Kërko

Cuore Immacolato della Beata Vergine Maria Cuore Immacolato della Beata Vergine Maria 

Kisha katolike kremton festën e Zemrës së Zojës

Pranë e pranë me Zemrën e Krishtit, sot e shtune, Kisha katolike kremton Zemrën e Papërlyer e Zojës së Bekuar, Zemrën e Gruas që e mëson çdo të krishterë ta ndjekë në heshtje Zotin e ta ruajë në zemër të vet gjithçka Jezusi bën ditë për ditë për të e për të gjithë njerëzit.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike romake pranë e pranë me Zemrën e Krishtit, sot e shtune, kremton festën e Zemrës së Bekuar, Zemrën e Gruas që e mëson çdo të krishterë ta ndjekë në heshtje Zotin e ta ruajë në zemër të vet gjithçka Jezusi bën ditë për ditë për të e për të gjithë njerëzit. Festa e Zemrës së Zojës, kujton zemrën e Virgjërës Mari, zemrën e Nënës plot dashuri e kujdes për gjithë bijtë e saj, që Jezusi ia besoi nga kryqi, ndërsa flijonte vetveten në gjestin më të madh të dashurisë.

Kulti i Zemrës së Zojës

Po si lindi kulti i Zemrës së Zojës? Menjëherë pas Zemrës së Krishtit, Kisha katolike kremton festën e Zemrës së Papërlyer të Marisë. Por, si lindi ky kult? Nismëtari i tij ishte shën Gjoni Eudes (1601-1680), i cili nisi ta kremtonte që në vitin 1643 me rregulltarët e Kongregatës së tij.

Në vitin 1668 festa dhe tekstet e saj liturgjike, u miratuan nga kardinali legat për gjithë Francën, ndërsa Roma refuzoi disa herë ta konfirmonte festën. Vetëm pasi nisi të kremtohej festa e Zemrës së Krishtit, në vitin 1765, u lejua të kremtohej aty-këtu edhe festa e Zemrës së Zojës.

Më 1944, Papa Piu XII e shtriu kremtimin në mbarë Kishën, për kujtim të përhershëm të ditës kur, nën papninë e tij, më 1942, ia kushtoi mbarë botën Zemrës së Papërlyer të Zojës. Ky kult pati një nxitje të fuqishme posaçërisht pas dukjeve të Fatimës, më 1917, kur Zoja kërkoi shprehimisht që Rusia t’i kushtohej Zemrës së Saj të Papërlyer, zë qiellor, ende i pa dëgjuar.  

Udha e Virgjërës Mari

Kisha ua tregon të gjithëve rrugën e Virgjërës Mari,  që e provoi në zemër të vet ç’do të thotë ta duash Jezusin, duke u shkëputur nga vetvetja e duke i dhënë kuptim të ri lidhjeve familjare, nisur nga besimi në Të.

Gjatë lundrimit tonë të përbashkët në detin e historisë, kemi nevojë për ‘drita shprese’, për njerëz që e marrin dritën nga Krishti e na japin, kështu, drejtimin për shtegtimin tonë. E kush më mirë se Maria mund të jetë për ne “Yll i shpresës”? Duke iu përgjigjur ‘po’ ftesës së Hyjit Krijues, Maria krijoi kushtet që shpresa e njerëzimit të bëhej realitet, në botë e në histori. Përmes Saj Hyji u mishërua, u bë një nga ne, e nguli banesën mes nesh. Prandaj, përplot me besim bijnor, t’i themi Zemrës së Zojës Bekuar:

Virgjër e Nënë, ti që, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt,
e pranove Fjalën e jetës në thellësi të fesë sate të përvujtë,
ti, që iu dhurove me mish e shpirt të Amshuarit,
ndihmona ta themi ‘po’-në tonë në këto kohë,
kur duhet të nxitojmë, më shumë se kurrë
për ta bërë të kumbojë rishtas, me forcë, Lajmin e Mirë të Jezusit.

Na e nxirr hirin që shpirti të na ndizet flakë nga dëshira
për t’ua çuar të gjithëve Ungjillin e jetës,
kumtin e fitores mbi vdekjen!

Na e jep guximin shenjt të kërkojmë shtigje të reja,
që të gjithë ta marrin dhuratën e bukurisë pa perëndim.

Yll i Ungjillëzimit të ri, ndihmona të shndrisim në dëshminë e bashkimit,
të shëlbimit, të fesë së flaktë e të fisme,
të drejtësisë e të dashurisë për të varfërit,
që gëzimi i Ungjillit të arrijë deri në skajet më të largëta të tokës,
e asnjë skutë e harruar të mos mbetet pa dritë.

Nënë e Ungjillit të gjallë, ti gurrë gëzimi për të vegjëlit,
të mjeruarit, të munduarit, të shtypurit nën thundër e përdhunës:
Lutu për ne!

  • “Na mëso, o Mari, të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me ty;
  • na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit.
  • Ti, Yll i shpresës, që na pret zemërdredhur në dritën e paperëndim të atdheut të amshuar,
  • shkëlqe mbi ne e na prij në të përditshmen tonë, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!
20 qershor 2020, 11:32