Kërko

Vatican News
2020.05.11 labellezzaunisce @Musei Vaticani App.-Borgia---Ascensione-24-maggio Cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano  

Nesër në Vatikan kremtohet Festa e të Shëlbuemit

Nesër në Vatikan kremtohet Festa e të Shëlbuemit, solemnitet që na kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur. Me festën e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, pra të Shëlbuemit, kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm fizik të Zotit tonë Jezu Krishti ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e Ungjillit e kështu të krishterimit në mbarë botën.

R.SH. - Vatikan

Në Vatikan e në disa vende të tjera nesër, 21 maj, do të kremtohet Solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, ndërsa në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Itali e vende tjera, të dielën e ardhshme.  E shqiptarët këtë festë e quajnë të ‘Shëlbuemit’. Ky Solemnitet na fton ta kundrojmë Jezusin i cili, para se të ngjitet në qiell, ua beson Apostujve mandatin ta çojnë Lajmin e tij të Shëlbimit deri në skajet më të largëta të tokës

Me festën e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, pra të Shëlbuemit, kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm fizik të Zotit tonë Jezu Krishti ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e Ungjillit e kështu të krishterimit në mbarë botën.

Ngjitja e Krishtit në qiell ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme, një rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi, do të thotë e realizoi veprën e shëlbimit: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na rrëfen Shën Gjoni.

Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë. Me këto fjalë kujtojmë domethënien e solemnitetit të të Shëlbuemit.

“Dyzet ditë pasi u qe shfaqur apo dukur Apostujve me pamjen e Tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumturinë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumturinë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur në favor të njerëzimit pranë Atit Hyjnor. Na dërgon Shpirtin e Tij Zot dhe na jep shpresë se një ditë do të arrijmë në vendin që Ai na e ka përgatitur”.

Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Jezusi na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes.

Duke kremtuar festën e të Shëlbuemit, ne duhet të jemi të sigurt se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Hyji e ka ngritur çadrën (tendën) e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!

20 maj 2020, 14:09