

Situata e vështirë në Castel Romano

Në kampin e Castel Romanos ujët sigurohet me autobotë, ndërsa elektriciteti ka një voltazh, që shpesh i pengon një mori veprimtarish. Rregullisht në shkollë shkojnë vetëm 15% e fëmijëve. E këtu, me shpërthimin e epidemisë, didaktika në distancë është krejtësisht e pamundur, sepse mungojnë kompjuterat e lidhja me internetin është e pamundur. Banesat janë  në rrezik shembjeje, ndërsa rulotet e konteineret i ngjasin më shumë barakave, sesa banesave. Kardinali hyri në këto banesa, u takua me nënat, që kanë shumë fëmijë e me banorët e tjerë, shumica të ikur gjatë luftës nga Bosnja, refugjatë, por pa statusin përkatës. Prej këndej, nuk kanë as të drejtën e mbrojtjes së shëndetit, për të cilin mendon vetëm Spitali romak i Krishtit Fëmijë që me kamperin “Mos më harro!”, ka mjekuar deri tani më se 700 fëmijë, të cilët jetojnë në kampet endacake të Romës.  

15 qershor 2020, 12:09