Kërko

Vatican News

Gjon Pali II dhe shtëpia e tij atërore: monedha vatikanase për 100-vjetorin e lindjes

Drejtori i Institucionit emetues të monedhave në Vatikan, Mauro Olivieri, shpjegon se ka hyrë në qarkullim një monedhë e jashtëzakonshme prej 2 eurosh, për të kremtuar 100-vjetorin e lindjes së shën Gjon Palit II.

R.SH. - Vatikan

Këtë vit kremtohet 100-vjetori i lindjes së shën Gjon Palit II, në Wadowice të Polonisë, më 18 maj 1920. Zyra Numizmatike e Vatikanit emetoi, me këtë rast, një monedhë përkujtimore prej 2 eurosh. Siç nënvizon drejtori i Institucionit emetues të monedhave në Vatikan, Mauro Olivieri, përvjetoret më të rëndësishme përkujtohen pikërisht me këto lloj monedhash e jo me monedha ari apo argjendi, sepse kështu, sigurohet përhapja e tyre më e madhe. Në këtë rast, për ditëlindjen e Papës polak, janë prodhuar 70 mijë ekzemplarë.

Shteti i Vatikanit dhe monedha e tij

Jo të gjithë e dinë se Vatikani ka euron e tij. Çdo vit ai emeton monedha prej 1, 2, 5, 10, 20, 50 qindarkash dhe prej 1 e 2 eurosh. Emetohen edhe monedha argjendi e ari prej 5, 10, 20, 50, 100 dhe 200 eurosh, me vlerë numizmatike. Çdo vit, emetohen monedha të jashtëzakonshme për të përkujtuar ngjarje të veçanta (p.sh. Sinodi i Ipeshkvijve), si edhe monedha përkujtimore për përvjetorët, që lidhen me jetën e papëve dhe të shenjtorëve. Për shembull, në vitin 2015, u emetua një monedhë me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Gjon Palit II; më 2018, një monedhë tjetër përkujtoi 40-vjetorin e vdekjes së Papës Pali VI dhe të Papës Gjon Pali I, si edhe 50-vjetorin e vdekjes së Shën Piut nga Pietrelçina. Gjithashtu, monedha të tilla emetohen në përvjetorët e ngjarjeve të veçanta, ose me rastin e botimit të dokumenteve papnore. Për shembull, në vitin 2019, u prodhua një monedhë prej 2 eurosh për të përkujtuar 25-vjetorin e përfundimit të punimeve për mirëmbajtjen e Kapelës Sikstine.

Monedha 2 euro për ditëlindjen e shën Gjon Palit II

Drejtori Mauro Olivieri shpjegon për agjensinë katolike italiane ACI Stampa se vizatimi i stampuar në monedhë, i është besuar skulptores italiane Gabriella Titotto, e cila, prej vitesh, bashkëpunon me Zyrën Numizmatike të Vatikanit. Para së gjithash, shihet figura e Gjon Palit II, ngjitur me fasadën e kishës së Wadowice-s, ku u pagëzua Karol Wojtyła. Shihet edhe shtëpia e tij atërore. Pastaj, një yll me tetë cepa që përfaqëson Nënën e Zotit: Gjon Pali II, Papa i “Totus tuus”, ia pati besuar gjithë papninë e tij Marisë. Por skulptorja i jep edhe një kuptim tjetër yllit. Sipas profecisë së Malakisë, Gjon Pali II duhet të ketë qenë “De labore Solis” (I mundimeve të diellit). Ka teori, sipas të cilave, si në ditën e lindjes, ashtu edhe në ditën e vdekjes së Papës Wojtyla, dielli është eklipsuar pjesërisht. E kjo është arsyeja, që e sheh atë si  “Papën e eklipsit diellor”. Megjithëse profecitë e Malakisë janë vetëm profeci mesjetare dhe nuk mund të trajtohen si dokument historik, duhet pranuar se motot e papëve të ndryshëm i përshkruajnë ata mjaft besnikërisht.

Dalja e monedhës, më 23 qershor

Nën figurën e Papës ka edhe gjethe dafinash. Dega e dafinës, shpjegon më tej Olivieri, simbolizon lavdinë e shenjtorëve. Në artin paleokristian, monograma e Krishtit rrethohej nga kurora e dafinave e, më vonë, ky element dekorativ mbeti. Monedha për 100-vjetorin e lindjes së shën Gjon Palit II duhej të hynte në qarkullim gjatë muajit maj, me rastin e ditëlindjes, më 18 maj, por, për shkak të epidemisë së koronavirusit, dalja u shty për një muaj, prandaj, ajo u shpërnda më 23 qershor. 

26 qershor 2020, 08:53