Kërko

CORRECTION-GERMANY-POPE-RELIGION-HEALTH CORRECTION-GERMANY-POPE-RELIGION-HEALTH 

Benedikti XVI: njeri i brishtë - po teolog vigan

Nё Regensburg: në një konferencë shtypi, ipeshkvi Voderholzer pas nisjes së Papës të nderit Ratzinger drejt Romës, e kujtoi Benediktin XVI me fjalët: “njeri i brishtë, po teolog vigan”.

R.SH. - Vatikan

Pak pas nisjes së Papës së nderit Benedikti XVI drejt aeroportit të Romës Ciampino, të hënën e kaluar më 22 qershor 2020, ipeshkvi i Regensburgut, imzot Rudolf Voderholzer, që e mikpriti dhe organizoi vizitën e Benediktit tek i vëllai Georg i moshuar e i sëmurë, në qytetin Bayrn, mbajti një konferencë të shkurtër shtypi në oborrin e argjipeshkvisë, për të bërë një bilanc të shpejtë lidhur me qëndrimin e Papës së nderit në Regensburg.

“Mund t’ju them - pohoi prelati -  se jam shumë i kënaqur që ky takim, i dëshiruar nga të dy vëllezërit, ishte për të dy përtëritës dhe përforcues”. Imzot Voderholzer rikujtoi shkurtimisht etapat e vizitës së Benediktit XVI në Regensburg. “Vizitoi - vijoi të kujtojë - Institutin Papa Benedikti XVI, ku ruhen e dokumentohen të gjitha veprat teologjike dhe përgatitet  botimi i plotë i veprave të Tij. Në homelinë time të së dielës, e përshkrova si ‘Teologu i shekullit’ dhe më i madhi predikatar mbi katedrën e Shën Pjetrit, që nga koha e Leonit të Madh dhe e Gregorit të  Madh”.

Përballë madhështisë së teologut - vijoi ipeshkvi i Regensburgut - pesë ditët e qëndrimit të Papës së Nderit në Bavari,  treguan edhe “brishtësinë e tij”, vështirësitë që i krijon mosha e shtyrë. Gjë, e cila u ndje posaçërisht në komunikimin me fjalë, që i ngjisnin pëshpëritjes e edhe në vështirësinë për të ecur. Po jo për të menduar! Mendimet e tij ishin përsosurisht të kthjellta, kujtesa e aftësia për të komunikuar, fenomenale! Për çështjet e tjera, ia besoi vetveten të tjerëve. Duhet guxim i madh, e edhe përvujtëri e madhe, për t’u lëshuar në duart e të tjerëve e për t’u dukur ashtu në publik”.

Ngrohtësia me të cilën e priti qyteti i tij e njerëzit e tij, ajri e shtëpisë, kujtimet e fëmijërisë, e gjallëruan dukshëm Papën e moshuar. “Shtegtimi i Benediktit - komentoi akoma imzot Rudolf Voderholzer, ishte, ndoshta, edhe një lamtumirë, që i jepte tokës së tij bavareze. Mund të prekej me dorë si u përtëri, kur pa nga qelqet e dritares së autos, peizazhin e shumëdashur,  shtigjet e blerta e sidomos, njerëzit. Po të kishte mundur, do të kishte ardhur me biçikletë nga vendi i vet, Pentling, në qytetin e vjetër të Regensburgut, do të ishte ulur me të rinjtë në Sheshin Bismark, do të kishte dëgjuar me kënaqësi edhe “si merrej këndshëm nëpër gojë” nga të vetët”.  

Nga shtegtimi i Benediktit XVI, përveç aspektit historik e shpirtëror, ipeshkvi Voderholzer nënvizoi posaçërisht përmasën njerëzore: “Para syve të mi - pohoi prelati, duke shprehur emocionet e veta për takimin me Papën e Nderit - vizita e tij ishte shtegtim humanizmi. Burrin e madh, me punë të mëdha, po e takoja si burrë të brishtë e të pambrojtur, forca jetike e të cilit i mjafton tashmë vetëm për lëvizjet kryesore, që kërkon kjo botë. E kjo përvojë më preku pa masë”.

Edhe Këshilli i Përhershëm i Konferencës ipeshkvnore gjermane  deshi ta pëshëndeste zyrtarisht Benediktin XVI me një letër, në të cilën, ndërmjet tjerash, shkruhet: “Jemi shumë të kënaqur që morët mundimin  të vinit edhe një herë në atdheun tuaj bavarez. E dimë edhe sa rëndësi pati për Ju takimi me Vëllain tuaj të nderuar, protonoterin Apostolik, Georg Ratzinger. Jemi të bashkuar me Ju në fe, edhe në këto orë kaq të vështira!”.

26 qershor 2020, 10:13