Kërko

24438_27072013.JPG

Udhëzues i ri për Katekizmin: Ungjilli të bëhet gjithnjë e më aktual

Pas “Udhëzuesit Katekistik të Përgjithshëm” në vitin 1971 dhe pas “Udhëzuesit të Përgjithshëm për Katekizmin”, më 1997, u botua sot “Udhëzuesi për Katekizmin”, doracak i ri, hartuar nga Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Dokumenti u miratua nga Papa Françesku më 23 mars 2020, në kremtimin liturgjik të Shën Turibit të Mogrovejos, i cili, në shekullin XVI, i dha një shtysë të fuqishme ungjillëzimit dhe katekezës.

R.SH. - Vatikan

Lidhja e ngushtë ndërmjet ungjillëzimit dhe katekizmit është veçoria e Udhëzuesit të ri për Katekizmin, që u paraqit sot në një konferencë për shtyp, në Vatikan. Ky doracak i Kishës Katolike nënvizon sa të bashkuar janë kumti i parë i krishterë dhe arritja e maturisë së fesë, në dritën e kulturës së takimit. Gjatë paraqitjes, kreu i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fisichella, sekretari i dikasterit, imzot Octavio Ruiz Arenas dhe delegati për katekizmin, imzot Franz-Peter Tebartz-van Elst, shpjeguan se kjo veçori merr rëndësi të madhe në përballimin e dy sfidave të Kishës, në epokën bashkëkohore: asaj të kultuës dixhitale dhe asaj të globalizimit të kulturës. Udhëzuesi i ri trashëgon gjithçka patën më të mirë dy të mëparshmit, ai i vitit 1971 dhe ai i vitit 1997. U miratua nga Papa Françesku më 23 mars 2020, në kremtimin liturgjik të Shën Turibit të Mogrovejos, i cili, në shekullin XVI, i dha një shtysë të fuqishme ungjillëzimit dhe katekezës.

300 faqe, ndarë në 3 pjesë dhe në 12 kapituj

Në mbi 300 faqe, ndarë në 3 pjesë dhe në 12 kapituj, teksti kujton se çdo i pagëzuar është dishepull misionar, që së bashku me gjithë Kishën, duhet të bëjë përpjekje për të gjetur gjuhë të reja për komunikimin e fesë. Tre janë udhët kryesore të veprimit: dëshmia, sepse “Kisha nuk rritet me prozelitizëm, por duke i tërhequr njerëzit” me gjithçka bën e thotë; mëshira, e cila është një lloj katekizmi i vërtetë, që e bën të besueshëm kumtimin e fesë; dhe dialogu i lirë e pa interes, që nuk e detyron njeriun, por, duke u nisur nga dashuria, kontribuon për paqen. Në këtë mënyrë, shpjegohet në Udhëzues, katekizmi i ndihmon të krishterët t’i japin kuptim të plotë ekzistencës së tyre.

Katekizmi në misionin ungjillëzues të Kishës

 Në pjesën e parë, që titullohet “Katekizmi në misionin ungjillëzues të Kishës”, teksti ndalet, në veçanti, në formimin e katekistëve, të cilët nuk duhet thjesht “të bëjnë” katekizëm, por ta pasqyrojnë mësimin e krishterë në jetën e tyre, duke u sjellë me përkushtim, pa interes e me koherencë. Ata duhet ta shoqërojnë me përvujtëri çdo njeri, duke ia respektuar lirinë. Gjithashtu, duhet të vigjëlojnë që të gjithëve, sidomos të miturve, t’u garantohet mbrojtja nga çdo formë abuzimi.

Familja, qendrore në transmetimin e fesë

 Familja, është ndërkaq, argumenti kryesor i pjesës së dytë, me titull “Procesi i katekizmit”. Siç ka thënë shpesh Papa Françesku, familja është kisha shtëpiake, ku çdo fëmijë hedh hapat e para në fe. Edukimi i krishterë i familjes kalon përmes dëshmisë, përmes jetës së përvuajtur, plot mëshirë e dashuri për anëtarët. Kisha kërkon që të shoqërohen në fe edhe familjet, që përjetojnë gjendje të vështira, ose ato që bëjnë pjesë në skenarët e rinj të shoqërisë, siç mund të jetë bashkëjetesa, për t’i çuar dalëngadalë drejt këndvështrimit të krishterë të martesës, por sidomos, për t’u dhënë besim e shpresë, edhe aty ku kjo nuk është e mundur.

 Një aspekt i veçantë i Udhëzuesit të ri është qëndrimi ndaj personave me të meta fizike e mendore. Duhen pritur e trajtuar si dhuratë e madhe e Zotit, nënvizohet në tekst, ndërsa familjet e tyre meritojnë “respektin dhe admirimin” më të sinqertë. Flitet pastaj, për emigrantët, larg nga vendi i tyre, me të cilët të krishterët duhet të tregojnë solidaritetin e nevojshëm për t’i ndihmuar të mos bien pre e rreziqeve të shumta, e paragjykimeve dhe e shfrytëzimit. Edhe burgjet janë temë e reflektimit të Udhëzuesit të ri Katekistik, i cili i konsideron “tokë misioni”, vend për të dëshmuar fytyrën amnore të Kishës. Qendror, opcioni preferencial për të varfërit, i cili duhet edukuar edhe përmes katekizmit, duke promovuar kulturën e vëllazërimit e duke i nxitur besimtarët të indinjohen para mjerimit e padrejtësisë.

Shkolla katolike të kthehet në bashkësi feje

  Pjesa e tretë e Udhëzuesit i kushtohet “Katekizmit në Kishat e veçanta”, ku vihet në dukje roli i famullive, të afta për një katekizëm krijues, që merr parasysh përvojën jetësore të besimtarëve. Përsa i përket shkollës katolike kërkohet që ajo të kalojë nga shkollë-institucion në shkollë-bashkësi feje, me një projekt edukativ të bazuar mbi vlerat ungjillore. Doracaku shqyrton edhe çështjen e ekumenizmit dhe të dialogut ndërfetar me hebraizmin e me Islamin. Katekizmi, nënvizohet në të, duhet të nxisë dëshirën për bashkimin e të krishterëve, përndryshe nuk është mjet i besueshëm ungjillëzimi. Për marrëdhëniet me hebrenjtë, vihet në dukje rëndësia e luftës kundër antisemitizmit, ndërsa për ato me myslimanët, kërkohet të mos bihet në përgjithësime të sipërfaqshme, që i konsiderojnë të gjithë ndjekësit e Islamit si fundamentalistë. Nga ana tjetër, theksohet se dialogu i ndershëm dhe i përzemërt me fetë e tjera duhet të niset nga njohja e mirë e identitetit të krishterë, pa të cilën i krishteri nuk ka argumente të besueshme.

Kultura dixhitale e ekologjia e gjithanshme

Në botën e sotme, të karakterizuar nga kultura dixhitale, Udhëzuesi i ri katekistik këshillon njohjen e aspekteve pozitive e negative të saj, për të kundërshtuar frytshëm të ashtuquajturën “kulturë të çastit”, pa vlera dhe e paaftë ta kuptojë të vërtetën dhe cilësinë. Të rinjtë duhen shoqëruar për ta kuptuar se liria e vërtetë qëndron në dallimin nga “turma e rrjeteve shoqërore”. Në Udhëzues kërkohet që çdo i krishterë të impenjohet në ungjillëzimin e kontinentit dixhital, duke ofruar reflektime për çështje të rëndësishme, siç janë marrëdhëniet njerëzore, drejtësia e paqja.

Shkenca, teknika, bioetika, janë tema të tjera të trajtuara në Doracakun e ri, ku nënvizohet se “jo gjithçka, që është teknikisht e mundshme, është edhe moralisht e pranueshme”. E përsa i përket teorisë gjinore, kujtohet se Kisha i shoqëron “gjithnjë e në çdo situatë”, pa i gjykuar, njerëzit, që jetojnë gjendje të ndërlikuara e konfliktuale, por “në perspektivën e fesë, seksualiteti nuk është vetëm një e dhënë fizike, por një vlerë, që i është besuar përgjegjësisë së njeriut”, “një përgjigje ndaj thirrjes fillestare të Zotit”.

 Së fundi, Udhëzuesi shprehet bindshëm kundër dënimit me vdekje dhe bën thirrje për “një kthesë të thellë ekologjike”, që e ndihmon njeriun ta ruajë Gjithësinë e krijuar nga Zoti. Pika e referimit për këtë e për botën e punës, në të cilën kërkohet mbrojtja e të drejtave të më të ligshtëve, është, pa dyshim, Doktrina Shoqërore e Kishës.

25 qershor 2020, 11:30