Kërko

Vérgez: Muzetë e Vatikanit po përgatiten t’u hapin dyert vizitorëve

Së shpejti, Muzetë e Vatikanit do t’i hapin dyert për vizitorët, duke respektuar masat e sigurisë dhe duke e organizuar hyrjen përmes prenotimeve. Gjatë mbylljes, disa veprimtari vijuan. Intervistë me Sekretarin e përgjithshëm të Guvernatoratit: “E shohim të ardhmen me besim”.

R.SH. - Vatikan

Vizitat virtuale të Muzeve të Vatikanit do të shtohen, por kemi nevojë t’i shohim realisht bukuritë e tyre. Kështu thekson në mikrofonin tonë, Sekretari i përgjithshëm i Guvernatoratit të Vatikanit, imzot Fernando Vérgez Alzaga, i cili nënvizon se “realiteti virtual nuk mund ta zëvendësojë kurrë atë real: për t’u kënaqur me artin, duhen sy e zemër”. Muzetë janë vendet ku njerëzit grumbullohen lehtë para një pikture apo një skulpture të njohur e Vatikani ka plot të tilla. Prandaj, në periudhën e përballimit të pandemisë së koronavirusit u mbyllën krejtësisht, në pritje për t’u hapur së shpejti, gjatë së ashtuquajturës “faza 2”. Por, që të mos bëhen shkak për shtimin e numrit të të infektuarve, është e nevojshme të respektohen masat e sigurisë. Siç shpjegon imzot Vérgez, vetëm vitin e kaluar, numri i vizitorëve në Muzetë e Vatikanit arriti gati 7 milionëshin, prandaj, tani që po përgatitet hapja e tyre, për të mos krijuar grumbullime do të hyhet vetëm me prenotim e me maska. E megjithatë, edhe gjatë mbylljes, veprimtaritë nuk janë ndalur krejtësisht, siç na thotë Sekretari i përgjithshëm i Guvernatoratit, në intervistën e realizuar nga Vatican News:

I kemi mbyllur dyert për publikun me vetëdijen se mbrojtja e shëndetit vjen para çdo gjëje tjetër. Prandaj, gjatë periudhës së fundit prej një muaji e gjysmë, vendosëm të vijonim vetëm veprimtaritë thelbësore, për të cilat është e mjaftueshme të punojnë 30 vetë në ditë. Është një përqindje shumë e ulët, po të mendohet se “familja” e punonjësve dhe e bashkëpunëtorëve të Muzeve arrin në njëmijë vetë - rojtarët, historianët e artit, restauratorët, personeli administrativ e ai i firmave të shërbimeve. Gjatë dy javëve të fundit, rifilluam edhe veprimtari të tjera. Na duhet t’i japim mundësi personelit të mësohet me protokollet e reja të sigurisë e të verifikojmë ç’duhet ndryshuar përpara këtij skenari të paparë, siç është koha që po jetojmë.

Si po e përballojnë Muzetë këtë krizë e ç’qëndrim do të mbajnë para krizës ekonomike të muajve të ardhshëm?

Para së gjithash, garantuam pagën e gjithë personelit. Kujdes ky, që ishte shprehje e vullnetit të patundur të Atit të Shenjtë. Së dyti, menjëherë shmangëm të gjitha shpenzimet jo-urgjente. Si në çdo familje të mirë, tani është koha për të kursyer dhe për të eliminuar çdo gjë të tepërt, për të bërë disa sakrifica, duke pritur kohë më të mira. Mund të them që Muzetë e Vatikanit janë një institucion i qëndrueshëm, edhe nga pikpamja ekonomike. Kjo na lejon ta shohim të ardhmen me besim.

Këto ditë, të gjithë muzetë u jepnin mundësi vizitorëve t’i shihnin bukuritë e tyre përmes internetit. Vizitorët virtualë janë në rritje. A do ta shtoni këtë lloj komunikimi me publikun edhe në të ardhmen?

Këta dy muaj ishin muaj të heshtur për ne. Pamë Papën Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit bosh. Çdo ditë i shohim sallat dhe galeritë e Muzeve bosh, pa njerëz. Heshtja të nxit për lutje. Prandaj, preferuam të rrimë pak mënjanë, ta reduktojmë komunikimin në minimum për të dhënë dëshmi në këtë drejtim. Sidoqoftë, për ata që duan, në faqen zyrtare të internetit propozojmë disa vizita virtuale të Muzeve, përfshirë Kapelën Sikstine. Që prej disa muajsh, është aktiv edhe një profil Instagram zyrtar @vaticanmuseums, ku çdo ditë paraqesim një vepër nga koleksionet papnore. E kohët e fundit, e kemi bërë këtë edhe në bashkëpunim me Vatican News. Por, më lejoni të them se kemi shumë nevojë për realitetin, kemi nevojë të dëshpëruar për të. Të mos harrojmë se Muzetë bëhen të gjalla nga njerëzit e se vetëm përvoja reale e Muzeve i gjallëron personat. Realiteti virtual nuk mund ta zëvendësojë kurrë atë real: për t’u kënaqur me artin, duhen sy e zemër, jo ekrane për t’u prekur me gisht (ose të paktën, jo vetëm ata).

Në fazën 2, të gjitha muzetë po përgatiten t’i hapin dyert për publikun. Ju, a jeni gati?

Akoma nuk e kemi të sigurt datën e hapjes. Natyrisht, përgatitja nis që më parë, nga brenda. Kemi aktivuar protokollet shëndetësore për personelin: kur mbërrijnë, u matet temperatura dhe u dorëzohen doreza e maska. Drejtoria e Shëndetit dhe e Higjienës e Guvernatoratit na ka dhënë dekalogun për normat e higjienës dhe të distancimit fizik, të cilat duhet t’i ndjekim të gjithë me përpikmëri. Për publikun në hyrje, po përfundojmë instalimin e disa termoskanerëve për matjen e temperaturës. Në Muze mund të vihet vetëm përmes prenotimit. Kjo do të na lejojë t’i shtrijmë hyrjet gjatë gjithë orarit të hapjes. Vizitorët duhet të kenë maska. Kur të konfirmojmë prenotimin do të japim të gjitha informacionet e nevojshme, të cilat do të publikohen edhe në faqen e internetit. Fillimisht, vizitorët do të jenë më tepër nga qyteti i Romës. Madje, bëj timen thirrjen e ish-drejtorit të Muzeve të Vatikanit, prof. Antonio Paolucci: “Romakë, merrni sërish në dorë Muzetë tuaj. Muzetë e Vatikanit kanë lindur si Muze të qytetit të Romës”. Do të mund të vizitohen edhe Kopshtet e Vatikanit, Villat Papnore të Castel Gandolfo-s së bashku me Kopshtet e mrekullueshme të Vilës Barberini.

11 maj 2020, 10:52