Kërko

laptop-3242862_1920.jpg

Selia e Shenjtë në OSBE, mbi lirinë e shprehjes: mediat të tregojnë respekt

Pluralitet këndvështrimesh, pjesëmarrje në debatet publike, kontroll mbi korrektësinë dhe transparencën e informacionit edhe në mediat shoqërore: këtë kërkoi delegacioni i Selisë së Shenjtë në OSBE, ku foli mbi lirinë e shprehjes, që lidhet ngushtë me lirinë e fesë dhe me respektin për bashkësitë njerëzore.

R.SH. - Vatikan

Mbrojtja dhe përgjegjësia e mediave: këto dy pika ishin në qendër të fjalës së delegacionit të Selisë së Shenjtë në OSBE - Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë - në takimin e dytë shtesë mbi Përmasën Njerëzore të vitit 2020, kushtuar çështjeve të lirisë së shprehjes, mediave dhe informacionit. “Që e vërteta, drejtësia dhe solidariteti të përparojnë në shoqëri, duhet të mbrohen mediat - në të gjitha format e tyre – dhe u duhet garantuar liria, që u njeh bashkësia ndërkombëtare. Njëkohësisht, duhet pranuar se liria e shprehjes, si çdo e drejtë njerëzore, përfshin përgjegjësi, që nuk mund të injorohen”.

Media dhe etika

Selia e Shenjtë ritheksoi bazën etike të mediave në shoqëri, përqendruar mbi koceptin se “njeriu dhe bashkësia njerëzore” janë qëllimi dhe masa e përdorimit të mjeteve të komunikimit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, pasi “mediat nuk bëjnë asgjë vetë; janë mjete, instrumente, që përdoren ashtu si duan njerëzit”.

Liria e shprehjes dhe e fesë

Nuk është e pranueshme - pohoi Selia e Shenjtë - të fshihemi pas lirisë së shprehjes, duke justifikuar diskriminimin, armiqësinë, ose dhunën kundër një feje, ose anëtarëve të saj. Liria e shprehjes duhet të ketë parasysh respektin dhe hapësirën për çdo mendim, edhe nëse është i ndryshëm nga ai mbizotërues, pa përjashtuar debate kritike, ose diskutime serioze për fenë. Selia e Shenjtë u bëri thirrje mediave për përgjegjësi kur flasin për çështjet fetare, i nxiti të japin lajme “të drejta dhe të sakta”, duke u dhënë mundësi anëtarëve të bashkësisë të shprehin opinionet e tyre. Për këtë, Vatikani inkurajoi hartimin e udhëzimeve të veçanta.

Pjesëmarrja e bashkësive fetare në jetën publike

Në fjalimin e delegacionit papnor, edhe shpresa që mjetet e komunikimit masiv të jenë gjithëpërfshirëse dhe të inkurajojnë shkëmbimin e ideve dhe të këndvështrimeve të pasura dhe të gjera. Institucionet, kërkoi Selia e Shenjtë, duhet t’i përfshijnë përfaqësuesit e bashkësive fetare në debatet publike, duke u dhënë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre, mbi bazën e bindjeve morale, që rrjedhin nga feja. Vetëm në këtë mënyrë, ata do të jenë në gjendje të japin kontributin e tyre në jetën e vendeve përkatëse.

Selia e Shenjtë i kushtoi vëmendje të veçantë përdorimit të internetit, sidomos rrjeteve shoqërore, që mund të bëhen mjete të dëmshme për përhapjen e mesazheve të urrejtjes dhe të denigrimit. Për të shmangur këtë, ofruesit e shërbimeve të internetit dhe të rrjeteve shoqërore, duhet të inkurajohen që të përdorin standarde të qarta, transparente dhe jo-diskriminuese, të cilat parandalojnë çdo formë, ose qëndrim intolerant.

Humnera dixhitale dhe pasojat e saj negative

 Në përfundim, një reflektim për ç’po ndodh në këto kohë pandemie, aty ku pabarazitë në informim kanë sjellë dhe më tepër probleme, sidomos në shoqëritë më të varfëra. Humnera dixhitale ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, pohoi Selia e Shenjtë në OSBE, mund të kushtojë jetë njerëzore, veçanërisht kur informacionet thelbësore për mbijetesën nuk mbërrijnë në kohë. Pa informacione të përgjegjshme, transparente dhe të përditësuara, krijohen pabarazi edhe më të mëdha, në mesin e vuajtjeve jo të pakta. Prandaj, thirrja e fundit e Vatikanit është të bëhet çdo përpjekje për të garantuar informacion të plotë dhe të saktë për të gjithë, duke ndjekur udhën e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik.

23 qershor 2020, 11:56