Kërko

2020.05.06 Caritas internationalis appello  2020.05.06 Caritas internationalis appello  

Kard. Turkson, "koronavirusi sfidë për t'u përballuar së bashku nga të gjithë”

Kardinali Turkson, "me sfidën e Covid-19 duhet të përballemi të gjithë së bashku, sepse komuniteti ynё është një komunitet fatesh". Kështu që e ardhmja, siç thotë Papa, kalon nëpërmjet "promovimit tё dinjitetit të çdo njeriu dhe pёrmes njё zhvillimi të qëndrueshëm". "Përfshirja, solidariteti e vëllazëria", shpjegoi kardinali Turkson, janë fjalët kyçe të ‘Komisionit Covid-19’ themeluar nga Papa.

R.SH. - Vatikan

U mbajt sot nё Romё takimi i Dikasterit tё Selisё sё Shenjtё për Shërbimin e Zhvillimit tё  Gjithanshëm Njerëzor me mediat e Vatikanit, transmetuar drejtpërsëdrejti në streaming. Tema qendrore e takimit, si po përgatiten Kishat lokale për periudhën pas-pademisë Covid-19. Morёn pjesё drejtuesit e Dikasterit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Caritas Internationalis.

Pandemia është një ngjarje botёrore që ka shkallmuar stabilitetin edhe ashtu të pasigurt të një realiteti tejet të brishtë ndërkombëtar, duke përfshirë të gjitha realitetet dhe sektorët e jetёs shoqërore. Para kёtij skenari, Kisha ndjehet edhe më shumё e thirrur të veprojë në pesë kontinentet nëpërmjet një veprimi, sa më tё përhapur e tё aftë, për të arritur deri tek realitetet më të varfra e tё largëta. Themelor nё drejtim, veprimi i Karitasit i cili, së bashku me Kishat vendore, nxit projektet tё ndryshme ndihme. Objektivi i parë është rivendosja e dinjitetit, përmes ndihmave ushqimore dhe ilaçeve shëndetësore, si sapuni. Pastaj, informacionet e nevojshme për të kontrolluar e ndaluar sa mё shumё përhapjen e virusin. . Dinjiteti, informacioni e vёllazёrimi janё tri fushat kryesore qё karakterizojnё punёn e Kishёs nё periudhёn pas Covid-19.

"Kovid-19 na tregoi se njerëzimi është i ndërlidhur, se ёshtё i lidhur me lidhje solidariteti dhe se frika e tjetrit kapërcehet me afërsi e butësi" tha kardinali Peter K. A. Turkson, Prefekt i Dikasterit tё Selisë sё Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimit tё  Gjithanshëm Njerëzor, gjatë një takimi të sotëm të këtij Dikasteri me mediat e Vatikanit, transmetuar drejtpërdrejt nga Roma, mbi temën: "Përgatitja e sё ardhmes përmes bashkëpunimit tё ngushtë me Kishat lokale në kohën e Covid-19".  

Në një botë "me shpejtësi të ndryshme", teza e kardinalit Turkson ёshtё se, " me sfidën e Covid-19 duhet të përballemi të gjithë së bashku, sepse komuniteti ynё është një komunitet fatesh". Kështu që e ardhmja,  siç na thotë Papa Françesku, kalon nëpërmjet " nxitjes sё dinjitetit të çdo qenieje njerëzore dhe pёrmes njё zhvillimi të qëndrueshëm". "Përfshirja, solidariteti dhe vëllazëria", shpjegoi kardinali Turkson, janë fjalët kyçe të ‘Komisionit Covid-19’ themeluar nga Papa Françesku. "Çdo njeri, të gjithë, pa dallim, na përkasin, Zoti e krijoi familjen njerëzore në vëllazëri", kujtoi kardinali, duke saktësuar se kjo fjalë e fundit "do të thotë të kesh një ndjenjë të përbashkët të dinjitetit që ka çdo njeri, përtej të gjitha dallimeve".

Tё ndërtosh të ardhmen, shtoi nën-sekretari i Dikasterit tё Selisë sё Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimit tё  Gjithanshëm Njerëzor, mons. Segundo Tejado Munoz, "do të thotë tё ballafaqohesh jo vetëm me pandeminë e Covid-it, por edhe me të gjitha pandemitë tjera që ekzistojnë në botë, duke filluar nga varfëria e deri te lufta", sikur na porosit Papa; nga këtu rëndësia e ‘Komisionit Covid-19’ për t'u ballafaquar me këtë pasojat e pandemisё në kuadrin e një kohe afatgjatë, që shkon përtej emergjencës.

Rolin e Caritas Internationalis e ilustroi Sekretari i përgjithshëm, Aloysius John, i cili shpjegoi se si projektet qё janё nё zhvillim e sipёr – fryt i marrëveshjes dhe bashkëpunimit të Caritas Internationalis me Kishat vendore dhe organizatat fetare – kanё pёr qёllim sidomos për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut, "në radhë të parë tё atyre personave që janë më të ndjeshëm e mё tё brishtë, si fëmijët e gratë". "Sot tё ndihmosh do të thotë tё krijosh kushte për një të ardhme më të mirë," tha John, i cili ndёr viset mё tё prekura tё Afrikёs nga Covid-19 pёrmendi Afrikën e Jugut, Somalinë dhe Sudanin Jugor. Caritas Internationalis, mes tjerash, ёshtё duke çuar përpara projektet e posaçme edhe për emigrantët, qё janё "ndër kategoritë më të brishta e mё tё rrezikuara nga Covi-19, sepse nuk kanë një vend ku të strehohen".

Në Afrikë, në veçanti – njoftoi Sekretari i përgjithshëm i Caritas Internationalis  John - " problemi kryesor është identifikimi i njerёzve tё prekur nga Covid-19. Kisha afrikane është e impenjuar nё vijën e parё tё frontit, ёshtё mjaft e pranishme edhe në media, kështu që po përpiqemi t’u japim njerёzve, sa më shumë të jetë e mundur, njoftimet e nevojshme, udhёzime pёr t’u mbrojtur nga infektimi, edhe nëpërmjet mediave sociale e katekizmit".

"Ne nuk mund të ndalojmë largimin e emigrantëve, por duhet të kujdesemi për ta", theksoi mes tej kardinali Turkson, i cili kujtoi vëmendjen tradicionale të Kishës ndaj atyre që lëvizin e largohet nga toka e tyre, që nga Mesjeta e deri mё sot.

Veprimtaritë tjera humanitare të Caritasit në Afrikë janё ato qё ofrojnë materiale ushqimore e higjienike pёr tё varfrit e nevojtarët, duke filluar nga sapuni.

Kujtojmё se ‘Komisioni Kovid-19’ u krijua më 15 prillin e kaluar nga Papa Françesku dhe bashkëpunon me Dikasterin e Vatikanit për Shërbimin e zhvillimit integral njerëzor, Caritas Internationalis e Dikasteret tjera të Kuries Romake, si Dikasteri vatikanas i komunikimit dhe seksioni i dytë i Sekretarisë së Shtetit tё Selisё sё Shenjtё.

‘Komisioni Covid-19’ përbëhet nga 5 grupe pune. Grupi i parë punon për emergjencën bashkë me Karitasin Ndërkombëtar. Dëgjon Kishat lokale, për të kuptuar nevojat dhe për t’i ndihmuar në përgjigjet qё priten nga terreni. Bashkёpunon edhe Nuncët Apostolik (ambasadorët e Vatikanit) e Konferencat Ipeshkёvnore vendore që sinjalizojnë çështjet  e nevojave shëndetësore dhe humanitare, që kërkojnë njё ndërhyrje të menjëhershme. Grupi i dytë ka për detyrë të jetë roje në fushën e ekologjisë, të ekonomisë, të shëndetit, të sigurisë shoqërore. Ky grup ka një bashkëpunim të ngushtë me Akademinë Papnore për Jetën, me atë të Shkencave dhe me atë të Shkencave Shoqërore. Grupi i tretë ka për detyrë tё komunikojë veprimtarinё e Komisionit Covid.19, përmes mediave, ka për detyrë të ndërgjegjësojë e t’u bëjë thirrje tё gjithёve për një impenjim të pёrbashkёt. Grupi i katërt, i koordinuar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, merret me të gjitha nismat e mundshme që lidhet me marrëdhëniet me shtetet dhe me marrëdhëniet shumëpalëshe. Grupi i pestë, me transparencë, punon pёr gjetjen e fondeve tё nevojshme, duke promovuar një qarkullim virtuoz të pasurisë. Tashmё janё  bërë hapat e para, por jemi tё vetëdijshëm se ka shumë për të bërë.

Gjithçka, sipas kardinali Turkson, do të bëhet në bashkëpunim me Kishat vendore, e kujtoi se “Papa Françesku ka shprehur shqetësimin e tij për kohën e sotme, për krizën globale që ёshtё krijuar nga Covid-19 dhe për skenarët dramatikë që kemi përpara e qё përvijohen në horizont. Papa – kujtoi akoma kardinali Turkson - na tha të mos humbim kohë, të vihemi menjëherë në punë, pasi ne si Dikaster i Vatikanit jemi pikë referimi pёr Komisionin Covid-19 e pёr koordinimin e ndihmave.

Prandaj, duhet të veprojmë menjëherë. E menjëherë, duhet të mendojmë edhe për të ardhmen. Ati i Shenjtë Bergolgio na besoi dy detyra kryesore. E para ka të bëjë me të sotmen, me nevojën për të dhënë menjëherë një shenjë konkrete të mbështetjes e ndihmёs së Atit të Shenjtë e të Kishës. Është fjala për të vepruar në përkrahje të Kishave vendore, që të shpëtohen jetë njerëzish, që të ndihmohen më të varfërit. Detyra e dytë ka të bëjë me të ardhmen, me ndryshimin, me pёrmirёsimin e kushteteve tё jetёs pёr njerёzit mё tё bishtё tё shoqёrisё.

Papa është i bindur se gjendemi para një ndryshimi epokal e, pas emergjencës Covi-19, kemi para nesh pasojat ekonomike e shoqërore të pandemisë, prandaj Kisha dёshiron tё ofrojë kontributin e saj. Papa na kërkoi të jemi konkretë e krijues, të mbështetemi në shkencë e të kemi imagjinatë, krijimtari, mendim e vizion universal si dhe aftësi për t’i kuptuar nevojat lokale.

09 qershor 2020, 16:27