Kërko

17-12-2017 Bambini assistiti dal Dispensario Pediatrico Santa Marta 17-12-2017 Bambini assistiti dal Dispensario Pediatrico Santa Marta 

Pas disa muajsh rihapet Dispanseria pediatrike e Shën Martës nё Vatikan

Pranё Dispanserisё pediatrike tё Shën Martës, nё Vatikan, rifillojnë kurat mjekësore në mbështetje të familjeve tё varfra, në veçanti për fëmijët dhe gratë shtatzënë.

R.SH. - Vatikan

Rihapet Dispanseria pediatrike e Shën Martës, nё Vatikan: pas më shumë se dy muaj e gjysmë ndërprerje tё shërbimit, për shkak të emergjencës shëndetësore kovid-19, në zemër të Vatikanit, Dispanseria pediatrike e Shën Martës ka filluar sёrish shёrbimin pёr t’u ofruar asistencën shëndetësore posaçёrisht fëmijëve, nga zero deri në pesë vjeç, grave shtatzënë si dhe familjeve tё varfra, që kalojnë çaste të vështira ekonomike.

"Brenda disa ditësh çdo gjë do të kthehet pothuajse ashtu siç ishte më parë". Kёshtu pohojnë pёr Vatican News operatorët e Dipanserisë pediatrike tё Shën Martës lidhur me rihapjen e kёsaj strukture, duke nënvizuar rëndësinë e shërbimeve që kёtu u ofrohen familjeve në nevojë, veçanërisht në këtë fazë të bashkëjetesës me virusin.

"Dispanseria duhet domosdoshmërisht të ofrojë një shenjë pranie e afërsie” me personat nё nevojё e vёshtirёsi, thotë vullnetarja Valentina Giacometti. "Jemi pranë atyre personave që nё kёto momente po përjetojnë njё krizë tё thellë e hasin nё vështirësitë të mëdha ekonomike e sociale".

Dispanseria pediatrike e Shën Martës ndjek nga afёr me qindra fëmijë, që para lindjes e deri në moshën 5-vjeçare. Nga çdo fe. Kur është e nevojshme, merr në ngarkim dhe prindërit e vëllezërit e motrat e të vegjëlve. Veprimtaria pranë struktures bamirëse vatikanase, themeluar nga Papa Piu XI, në vitin 1922, falë donacioneve të një zonjë të pasur amerikane për Papën Benedikti XV, është bërë gjithnjë e më e frytshëme dhe strehon gjithnjë e më shumë fëmijë. Struktura administrohet nga murgeshat e Kongregatës së Bijave të Bamirësisë së Shën Vinçencit de Paolit.

Këtij institucioni, pjesë e veprimtarive bamirëse apostolike, pra, tё Lёmoshtarisё Apostolike apo tё Karitasit Apostolik, i drejtohen nëna tё reja me fёmijё nga e gjithë bota. E nёse muajve tё fundit kemi pasur mundësi t’u ofronim ndihmë vetëm pёrmes telefonit, tani e tutje vizitat do të rregullohet, nё respektimin e normave shëndetësore tё kohës sё koronavirusit, nё mёnyrё qё të shmanget grumbullimi njerёzve. Në veçanti, programi i punёs, gjatё periudhёs kovid-19, organizohet pёrmes thirrjeve telefonike, për caktimin e takimeve e tё vizitave, nё mёnyrё që njerëzit të mos mbërrijnë të gjithë në të njëjtën kohë.

Vështirësia më e madhe? Për Valentinën është pa dyshim fakti që nuk mund t’i përqafojë fizikisht fëmijët. "Por nuk ka rëndësi - shton ajo - do të mësojmë të komunikojmë me shikimin e syve edhe nëpërmjet maskave". Arsyet shëndetësore tё kovid-19 kërkojnë miratimin e sjelljeve të reja, ndonëse kemi vёshtirёsi e hezitojmë kur jemi përball të vegjëlve. Megjithatë, asgjë nuk është në gjendje të prekë a prish atë atmosferën familjare që ka karakterizuar gjithmonë këtë mjedis, ku mjekët specialistë kujdesën dhe ndjekin nga afёr nënat dhe fëmijët gjatë rritjes së tyre.

Shërbimi ‘Një djep pёr ty’, në katin e parё tё Dipanserisë pediatrike tё Shёn Martёs, vazhdon t’i shoqërojё gratë nё pritje tё lindjes deri në sallën e lindjes sё fëmijëve. Vëmendje tё veçantë i kushtohet personave qё janё pa Kartën Shëndetësore Kombëtare Italiane e pa ndonjё garanci tjetёr shëndetësore. "Karakteristika e Dispanserisë pediatrike tё Shёn Martёs, pohon Valentina, është të ofrojë kura mjekësore veçanërisht atyre që u kanё sigurime shëndetësore në territorin italian".

Deri te Dispanseria pediatrike e Shёn Martёs, arrihet pёrmes hyrjes ‘Perugino’ të Vatikanit e kalohet nёpёr kopshtin plotë lule qё përfaqëson një mesazh të qartë mirëseardhjeje. Tek dera gjendet si gjithmonë emblema e Dispanserisë: fugurja e Familjes Shenjte. "Ne i lutemi vazhdimisht Familjes Shenjte - thotё Valentina - qё t’i mbrojë familjet e fёmijёt që takojmë gjatë veprimtarive tona".

Shumë shpesh familjet arrijnë falë kontakteve personale ndёrmjet njerëzve kalojnë dhe nёpёrmjet rrjetit të famullive kishtare. Por për një bisedё e takim tё parё mjafton thjesht kontakti apo lidhja pёrmes faqes sё internetit dhe pёrmes një telefonate në numrin 0039/06/69884906.

04 qershor 2020, 16:06