mano_candela_preghiera_2.jpg

Palmieri: për bashkimin e të krishterëve duhet punuar çdo ditë

Të premten, kremtohet 60-vjetori i themelimit të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. Në këto dekada, “kemi kaluar nga kundërshtarë në vëllezër”, nënvizon zv.sekretari i Dikasterit të Vatikanit, imzot Andrea Palmieri, për Vatican News. Punojmë që uniteti të mos shihet si “dialog akademik”, por si “realitet lokal” i përditshëm.

R.SH. - Vatikan

Më 5 qershor 1960 filloi impenjimi zyrtar i Kishës Katolike në lëvizjen ekumenike. Në prag të Koncilit II të Vatikanit, Papa Gjoni XXIII deshi që misioni i vendosjes së bashkimit të plotë ndërmjet të krishterëve të ishte një nga objektivat kryesore të një Sekretariati të veçantë, që më pas u bë Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. Pikërisht të premten, ai kremton 60-vjetorin e themelimit. Sot, në këtë dikaster, është zv.sekretar, imzot Andrea Palmieri, që në një intervistë me Vatican News, vë në dukje se bashkimi nuk është thjesht, një “horizont në të ardhmen”, por “diçka që po e përjetojmë në udhën për ta arritur atë, për ta rivendosur”.

Hapat e bëra

Në këto 60 vite dialogu, shpjegon imzot Palmieri, janë bërë shumë hapa përpara, të cilat vihen në dukje shpesh edhe nga Papa Françesku, që thekson gjithnjë se i duhet lënë hapësirë Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar të krishterët të jenë një gjë e vetme, siç i deshi Krishti. Të dëgjojmë vetë imzot Palmierin:

Janë bërë hapa të jashtëzakonshëm: mund të themi se në këto 60 vite kemi rizbuluar vëllazërimin, që lidh gjithë të krishterët. Kemi kaluar nga të qenit “kundërshtarë” të njëri-tjetrit, në vëllezër. Nga kjo pikpamje, janë bërë gjeste shumë kuptimplote. Për shembull, përqafimi i Papës Pali VI me Patrikun ortodoks Atenagora, në vitin 1964, në Jeruzalem, që më pas, u ndoq nga vizita e Atit të Shenjtë në Kostandinopojë dhe nga ajo e Patrikut Atenagora në Romë, për të dëshmuar pikërisht bashkimin në rritje ndërmjet dy Kishave. Pas atij hapi, të dyja Kishat e shpallën të pavlefshëm çkishërimin e ndërsjellë të vitit 1054, gjest, për të cilin akoma duhet t’i kuptojmë plotësisht rrjedhojat kanonike për jetën e Kishave tona. Në vitin 1979 u njoftua pastaj, themelimi i një Komisioni të përbashkët për dialogun ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse, dialog teologjik, që ka dhënë shumë fryte, me dokumente të përbashkëta, të cilat kanë dëshmuar përputhjen e plotë në mënyrën e konceptimit të strukturës së Kishës e të misionit të saj, në vlerën që u japim Sakramenteve. E, jo më pak e rëndësishme, u arrit edhe konsensusi për faktin se në Kishë është i nevojshëm një primat, edhe në nivelin universal, megjithëse mbetet për t’u sqaruar natyra e këtij primati, që të jetë në shërbim të bashkimit, të gjithë Kishës, të gjithë të krishterëve. Ky dialog vijon.

Ç’qëndrim duhet mbajtur para ndryshimeve e dallimeve ndërmjet të krishterëve?

 Dialog nuk do të thotë të zhdukësh ndryshimet, do të thotë ta pranojmë njëri-tjetrin në larminë e ndryshimeve, me kusht që ato të mos jenë kundër trashëgimisë dhe doktrinës së fesë tonë. Ka dallime, që mund të pranohen, për të tjerat po reflektohet për të kuptuar në ç’masë janë vërtet të papajtueshme. Sot, ka rrezik që të konsiderohet tjetri si armik në vetvete, thjesht, për të përkufizuar identitetin tonë personal. E kjo paaftësi për ta parë tjetrin si vëlla për t’u dashur, e bën të vështirë për të gjithë – edhe për disa katolikë – pranimin e hapave të bëra deri tani e mirënjohjen ndaj Zotit për rrugën e vëllazërimit të përshkuar së bashku. Nuk është vetëm çështje teologjike, është edhe udhë vërtet shpirtërore për ta pranuar tjetrin si pasuri, si thirrje për ta dashur vëllain, megjithëse i ndryshëm nga ne. E ai shpirtëror, nuk është thjesht, njëri nga llojet e ekumenizmit. Është frymëzimi, themeli i dialogut me të krishterët e tjerë.

Në këto 60 vite ka pasur takime të rëndësishme. Le të kujtojmë takimin në Kubë dhe deklaratën e përbashkët të Papës Françesku e të Patrikut të Moskës e të gjithë Rusive, Kirill. Ati i Shenjtë nënvizon shpesh se nuk duhet qëndruar në vendnumëro. Ç’do të thotë kjo?

 Do të thotë të ecim në udhën e vëllazërimit, që duhet ndërtuar ditë për ditë. Para bashkimit të plotë, ka shumë mundësi të tjera për të punuar së bashku në shërbimin për të varfërit, në ungjillëzim, në ndërtimin e një bote më të mirë. Natyrisht, bashkë me mundësinë për t’u lutur së bashku. Në takimet e përbashkëta kemi mundësi të njihemi më mirë, ta vlerësojmë njëri-tjetrin, si edhe ta kuptojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Në perspektivë, do të vijojmë një dialog me sa më shumë përmasa, kuptuar jo vetëm si takim ndërmjet akademikëve, teologëve, ose krerëve të Kishave të ndryshme, por si dialog, që përfshin jetën e bashkësive të krishtera dhe të çdo besimtari, në mënyrë që së bashku, të ecim, të punojmë, të lutemi, të bashkëpunojmë.

02 qershor 2020, 14:42