Kërko

Vatican News

Nis jeta e re për Vilat e Castel Gandolfos, me mjekët e ftuar nga Françesku

Pallati Apostolik i Castel Gandolfos, seli verore e Papëve, deri tek Françesku, dhe kopshtet mahnitëse të Vilave Papnore, u hapën për publikun. Ndërmjet vizitorëve të parë, 140 mjekë e infermierë, të ftuar nga vetë Papa.

R. SH. - Vatikan

Një hapje e re, nën rrezet e ëmbla të diellit të qershorit, ashtu si katër vjet më parë, nën vezullimet e ngjyrave të vjeshtës romake. Pallati Apostolik i Castel Gandolfos, seli verore e papëve, deri tek Françesku, dhe kopshtet mahnitëse të Vilave Papnore, u hapën për publikun. Ndërmjet vizitorëve të parë, 140 mjekë e infermierë, të ftuar nga vetë Papa.

Vilat Papnore të Castel Gandolfos, për shekuj seli private verore e Papëve, më 22 tetor 2016, sipas dëshirës së Françeskut, u hapën për publikun. E, pas tre muajsh mbylljeje të detyruar për shkak të Covid-19, u rihapën  dje, në orën 10.00.

Më se një mijë vizitorë për këtë hapje të re

Distanca prej një metre në hyrje e gjatë gjithë vizitës, për ata që nuk ishin bashkë me familjen, maska e detyrueshme, termoskaneri në hyrje dhe higjienizimi i duarve, nuk i frenuan aspak një mijë vizitorët e regjistruar për këtë rihapje. Ndërmjet tyre, 140 mjekë, infermierë e punonjës shëndetësorë, së bashku, plot gëzim. E para, që shprehu mirënjohjen e saj, ishte Francesca Leonardis, kryemjeke në repartin e terapisë intensive të Poliklinikës Tor Vegata të Romës, që po i vizitonte për herë të parë Pallatin Apostolik e edhe Kopshtet, plot mirënjohje për mundësinë që iu krijua ta jetonte këtë çast gëzimi, bukurie, drite - pas gjithë asaj errësire, në korridoret ku endej vetëm vdekja, por që, megjithatë, i mësoi sa gjë prekëse është të bashkosh forcat në çaste të vështira. E aq më shumë, në çastet e bukura të kësaj vizite të paharruar - dhuratë nga Papa - për ata, që tashmë shikohen si heronjtë e betejës së madhe për jetën!

E ndjemë veten në tunel, e tani, në dritë

Patëm shumë vështirësi - vijon kryemjekja Leonardis - e pati edhe çaste kur e ndjemë veten në tunel, në terr të verbër, kur nuk shikon përpara asnjë pikë drite. Pastaj, të mbështetur në fenë tonë, nisëm të shikojmë rrezet e para. Pasi ishim tronditur aq, sa t’i drejtonim Zotit pyetjen: “Po pse, o Zot, gjithë kjo dhimbje?”. Pyetje që nuk mbeti pa përgjigje!

Vizita, vetëm të shtunë e të diel, me regjistrim

Vilat Papnore dhe Kopshtet e tyre, që shtrihen në 30 nga 55 hektarët e sipërfaqes e ngrihen mbi liqenin e Castel Gandolfos, mund të vizitohen vetëm të shtunën e të dielën, nga ora 10.00 deri në 18.00, e vetëm me prenotim dhe me organizim në hyrje. Grupet e vizitorëve nuk mund të kenë më shumë se 10 vetë, nën kontrollin e një prijësi, që përgjigjet për distancën e detyruar.

Magjepëse, dhomat private të Papëve

Është vizitë në historinë e Kishës e të artit, të cilën nuk duhet ta humbasin kurrsesi ata, që kanë pasion për artin e historinë. Nga salloni i zviceranëve, tek salla e fronit; nga biblioteka, tek studioja private e Papëve e deri te Kapela ku, në mars 2013, u gjunjëzuan së bashku në lutje Françesku, i sapo zgjedhur Papë, e Papa i nderit, Benedikti XVI.  Ish-drejtori i Muzeve, historiani i artit Antonio Paolucci, këshillonte, më 2016, të nisej vizita nga galeria e Aleksandrit VII Chigi, për të soditur nga dritaret pamjet mahnitëse, që i hapen syrit e që duken si të ishin të pikturuara nga Annibale Carracci, si dhe peizazhet në muret, realizuar në kohën e Papës Chigi.

E gjithë kjo bukuri nuk mund të mos i presë vizitorët fatlumë të cilët, pasi largohen, e ndjejnë se kanë marrë me vete një pjesë të kësaj madhështie arti e të kësaj historie, të shkruar kudo shkel, që të pasuron kulturën e të fisnikëron zemrën!

 

07 qershor 2020, 12:19