1589798858762.jpg

Vatikani: dezinfektimet e fazës 2 të pandemisë dhe rreziku për veprat e artit

Nga Këshilli Papnor për Kulturën, një dokument që, në kohë emergjence shëndetësore, synon të japë disa këshilla për ruajtjen dhe administrimin e një trashëgimie të çmuar, e cila mund të dëmtohet nga përdorimi pa kriter i dezinfektuesve, ose nga zbatimi i procedurave të pasakta.

R.SH. - Vatikan

Të sensibilizohen përgjegjësit për ruajtjen dhe administrimin e trashëgimisë kulturore, që të shmangen dëmtimet e mundshme të shkaktuara nga përdorimi i papërshtatshëm i produkteve dezinfektuese, ose nga zbatimi i procedurave të pasakta. Ky është objektivi i rekomandimeve të Këshillit Papnor për Kulturën, në fazën e dytë të përballimit të pandemisë së koronavirusit, kur duhen dezinfektuar edhe kishat, të cilat kanë shumë vepra arti e objekte të çmuara kulturore.

          Në dokumentin, që përmban këshillat vatikanase, vërehet se kanë ardhur sinjalizime për pastrimin e dezinfektimin e objekteve të artit me produkte, që i gërryejnë, i zbardhin, ose lënë mbetje, që i prishin ato. Për këtë arsye, ato nuk duhen përdorur në komplekset monumentale, ndërtesat historike, vendet arkeologjike, objektet, pëlhurat dhe qëndisjet me vlerë, sepse mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme.

          Këshilli Papnor për Kulturën jep kështu disa orientime, duke u kërkuar përgjegjësve të pastrimit e të dezinfektimit të pyesin më parë ekspertët. “Sapuni – shkruhet në dokumentin e tij - është dezinfektues i mirë për Covid-19”, prandaj mbi sipërfaqe e dysheme është mirë të përdoren “solucione të holluara hidroalkoolike, ose sapunë neutralë, duke ushtruar presion në mënyrë të kontrolluar dhe sipas këshillës së ndonjë tekniku të ruajtjes së trashëgimisë kulturore”. Këshillohet përdorimi i dorezave, maskave dhe rrobave, që mund të lahen pas pastrimit të objekteve. Nuk është i përshtatshëm përdorimi i tymosjes dhe i spërkatjes, pasi në kishat e mbyllura prej dy muajsh, ka pak mundësi që virusi të ketë mbijetuar. Gjithashtu, duhen ajrosur “hapësirat, si për sigurinë dhe shëndetin e punonjësve dhe të besimtarëve”, ashtu edhe “për ruajtjen e trashëgimisë kulturore”.

Përsa i përket pasurive të luajtshme, nëse ka dyshime për praninë e koronavirusit, këshillohet zhvendosja, ose kufizimi i tyre për të paktën 14 ditë. Asnjëherë nuk duhet dezinfektuar një vepër arti, një objekt historik, ose një dokument, me alkool, ose produkte për pastrim. Ndërsa, për objektet pa ndonjë interes historik, siç mund të jenë kangjellat, dorezat e derës, parmakët, rekomandohet një pastrim më i thellë, gjithnjë duke shmangur substancat, që mund të dëmtojnë sipërfaqet dhe zbukurimet.

22 maj 2020, 08:07