Kërko

1589913159818.jpg

Selia e Shenjtë “e shqetësuar”: plane izraelite për aneksimin e territoreve të pushtuara

Telefonatë ndërmjet liderit palestinez Saeb Erakat dhe Sekretarit të Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Gallagher. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi idenë e aneksimit të territoreve të pushtuara. Presidenti amerikan Donald Trump duket në favor të nismës. Prej kohësh, krerët e krishterë denoncojnë inercinë e bashkësisë ndërkombëtare në Lindjen e Mesme.

R.SH. - Vatikan

Selia e Shenjtë “shpreh shqetësimin e saj” për mundësinë që territoret palestineze, të pushtuara nga izraelitët, të kalojnë nën sovranitetin e Izraelit, duke kompromentuar kështu zgjidhjen “dy popuj, dy shtete” dhe procesin e paqes në rajon. Këtë tha Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, në një telefonatë me kryenegociatorin e Sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Saeb Erekat. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, në një komunikatë.

         Prej kohësh, Benjamin Netanyahu – konfirmuar në qeverinë izraelite bashkë me opozitorin e tij, Benny Gantz – ka hedhur idenë për aneksimin e shumë kolonive izraelite në territoret e pushtuara, të cilat, nga pikpamja e së drejtës ndërkombëtare, janë të paligjshme. Gantz, që e kundërshtoi këtë ide gjatë fushatës zgjedhore, tani është dakord me të, sepse i jep mundësinë të marrë pjesë në qeverinë e koalicionit, të formuar me vështirësi të mëdha. Plani i aneksimit mbështetet edhe nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

         Zëri i Vatikanit bashkohet me atë të krerëve të krishterë të rajonit, që dënoncojnë inercinë e bashkësisë ndërkombëtare para një situate, e cila mund ta varrosë paqen një herë e përgjithmonë. Në komunikatën për shtyp sqarohet: “Selia e Shenjtë thekson se respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i Rezolutave të Kombeve të Bashkuara, është element i domosdoshëm që të dy popujt të jetojnë krah për krah si dy shtete, me kufijtë e njohur botërisht para vitit 1967.

         Selia e Shenjtë e ndjek me vëmendje gjendjen dhe shpreh shqetësimin e saj për aktet e mundshme, që mund ta kompromentojnë më tej dialogun, duke uruar që izraelitët dhe palestinezët ta gjejnë, sërish e shpejt, mundësinë për të biseduar drejtpërdrejt mbi një marrëveshje, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, si edhe që paqja të mbretërojë më në fund në Tokën Shenjte, kaq të dashur nga hebrenjtë, të krishterët, myslimanët”.

22 maj 2020, 13:27