Hapën dyert Muzetë e Vatikanit: ditë feste për banorët e Romës

Në orën 10 të ditës së djeshme, vizitorët e parë, me maskë e fletë prenotimi në dorë, u kthyen në Muzetë e Vatikanit, të cilët i hapën sërish dyert, pas mbylljes 3-mujore, për shkak të koronavirusit. Dje, hynë 1600 vetë e panë qetësisht, në siguri, të gjitha kryeveprat.

R.SH. - Vatikan

Ishte ditë feste dje për Muzetë e Vatikanit, që i hapën dyert për vizitorët, pas 80 ditësh mbylljeje, për shkak të koronavirusit. Të parët, që hynë për të parë kryeveprat e ruajtura në to, ishin 1600 vetë, kryesisht familje nga Roma dhe Lazio. Por, siguron drejtoresha, Barbara Jatta, prenotimet janë të shumta edhe për ditët e ardhshme, kur do të hapen Kopshtet e Vatikanit dhe Vilat Papnore të Castel Gandolfo-s.

Vizitorë me maskë, në Kapelën Sikstine
Vizitorë me maskë, në Kapelën Sikstine

Kryeveprat botërore shijohen pa turmën

 “Sidomos faza e parë – shpjegon drejtoresha – është kohë e jashtëzakonshme, që u lejon njerëzve t’i vizitojnë Muzetë në qetësi të plotë. Grupet nuk mund t’i kalojnë 10 vetët, për të respektuar rregullat shëndetësore, prandaj, vizitorët do të kenë mundësi t’i shijojnë koleksionet universale, që ruhen në këto salla, në një mënyrë vërtet unike. Deri tani, kanë mundur t’i shohin kështu vetëm pak të privilegjuar. Fluksi i madh i publikut, që kemi pasur në të kaluarën, nuk lejonte t’i shihje e t’i vlerësoje në këto kushte. Edhe sikur të mendojmë vetëm këtë, ia vlen t’i vizitosh Muzetë, por ditët e ardhshme, do të hapen Kopshtet e Vatikanit e Vilat Papnore të Castel Gandolfo-s, me lulishtet e tyre e me Pallatin apostolik. Do të jenë gjëra të bukura për t’u vizituar gjatë kësaj vere në Romë”.

Kjo, faqja e internetit për prenotimet: http://www.museivaticani.va/content/museivaticani/it.html

02 qershor 2020, 10:37