Kërko

2016-03-26 messa veglia di Pasqua  2016-03-26 messa veglia di Pasqua  

Dita për shenjtërimin e klerit, mё 19 qershor, në festën e Zemrës së Krishtit

Në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet edhe Dita për shenjtërimin e klerit, themeluar nga Gjon Pali II në vitin 1995. Kjo ditë ka për qëllim që të lutemi për shenjtërimin e klerit dhe që i gjithë populli i Zotit, natyrisht edhe meshtarët, të fitojnë vetëdijen se meshtaria është e pazëvendësueshme. Shëlbimi kalon nëpër meshtarinë, për të arritur tek të gjithë.

R.SH. - Vatikan

Tё premten, më 19 qershor, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet edhe Dita për shenjtërimin e klerit, themeluar nga Papa Gjon Pali II në vitin 1995, kur duke pranuar propozimin e Kongregatës së Vatikanit për Klerin, caktoi datën vjetore të Ditës së Shenjtërimit për Klerin. Që atëherë kjo Ditë kremtohet në solemnitetin e Zemrës së Krishtit ose në ndonjë datë tjetër të rëndësishme, sipas mundësive ose traditave vendase.

Pra, Dita kur kremtohet  festa e Zemrёs sё Krishtit, përkon me Ditën e Shenjtërimit Meshtarak, është rast për t’u lutur e për t’u bashkuar si meshtarë e, akoma më shumë, për të rizbuluar e për të rigjallëruar dhuratën e meshtarisë. Për këtë flet shumë shpesh Papa, i cili dëshiron barinj shpirtëror me zemrën e Krishtit në kraharor, në shërbim të popullit të Zotit.

Si nё tё gjitha Kishat dioqezane a to kombёtare, kudo nё botё, edhe nё Shqipёri, në ditën e shenjtërimit meshtarak, me rastin e festës së Zemrës së Krishtit, mbahet takimi i pёrvitshёm i klerit të të gjithë dioqezave të vendit. Takim organizohet nga Komisioni i Konferencёs episkopale për klerin dhe rregulltarët.

Kjo ditëpara së gjithash është mundësi për një kohe lutjeje e reflektimi, që paraqet së paku tre aspekte. Së pari, pikërisht qendërsinë e lutjes: duke u lutur së bashku. Meshtarët kujtojnë se shërbesa e tyre nuk rrënjoset në gjërat që duhen bërë e se, pa lidhje personale me Zotin, rrezikohen të zhyten në punë aq, sa ta harrojnë Jezusin. Aspekti i dytë është zbulimi i vlerës së dioqezanitetit, sepse nuk mund të jesh meshtar i pavarur, i vetëm. Je gjithnjë pjesë e familjes së meshatarëve, rreth ipeshkvit, duke përtëritur angazhimet e duke kapërcyer keqkuptimet, të cilat shpesh herë i pengojnë meshtarët të jetojnë me frymën e bashkimit e të harmonisë në fushën baritore. Së fundi, përmes çasteve të reflektimit dhe të verifikimit, kjo ditë synon t’i ndihmojë meshtarët të rizbulojnë thelbin e identietit të tyre dhe domethënien e shërbimit të tyre ndaj popullit të Zotit.

Po më tepёr per Ditёn kushtuar shenjtërimit te klerit, flet Kryependestari i Pendestarisё Apostolike, kardinalin Mauro Piacenza.

Hiresia juaj, pse kjo Ditë përkon gjithnjë me solemnitetin e Zemrës së Krishtit?

Zemra, e dimë të gjithë, është simbol i ndjenjave. Sapo shikojmë zemrën në një pikturë, mendojmë menjëherë për dashurinë, për ndjenjat që e bëjnë të rrahë atë zemër. Zemra e Krishtit është simboli i dashurisë baritore për shpirtrat. Kur e shikojmë Zemrën e Krishtit, na vijnë menjëherë në mendje fjalët: “Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Atëherë meshtari e ndjen se duhet, se pritet si mik: “Nuk do t’ju quaj më shërbëtorë, por miq” u thotë Krishti meshtarëve të tij e apostujve të tij; e atëherë meshtari ndjen se e kuptojnë edhe kur është krejt i vetëm, ose kur jeton dramën e moskuptimit, në sa përpiqet të komunikojë vlerat në një shoqëri të shekullarizuar, ku zëri i tij shpesh humbet mes zhurmave. E kjo për meshtarin është shkollë, ku nxë mësimin e dashurisë baritore, për t’u bërë ai vetë strehë e shpirtrave. Edhe vetë pamja e meshtarit, veshja e mënyra si mbahet, duhet të jetë një shenjë që i flet besimtarit për qëndrimin e tij atëror, për mikpritjen, mirëkuptimin, për sigurinë se meshtari është strehë për të gjithë e në çdo rrethanë. Mendoj se shkollë e veçantë është edhe ajo që të jesh rrëfyes i mirë, për të mbarështuar mëshirën e Zotit.
 
Si duhet të jetë figura e meshtarit që pret sot bashkësia e krishterë?

Meshtari që pret bashkësia e krishterë është, mbi të gjitha, njeri i Zotit. Bashkësia pret të shikojë në jetёn e njё meshtari figurën e Famullitarit të shenjt të Arsit, shёn Gjon Vianejt apo atё tё Shën Gjon Boskut. Natyrisht secili ka karakterin e vet, por kjo nuk e përjashton, përkundrazi e thellon, kërkesën për të parë në të vetë Zotin. Kur e pyesnin ndokënd, që kthehej nga takimi me Shën Gjon Vianejn, famullitarin e Arsit: “Ke shkove të shikosh?”, përgjigjej: “Shkova të shikoj Zotin në një njeri”. Besojmё se edhe laikët, kur flitet për meshtarin apo kur duan t’ia hapin zemrën dikujt, kërkojnë pikërisht njeriun e Zotit.
 
Cilat janë sfidat kryesore për meshtarët e sotëm?

Sigurisht janë sfidat për të cilat flet shpesh Papa, sfida e mondanitetit, e shekullarizimit, e relativizmit, e mendimit të ligsht, shumë e përhapur në kulturën e masës, e indiferentizmit, e mungesës së aftësisë për ta parë realitetin me sy kritik, duke dalluar në të të mirën nga e keqja. Në këto rrethana, meshtari nuk duhet të ecë pas botës, por pas Jezu Krishtit Zot, duhet të dijë t’i përballojë e t’i shikojë sfidat me syrin e Zotit, të dashurisë së tij dhe me pasion për misionin qё ka.
 
A mund të themi se meshtari shenjt edukon besimtarë të shenjtë?

Kjo pyetje flet për shkëmbimin e shenjtërisë. Sa më i shenjt të jetë meshtari, aq më të shenjtë bëhen ata, për të cilët ai kujdeset shpirtërisht. Është një lloj si burimi i ngrohtësisë: në se në një dhomë është i ndezur kaloriferi, ndjehet menjëherë ngrohtësia. Prandaj në këtë Ditë, besimtarët duhet të luten posaçërisht që meshtarët e tyre qё t’i përngjasin sa më shumë Krishtit dhe Zemrës së Tij Përdëllyese.

17 qershor 2020, 12:35