Kërko

Papa Françesku dhe kardinali Renato Corti Papa Françesku dhe kardinali Renato Corti 

Vdiq kardinali Renato Corti. Papa: ishte i apasionuar pas Ungjillit

Në një telegram, Papa Françesku kujton me admirim dhe përzemërsi kardinalin që “i shërbeu Zotit dhe Kishës me përkushtim”. Renato Corti ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare, ishte ipeshkëv nderi i Novarës. Ati i Shenjtë e krijoi kardinal në Koncistorin e vitit 2016, ndërsa një vit më parë, pati shkruar meditimet e Udhës së Kryqit në Koloseum.

R.SH. - Vatikan

Një jetë e thjeshtë, por e jetuar deri në fund me zemër: kjo ishte jeta e kardinalit Renati Corti, i cili ndërroi jetë sot rreth orës 9.00, në Rho, në provincën e Milanos, në Kolegjin e Oblatëve të shën Ambrozit e të shën Karlit, ku banonte që nga viti 2011. Papa Françesku e pati krijuar kardinal në moshën 80-vjeçare. Tani, 84 vjeç, mbylli sytë në qetësi, siç tregojnë ata, që e ndihmuan deri në çastin e fundit, pas disa muaj vuajtjesh, për shkak të shëndetit të lig.

Ngushëllimi dhe afërsia e Papës

“Mendoj me mirënjohje - shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij të ngushëllimit - për shërbimin shpirtëror dhe baritor, që kreu pa u kursyer, madje, duke e konsumuar veten për Ungjillin, së pari në kryeipeshkvinë e vendlindjes, në Milano, sidomos si formues i seminaristëve e i meshtarëve, si edhe si vikar i përgjithshëm e, pastaj, për vite të tëra, si bari i butë dhe i urtë i kësaj Kishe novareze. Mendoj gjithashtu - vazhdon Papa - për dashurinë e tij të mirëfilltë për misionin dhe shërbimin e predikimit, të cilin e ushtroi me shumë bujari, i frymëzuar nga dëshira e apasionuar për të komunikuar Ungjillin e Krishtit”.

Disa të dhëna biografike

         Zv.kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane nga viti 2005 deri më 2015, predikatar me famë, ai drejtoi ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake më 2005 (të fundit në praninë e Gjon Pali II), ndërsa, me ftesë të Papës Françesku, shkroi meditimet e Udhës së Kryqit në Koloseum, në të Premten e Madhe të vitit 2015. Njeri me përshpirtëri të thellë, dishepull i kardinalit Martini, i cili e pati shuguruar ipeshkëv në vitin 1981 dhe e pati zgjedhur për vikar të përgjithshëm, Renato Corti zgjodhi si moto ipeshkvnore shprehjen “Cor ad cor loquitur”, njëlloj me kardinalin shenjt, John Henry Newman.

         Me origjinë nga Galbiate, atëherë në provincën e Como-s, sot në Lecco, kardinali Corti e filloi shërbimin meshtarak në duart e një Pape të ardhshëm, Giovanni Battista Montini, asokohe në krye të Kishës Ambroziane. Që nga viti 1990, shkoi si ipeshkëv në Novara - 21 vite, gjatë të cilave promovoi, ndër të tjera, Çështjen e lumnimit të Antonio Rosmini-t.

         Ndërmjet viteve 2005 dhe 2015 kreu detyrën e zv.kryetarit të CEI-t (Konferenca Ipeshkvnore Italiane), por që nga viti 2011, hoqi dorë nga shërbimi si ipeshkëv në Novara, për shkak të moshës. Që nga shkurti i vitit 2012, banonte në Rho, pranë Oblatëve të Shën Ambrozit e të Shën Karlit - një kardinal “sakristan”, që, nëse ishte e nevojshme, përgatiste altarin për meshën në kapelë.

         Kur mori vesh lajmin e vdekjes, kryeipeshkvi i Milanos, imzot Mario Delpini, ia besoi “Zotit, shërbimin e tij të gjatë e besnik”. Në vitin 2016, sapo u njoftua se do të bëhej kardinal, Renato Corti pati deklaruar në mikrofonin tonë se në jetë, duhet marrë shembull nga martirët, “sepse vetëm ata na japin mundësinë të kuptojmë se ç’do të thotë vërtet të jetosh sipas Ungjillit”.

12 maj 2020, 14:02