Kryqi Kryqi 

Lindi platforma sipas kërkesës, për filmat dhe videot katolike

U paraqit këto ditë, VatiVision. Nisma e re është fryt i bashkëpunimit të Ofiçinës së Komunikimit me Vetrya - grup italian, i njohur për zhvillimin e shërbimeve dixhitale.

R. SH. - Vatikan

VatiVision është një platformë interneti përmes së cilës do të jetë e mundur të ndiqen sipas kërkesës, në streaming, filma, dokumentarë e seri televizive, që frymëzohen nga mesazhi i krishterë. Nisma, online që nga 8 qershori, u paraqit të enjten e kaluar.

Të përhapet mesazhi i krishterë

Duke komentuar nismën e re, prefekti për komunikimin i Selisë së Shenjtë, Paolo Ruffini, pohon:

“Është gjë e bukur që ky projekt lind nga privatët, të cilët e kanë kuptuar vlerën e veprave cilësore, që lidhen me traditën e me kulturën katolike. Vatikani e shikon me sy të mirë këtë nismë, që nuk është institucionale. Nuk është nismë as e Vatikanit e as e Kishës, por e sipërmarrësve privatë. ‘Të ndajmë së bashku’ - shton - është fjalë kyçe e kohëve tona. Problemi është çfarë duhet të ndajmë! Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për vende, ku mund të gjejmë e mund ta ndajmë së bashku të mirën dhe të bukurën. Vende, ku mund të takohemi. Vende, ku ndjehemi si në shtëpinë tonë. Prej këndej besoj se projekte si ky i Vativision janë vërtet të rëndësishme. Sepse i japin vlerë sendeve! I bëjnë të rijetojnë. Në këtë mënyrë prodhimet multimediale mund të çlirohen nga paradigma përdor e flak.  Kështu do të mund të rijetojnë edhe disa prodhime, që tashmë gjinden me vështirësi, sepse të humbura ose të harruara. Në Vativision do të mund të ndiqen edhe  disa prodhime të realizuara në bashkëpunim me Vatican Media.  Njëkohësisht, për të larguar çdo dyshim, është mirë të sqarohet se Vatikani nuk është as censor, as i ngarkuar të ndjekë vijën editoriale të Vativision”.

Një shërbim për mbarë botën

Shërbimi do të jetë i disponueshëm në mbarë botën në modalitete multi-screen, përmes browser, duke u lidhur me www.vativision.com, ose si app në smartphone, tablet, smart tv e set top box, ku është i pranishëm në të gjitha hapësirat dixhitale.

07 qershor 2020, 06:32