Memoriali Yad Vashem Memoriali Yad Vashem 

David: Gjon Pali II për marrëdhëniet hebraiko-katolike

“I pamasë, kontributi i Gjon Palit II për marrëdhëniet hebraiko-katolike, që arritën në nivele të papara”. Kështu e kujton ambasadori i Izraelit pranë Selisë së Shenjtë, Oren David, Papën Gjon Pali II, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes.

R. SH. - Vatikan

“I pamasë, kontributi i Gjon Palit II për marrëdhëniet hebraiko-katolike, që arritën në nivele të papara”. Kështu e kujton ambasadori i Izraelit pranë Selisë së Shenjtë, Oren David, Papën Gjon Pali II, me rastin e njëqindvjetorit të lindjes. Në një artikull, botuar në Jeruzalem Post e përsëritur edhe në Twitter, ambasadori i Izraelit pranë Selisë Shenjtë,  nënvizon se Gjon Pali II ishte Papa i parë (1986), që vizitoi një sinagogë e që i thirri hebrenjtë “vëllezërit tanë të mëdhenj”. Të panumërta, pastaj, qëndrimet dhe dënimet kundër antisemitizmit, të cilin e quajti “mëkat kundër Zotit e kundër njerëzimit” si dhe kërkimi i faljes popullit hebraik “për të gjitha vuajtjet e shkaktuara nga Krishterimi”. “Është më se simbolik fakti që marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shtetit të Izraelit e Selisë së Shenjtë u lidhën më 1994, nën papninë e Gjon Palit II, në vijim të Marrëveshjes themelore, nënshkruar më 30 dhjetor 1993”.

“Historike”, edhe vizita në Shtetin e Izraelit, më 21 mars 2000, gjatë Jubileut të Madh, një pikë referimi në marrëdhëniet tona, duke pasur parasysh natyrën zyrtare të tyre si dhe gjestet simbolike kuptimplota të rastit. Në artikullin e tij, ambasadori David e kujton akoma Gjon Palin II në Murin perëndimor e në Yad Vashem, çaste që - shkruan - patën një ndikim të jashtëzakonshëm mbi një mori njerëzish në Izrael, të cilët u bënë të vetëdijshëm për ndryshimet kryesore të qëndrimeve të Kishës ndaj popullit hebraik dhe hebraizmit, pas dokumentit konciliar “Nostra Aetate”. Pavarësisht nga rezultatet dhe përpjekjet e bëra, antisemitizmi mbetet ende  “sfidë për t’u përballuar së bashku, në të gjitha format e tij”, siç  na e kujton marrëveshja themelore ndërmjet Izraelit e Selisë së Shenjtë e 30 dhjetorit 1993 - pohon akoma ambasadori, sipas të cilit “është e nevojshme të vihet në jetë Nostra Aetate, për të denoncuar e për të dënuar antisemitizmin, duke e vënë në qendër të vëmendjes si të klerit, ashtu edhe të besimtarëve”. Prej këndej, urimi që Selia e Shenjtë të bashkohet me “International Holocaust Remembrance Alliance”, themeluar  më 1998  me synim që të promovohet edukimi, studimi e kujtimi i Holokaustit. “Një hap domethënës - përfundon David - që do të jetë në përkim me dënimin e antisemitizmit nga ana e Gjon Palit II, ashtu si dhe nga ana e Papës Françesku, për të cilin  fenomeni i kundërvihet Krishterimit dhe rrënjëve të tij hebraike”.

08 qershor 2020, 11:19