Kërko

tagle giovani.jpg

Tagle: Papa na kërkon ta rizbulojmë misionin në jetën e zakonshme të krishterë

Prefekti i “Propaganda Fide”-s komenton Mesazhin e Papës Françesku për Veprat Misionare Papnore. Për kardinalin duhet të kthehemi në frymën e zanafillës së Kishës, duke mposhtur tundimin e funksionalizmit dhe të suksesit me çdo kusht për “projektet e programuara”.

R.SH. - Vatikan

Një lloj shkundjeje e dobishme për t’i dhënë hov të ri impenjimit misionar të Kishës. Një javë pas publikimit të Mesazhit të Papës Françesku për Veprat Misionare Papnore (POM), kardinali Luis Antonio Tagle komenton për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano” dhe për Vatican News, pikat kyçe të dokumentit, që pati jehonë të madhe në Kishë e më gjerë. Prefekti i Kongregatës për Ungjillizimin e Popujve nënvizon se duhet vënë në zbatim gjithçka kërkon Papa: të rizbulohet fryma e vërtetë misionare, duke mos u besuar praktikave që, nën maskën e efikasitetit dhe të suksesit, largohen nga thelbi i misionit: kumtimi i Lajmit të Mirë për gjithë popujt.

Pasioni i Papës për misionin

Kardinali kujton se Papa do t’u kishte folur drejtpërdrejt drejtuesve kombëtarë të Veprave Misionare, që do të mblidheshin këtë muaj, në Romë për asamblenë e tyre të përgjithshme, por kjo nuk qe e mundur për shkak të pandemisë së koronavirusit. E megjithatë, Ati i Shenjtë deshi t’u dërgojë një mesazh, i cili, siç nënvizon Tagle, nuk përmban vetëm “fjalët dhe këshillat e Papës, por edhe pasionin e tij për misionin”. “Ndërsa lexojmë dokumentin – shkruan prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve – duhet të vihemi në dëgjim të shpirtit të tij, të entuziazmit, të shpresave e të shqetësimeve të tij”. Papa dëshiron që mesazhi të lexohet nga e gjithë Kisha e të shërbejë për të shqyrtuar ndërgjegjen e secilit përsa i përket impenjimit misionar.

Jashtë modeleve të botës

Në intervistën e realizuar nga zv.drejtori editorial i Dikasterit për Komunikimin, Alessandro Gisotti, kardinali Tagle komenton edhe fjalët e Atit të Shenjtë kundër “modeleve të rendimentit që propozon bota”. “Është e rëndësishme të thuhet – pohon prefekti – se Papa Françesku nuk është kundër efikasitetit dhe metodave, që mund ta bëjnë misionin të frytshëm e transparent. Por, na paralajmëron për rrezikun e ‘matjes’ së misionit të Kishës me standarte dhe rezultate të paracaktuara nga modele e shkolla administrative të kësaj bote, sado të dobishme të duken. Mjete të tilla mund të ndihmojnë, por nuk duhet ta zëvendësojnë kurrë misionin e Kishës. Më e frytshmja organizatë kishtare mund të përfundojë si më pak misionarja. Duke theksuar se misioni është dhuratë e Shpirtit Shenjt, Papa Françesku na kujton disa të vërteta themelore si: besimi në Zotin është dhuratë e vetë Zotit; Mbretëria e Hyjit është përuruar e realizuar nga Hyji; Kisha është krijuar nga Zoti; Kisha përtërihet me misionin e vet, kumton Ungjillin e shkon deri në kufijtë më të skajshëm të tokës, sepse Zoti i Ringjallur dërgon Shpirtin Shenjt. Në zanafillën e Kishës e të misionit të saj gjejmë dhuratën e Zotit e jo ndonjë plan njerëzor. Jezu Krishti vjen tek ne si Dashuri e Atit Qiellor. Por, edhe ne kemi një rol: të lutemi, ta kuptojmë dhuratën hyjnore, ta pranojmë atë me fe e të veprojmë me të, ashtu siç dëshiron Zoti. Të ndara nga këto rrënjë hiri, veprimet e Kishës e, jo vetëm projektet e Veprave Misionare Papnore, reduktohen në funksione të thjeshta e skema të sakta për punë.

Thyejini pasqyrat. Të afërmit janë pasqyrat tuaja

 Papa Françesku i nxiti Veprat Misionare Papnore “t’i thyejnë pasqyrat e shtëpisë”, siç u shpreh figurativisht, për të nënvizuar se narcizizmi dhe mbyllja në vetvete janë “sëmundje”. Kështu, “misioni – vëren kardinali Tagle – përqendrohet gjithnjë e më shumë mbi një person, mbi emrin e tij, mbi suksesin, realizimin, famën dhe ndjekësit e tij e jo mbi Lajmin e Mirë të mëshirës së Zotit, të dhembshurisë së Krishtit, të të papriturave të Shpirtit Shenjt”. Kjo, denoncon ai, çon në mbyllje në vetvete, sikur aftësitë personale të mos kishin më nevojë për ndërhyrjen e Hyjit. “Kjo është paqyra, që Papa na thotë ta thyejmë: egocentrizmi… Ose më mirë akoma, siç sugjeron Ati i Shenjtë, të hapim dyer e dritare, të shohim jashtë, të dalim për të parë gjithçka ka krijuar Zoti, drejt të afërmit, drejt çdo cepi rruge, drejt të vuajturve, drejt të humburve, drejt të rinjve, drejt të plagosurve. Duke i parë, shpresojmë të shohim edhe veten tonë. Të shohim Zotin. Ata janë pasqyrat tona të vërteta”.

Misioni është dhuratë për t’u ndarë me të tjerët, jo detyrim

“Veprat Misionare Papnore – vijon prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, në intervistën me gazetën “L’Osservatore Romano” e me Vatican News – janë lindur falë grave e burrave, që e kanë jetuar shenjtërinë në jetën e përditshme… kanë përdorur mjete, që u ka dhuruar atyre Shpirti Shenjt: lutjen dhe veprat e bamirësisë. Ati i Shenjtë inkurajon Veprat dhe Kishën që ta kthejnë misionin në jetën e zakonshme e të përditshme, ta bëjnë atë pjesë të thjeshtë dhe jo të ndërlikuar të jetës së krishterë në familje, në vendin e punës, në shkolla, në ndërmarrje, në zyra dhe në famulli. Një nga sfidat më të mëdha – vëren kardinali Tagle – është t’i ndihmojmë besimtarët ta kuptojnë se feja është dhuratë e jashtëzakonshme e Zotit e jo barrë. Nëse jemi të lumtur dhe të pasuruar nga përvoja jonë e fesë, do ta ndajmë këtë dhuratë me të tjerët. Kështu, misioni kthehet në ndarjen e një dhurate me të afërmit e jo në detyrim për t’u përmbushur.

Larg “donatorëve të mëdhenj”

Në Mesazh, Papa këshillon që mbledhja e fondeve për Veprat Misionare Papnore të përfshijë gjithë Popullin e Zotit, pa shkuar me çdo kusht në kërkim të të ashtuquajturve “donatorë të mëdhenj”. “Ka rrezik – komenton kardinali Tagle – që paratë e mbledhura në emër të misionit të mos jenë shprehje e bamirësisë misionare të donatorit… Besimtarët, që bëhen misionarë të impenjuar e të gëzuar, janë burimi ynë më i mirë e jo paratë. Asnjë donacion nuk është i vogël, kur jepet për të mirën e përbashkët”. E duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në botë nga pandemia e koronavirusit, prefekti nënvizon se ajo ka sjellë vuajtje e frikë për gjithë njerëzimin e, ndoshta, do të duhen vite për ta kuptuar këtë kohë. Por, nënvizon ai, që tani, mund të themi se pavarësisht nga “paqartësitë, izolimi, papunësia, humbja e të ardhurave dhe shumë pasoja të tjera, Shpirti Shenjt ka dikuar mjaft dhurata si dhembshuria, heroizmi, dashuria për familjen, lutja e zjarrtë, rizbulimi i Fjalës së Zotit, etja për Eukaristinë, kthimi në thjeshtësinë e jetës, kujdesi për Gjithësinë... Kisha është e thirrur t’i shikojë dhe të mrekullohet me veprat e mahnitshme të Shpirtit Shenjt”.

27 maj 2020, 12:04