Kërko

Vatican News

Sekretari i OKB-së, Guterres: kërcënimeve globale t'u përgjigjemi me solidaritet të ri

Intervistë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, publikuar sot në gazetën vatikanase "L'Osservatore Romano". Mirënjohje e thellë ndaj Papës Françesku për mbështetjen, që i dha thirrjes për armëpushim global, por edhe kërkesë që pandemia të shihet si kambanë alarmi, për ta ndryshuar botën.

R.SH. - Vatikan

“Pandeminë duhet ta shohim si një kambanë alarmi. Kërcënimet vdekjeprurëse globale kërkojnë unitet dhe solidaritet të ri”. Këtë nënvizon Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, në një intervistë ekskluzive për mediat e Vatikanit, realizuar nga drejtori i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda.

Armëpushimi global

Kohët e fundit, Guterres bëri një thirrje për paqe në botën e prekur nga pandemia, duke kërkuar armëpushimin global. Ide e mbështetur fuqimisht edhe nga Papa Françesku, që Sekretari i përgjithshëm i OKB-së e pati takuar në fund të vitit të kaluar e me të cilin pati realizuar një videomesazh për këtë qëllim. Mesazh, që has vështirësi të kuptohet, siç dëshmojnë luftrat e konfliktet, që vijojnë në botë. Pyetjes së drejtorit të gazetës “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda, se pse ndodh kjo, Guterres i përgjigjet, duke falenderuar fillimisht Papën për mbështetjen dhe për impenjimin e tij botëror, për dhembshurinë dhe për ftesat e shumta për bashkim, që afirmojnë edhe vlerat e punës së OKB-së, e pastaj, nënvizon:

“Kur bëra thirrjen për armëpushim, mesazhi im për palët e përfshira në konflikte në të gjithë botën, ishte i thjeshtë: luftimet duhet të ndalen, në mënyrë që të përqendrohemi në armikun e përbashkët, Covid-19. Deri tani, thirrja është përkrahur nga 115 qeveri, organizata rajonale, më se 200 grupe të shoqërisë civile, si edhe nga krerë të tjerë fetarë. 16 grupe të armatosura janë impenjuar t’i japin fund dhunës. Përveç kësaj, miliona njerëz kanë nënshkruar një peticion on-line”.

Të ndalet dhuna kundër grave dhe vajzave

 “Dua të kujtoj – thekson Guterres – është një thirrje tjetër, që e konsideroj themelore: thirrjen për paqen shtëpiake. Në të gjithë botën, me përhapjen e pandemisë, po vërejmë edhe shtimin shqetësues të dhunës kundër grave dhe vajzave. U kërkova qeverive, shoqërisë civile dhe gjithë atyre, që mund të ndihmojnë, të mobilizohen për t’i mbrojtur më mirë gratë. U bëra thirrje edhe krerëve të të gjitha feve ta dënojnë çdo akt dhune kundër grave e vajzave, duke mbështetur parimin e barazisë”.

Frika nga pandemia dhe fake news

Pandemia, vijon më tej bisedën drejtori i gazetës së Vatikanit, ka shkaktuar probleme e frikë. Sidomos kjo e fundit përhapet me shpejtësi ndërmjet njerëzve, edhe nga lajmet e rreme, të ashtuquajturat “fake news”, që qarkullojnë në rrjetet shoqërore. E Guterres pranon se “gjatë javëve të fundit, ka pasur një rritje të teorive të komplotit dhe të ndjenjave ksenofobe. Në disa raste, janë vënë në shënjestër gazetarë, punonjës shëndetësorë e mbrojtës të të drejtave të njeriut, vetëm e vetëm se bënin punën e tyre… Njerëzit në botë duan ta dinë ç’duhet bërë e ku duhet shkuar për ndonjë këshillë. U heq kapelën gazetarëve dhe atyre, që i kontrollojnë informacionet, në malin e historive e të postimeve të rreme, publikuar në rrjetet shoqërore. Në mbështetje të këtij impenjimi, kam promovuar një nismë të OKB-së, që quhet ‘Verified’(E verifikuar), e cila synon t’u japë njerëzve informacione të sakta, bazuar mbi faktet. Edhe krerët fetarë duhet të japin kontributin e tyre, duke përdorur rrjetet dhe aftësitë e tyre të komunikimit në mbështetje të qeverive, të cilat duhet të marrin ato masa për shëndetin publik, që këshillohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – që nga distacimi fizik tek higjiena – si edhe duhet të përgënjeshtrojnë informacionet e zërat e rreme”.

Ndihma e OKB-së për vendet e varfëra

Në intervistën për mediat e Vatikanit, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së mbështet fuqishëm pikërisht Organizatën Botërore të Shëndetësisë, këto ditë, në shënjestër të disa kritikave për mënyrën e administrimit të emergjencës së koronavirusit. Ai sqaron se janë caktuar 7,6 miliardë dollarë amerikanë për popullsitë më të brishta, sidomos për refugjatët dhe për të shpërngulurit. Deri tani, donatorët kanë dhuruar gati 1 miliard dollarë e Guterres thekson se po punon personalisht për të siguruar financimin e krejt planit. Natyrisht, OKB-ja është pikë referimi për vendet në zhvillim, ku janë shpërndarë teste për koronavirusin, maska e respiratorë, por edhe kompetenca, përmes punonjësve, që po ndihmojnë përballimin e pandemisë në dhjetra vende të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine.

Bashkim dhe solidaritet i ri

Koronavirusi e mbylli çdo vend brenda kufijve të vet, prandaj, kohët e fundit, duket sikur secili synon të mendojë veç për vete e se po shtohen idetë kundër bashkëpunimit shumëpalësh, provokon me pyetjen e tij, Andrea Monda. E përgjigjia e António Guterres, që merr parasysh jo vetëm virusin, por edhe impenjimin botëror për paqen e për zhvillimin, është e qartë: “Virusi – nënvizon ai – vuri në pah brishtësinë globale. E kjo brishtësi nuk kufizohet vetëm në sistemet shëndetësore. Ka të bëjë me të gjitha fushat e botës e të institucioneve tona. Ligështia e përpjekjeve tona të koordinuara globale vjen nga mungesa e përgjigjes ndaj krizës së klimës, nga rreziku në rritje i përhapjes së armëve bërthamore, nga paaftësia jonë për t’u mbledhur e për të vënë rregulla më të mira mbi internetin. Pandemia duhet të jetë kambanë alarmi. Kërcënimet globale vdekjeprurëse kërkojnë bashkim dhe solidaritet të ri”. “Në botën e ndërlidhur, askush nuk është i sigurt, nëse nuk janë të gjithë – komenton më tej Guterres, duke reflektuar mbi vaksinën kundër Covid-19 e mbi mundësinë që më të pushtetshmit ta mbajnë atë për vete. – Vaksina duhet parë si pasuri publike. Jo si vaksinë a terapi për një vend, një rajon, ose vetëm për gjysmën e botës”.

Të varfërit dhe ulja e borxheve

 “Pandemia – denoncon Sekretari i përgjithshëm i OKB-së – po nxjerr në dritë pabarazi kudo. Numri i të varfërve mund të rritet me 500 milion – rritja e parë gjatë 30 viteve të fundit. Nuk mund të lejojmë të ndodhë kjo, prandaj, vazhdoj të bëj thirrje për një plan ndihmash globale, për një shumë që arrin së paku në 10% të ekonomisë botërore. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar financime emergjence për një grup të parë vendesh në zhvillim. Banka Botërore ka njoftuar se gjatë 15 muajve të ardhshëm mund të japë financime për 160 miliardë dollarë amerikanë. G20-a e ka mbështetur pezullimin e pagimit të borxheve për vendet më të varfëra”. António Guterres deklaron se i vlerëson shumë këto masa, por nuk do të mjaftojnë. Ndër masat e mëtejshme, duhet të jetë edhe ulja e borxheve, që të shmangen kriza ekonomike të zgjatura.

Të ndërtojmë një botë më të mirë për të gjithë

E, duke paraqitur këndvështrimin e tij për të ardhmen, nënvizon: “Pabarazitë dhe ndryshimet në mbrojtjen shoqërore, që dolën në pah tejet dhimbshëm, duhen përballuar. Do të kemi edhe mundësi për të vënë në plan të parë gratë e barazinë gjinore për të ndihmuar krijimin e një lloj elasticiteti në përballimin e goditjeve të ardhshme. Rimëkëmbja duhet të ecë paralelisht me ndërhyrjet në favor të klimës. Paratë e taksapaguesve duhet të përdoren për të përshpejtuar dekarbonizimin e të gjitha aspekteve të ekonomisë dhe për të privilegjuar punë, që e respektojnë ambientin. Ky është çasti për të vendosur një taksë mbi karbonin dhe për ta detyruar ndotësin e ambientit të paguajë. Institucionet financiare dhe investitorët duhet ta marrin parasysh problemin e klimës. Modeli ynë janë objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike. Kjo është kohë për të qenë të vendosur. Të vendosur ta mposhtim Covid-19 dhe të dalim nga kriza, duke ndëtuar një botë më të mirë për të gjithë”.

26 maj 2020, 15:35