Kërko

Bischof Dr. Georg Bätzing Bischof Dr. Georg Bätzing 

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, në audiencë tek Papa

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, ipeshkvi i Limburgut, Georg Bätzing, u prit të shtunën nga Papa Françesku. Ipeshkvi ishte për vizitë në Vatikan, në fillim të mandatit të tij të ri në krye të ipeshkvijve gjermanë. Gjatë audiencës private, imzot Bätzing e informoi Atin e Shenjtë për Kishën në Gjermani, veçanërisht, për pasojat e krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

R.SH. - Vatikan

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, ipeshkvi i Limburgut, Georg Bätzing, u prit të shtunën nga Papa Françesku. Ipeshkvi ishte për vizitë në Vatikan, në fillim të mandatit të tij të ri në krye të ipeshkvijve gjermanë. Gjatë audiencës private, imzot Bätzing e informoi Atin e Shenjtë për Kishën në Gjermani, veçanërisht, për pasojat e krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

 Pas audiencës, ipeshkvi foli me disa gazetarë për bisedën me Papën. Imzot Bätzing nënvizoi se e njoftoi Atin e Shenjtë për “Udhën sinodale” të Kishës në Gjermani, për reformat e deritanishme dhe për projekte të tjera. “Shkëmbimi i sinqertë me Atin e Shenjtë na inkurajon ta vazhdojmë rrugën e ndërmarrë – deklaroi imzot Bätzing. – Papa e vlerësoi projektin tonë, lidhur ngushtë me konceptin e ‘sinodalitetit’, term, që e ka gjetur ai vetë. U mundova t’i shpjegoj se Kisha në Gjermani po e ndjek këtë udhë e se, gjithmonë, e ka të qartë lidhjen me Kishën universale”.

 “Duhet të gjejmë përgjigje për sfidat urgjente, që Kisha duhet të përballojë, të cilat shkojnë nga abuzimet seksuale me të miturit tek numri dramatik i njerëzve, që largohen prej saj – vijoi imzot Bätzing. - Me letrën e tij për popullin shtegtar të Zotit në Kishën e Gjermanisë, që mban datën e qershorit 2019, Papa Françesku na inkurajoi dhe na dha udhëzime për këtë. Ai do të vazhdojë të na shoqërojë me vëmendje”. Në atë Letër, Ati i Shenjtë pati kujtuar se në udhën sinodale e në veprimtarinë e Kishës në Gjermani nuk duhen harruar të varfërit e të moshuarit, refugjatët dhe nevojtarët. “Papa kërkoi shprehimisht që të merren parasysh për të ardhmen, pasojat dhe përvojat e pandemisë së koronavirusit”, nënvizoi ipeshkvi Georg Bätzing. “Shpresoj – shtoi ai, në bisedën me gazetarët, pas audiencës me Françeskun – që me përvojën e Udhës sinodale të japim kontributin tonë për Sinodin botëror të Ipeshkvijve, në tetor 2022, që do të trajtojë pikërisht çështjen e sindalitetit”.

Gjatë vizitës së tij dyditore në Vatikan, ipeshkvi Georg Bätzing u takua edhe me Sekretarin e përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve, kardinalin Lorenzo Baldisseri, si edhe me pasardhësin e tij, caktuar tashmë, kryeipeshkvin Mario Grech, me prefektin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinalin Louis Ladaria, me prefektin e Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinalin Marc Ouellet, me kryetarin e Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, kardinalin Kurt Koch, si edhe me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Selinë e Shenjtë, Michael Koch.

29 qershor 2020, 14:19