2020.06.25 nuovo direttorio per la catechesi 2020.06.25 nuovo direttorio per la catechesi 

Martinez flet mbi Udhëzuesin për katekizmin: sintezë e magjisterit të Papës

Kryetari i Ripërtëritjes në Shpirtin Shenjt, njëkohësisht, konsulent i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, e quan dokumentin “magna carta” e sfidave të reja të Mijëvjeçarit të Tretë: “Vë në dukje një pedagogji të përshtatshme për kërkesat e kohës sonë”.

R.SH. - Vatikan 

Shprehje e qartë e magjisterit të Papës Françesku. Kryetari i Ripërtëritjes në Shpirtin Shenjt, njëkohësisht, konsulent i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, Salvatore Martinez, e cilëson kështu Udhëzuesin e ri për Katekizmin publikuar ditët e kaluara nga Vatikani. Dokumenti, që nënvizon edhe urgjencën e impenjimit të çdo të pagëzuari për përhapjen e Ungjillit, thekson tre parime bazë: mëshirën, dialogun dhe dëshminë. Për Martinez, ai është “një sistematizim i mendimit të Atit të Shenjtë dhe një riproprozim i magjisterit të tij”. E pyetëm pse e mendon kështu e, ja përgjigjja e tij:

Sepse, me përpikmëri, dinamizëm dhe fakte, vihen në dukje sfidat e mëdha të ungjillëzimit të ri në Mijëveçarin e Tretë. Udhëzuesi është edhe një lloj sintakse teologjike, kishtare, e fjalorit të vetë Papës Françesku. E përvijon një pedagogji të përshtatshme për kërkesat e kohës sonë, për sfidat më të rëndësishme: në thelb, i jep një orientim, një hov fesë.

Në këtë dokument, ju shihni disa drejtime bazë për t’u ndjekur…

Para së gjithash, kemi temën e madhe të mishërimit të fesë. Feja është jetë dhe është kështu edhe në këtë shekull, në fillim të një mijëvjeçari të ri. Pastaj, kemi inkulturimin e fesë. Pra, dialogun me kulturat, prirjet, orientimet e mendimit aktual. Së treti, kemi temën e kulturës së dialogut, të takimit, aq të dashur për Papën Françesku. Gjithçka është paraqitur si duhet, me një gjuhë të kuptueshme, që e sintetizon magjisterin papnor, duke filluar nga Nxitja Apostolike “Evangelii Gaudium”.

Teksti kujton se çdo i pagëzuar ka përgjegjësi për përhapjen e Ungjillit me format bashkëkohore të komunikimit. Kjo merr rëndësi të madhe sot, apo jo?

 Sigurisht. Ka kuadro të përgjithshme, që ndoshta, deri dje, i kemi quajtur virtuale, siç është bota e dixhitalizuar, ose globalizimi. Magjisteri papnor tërheq vëmendjen ndaj këtyre botëve jetësore, në të cilat ndodh gjithçka, pra, janë vende ku burrat e gratë kalojnë jetën, ku kanë nevojë për Ungjillin, për Krishtin. Udhëzuesi na kujton se nuk ungjillëzohet vetëm përmes Sakramenteve: katekizmi është i vërtetë jo vetëm kur na propozon takimin me Jezusin, por edhe kur na aftëson ta bëjmë atë të gjallë, të flasim për të e ta çojmë kudo Krishtin. Këto janë marrëdhëniet e rëndësishme ndërmjet formimit dhe ungjillëzimit.  

Udhëzuesi i jep rëndësi të madhe familjes, si mjet thelbësor, madje, të pazëvendësueshëm për katekizmin.

Është subjekti parësor. Kujtohet, jo rastësisht, se familja është subjekt aktiv ungjillëzimi. Familja nuk është vetëm objekt katekizmi, por vend në të cilin transmetohet e jetohet feja e ku secili përgatitet për ta dëshmuar atë. Ungjilli njihet në familje. Udhëzuesi ngre edhe çështjen e marrëdhënieve ndërmjet brezave dhe këshillon një katekizëm të menduar në mënyrë të tillë, që të jenë protagonistë të gjithë, nga fëmijët e deri tek të moshuarit.

Në tekst, flitet së fundi, për famullitë, shoqatat e lëvizjet kishtare, si edhe për shkollat katolike. Cili është gjykimi juaj për këtë pjesë?

Lëvizjet dhe shoqatat kanë nevojë për hov të ri. Në sfidën e ungjillëzimit të ri s’ka dyshim që ato kanë një rol të rëndësishëm. Në profilin teologjiko-baritor, Udhëzuesi i vendos lëvizjet kishtare nën ombrellën e kishave të veçanta, nga ku hyjnë, pastaj, në dialog me botën. Në lëvizjet e ndryshme marrin pjesë laikët e u takon atyre ta dëshmojnë Ungjillin në botë, edhe me ato pedagogji edukative të ripërtëritjes shpirtërore, që lidhen me karizmat e shumta të dikuara nga Shpirti Shenjt.

29 qershor 2020, 13:47