Kërko

 Duar të bashkuara në lutje Duar të bashkuara në lutje 

Rast për të vënë rregull në jetën tonë

Artikull i ri i atë Federico Lombardit për të shikuar të ardhmen që na pret: koha për Zotin, e rizbuluar gjatë emergjencës, është burim i kuptimit për gjithë kohën, që na mbetet nga jeta jonë.

R. SH. - Vatikan

Një nga vërejtjet e para, që bën Papa Françesku në encikikën “Lëvduar qofsh”, duke shikuar “atë që po ndodh në shtëpinë tonë”, ka të bëjë me “shpejtësinë”, domethënë me ndryshimet e shpejta të njerëzve dhe të planetit, njëherësh me shpejtimin e ritmeve të jetës e të punës. Vëren se kjo shpejtësi është në kundërshtim me kohët natyrore të evolucionit biologjik e pyet nëse objektivat e ndryshimeve i shërbejnë së mirës së përbashkët, të gjithanshme e të qëndrueshme.

Të gjithë ne, që kemi arritur në një farë moshe, duke i hedhur një sy harkut të jetës sonë, bëjmë disa konstatime për sasinë e gjërave, që i pamë duke ndryshuar plotësisht e që, pas një cikli gjithnjë më të shkurtër vitesh,  ndryshuan përsëri. Për fat shumica ndryshuan për mirë. Si për shembull kushtet e jetesës së shumë njerëzve të varfër, mundësitë për mjekime, për operacione kirurgjike, qarkullimi i lirë, edukimi, informimi e komunikimi. Por njëkohësisht edhe humbja e disa vlerave u përshpejtua shumë më tepër, sesa ishte e nevojshme, vetëm përtë ushqyer zhvillimin ekonomik dhe fitimet në disa sektorë, ndërsa publiciteti nxit me ngulm dëshirën e tepruar për të rejat, duke krijuar vartësinë, që të bën ta shikosh si të nevojshëm prodhimin e modës së fundit. Kështu, në sektorë të ndryshëm, shpejtimi i ndryshimeve rrezikon të shndërrohet në qëllim në vetvete, në skllavëri, më shumë sesa në progres. Duket qartë se kemi hyrë në rrugën e një ritmi të paqëndrueshëm, që heret a vonë do të thërmohet, siç na e tregojnë rreziqet  e rënda ambientale.

Nga ana e tyre, shumë njerëz aktivë, të inseruar mirë në funksionimin e botës moderne, me role të rëndësishme, angazhohen zakonisht në veprimtari me ritme të vrullshme, për të mos thënë të ethshme. Shpesh marrin pjesë në të parat, me pasion e shije, pa e llogaritur haraçin shumë të lartë, që u duhet të paguajnë lidhur me marrëdhëniet njerëzore e familjare,  me ndjenjat e me ekuilibrin  e përgjithshëm të personalitetit.

Tani ky vrapim gjithnjë më i turrshën, pësoi një goditje të fortë. Treguesit e veprimtarive ekonomike u përmbysen, agjendat u rishikuan, takimet e shtegtimet, u shlyen. Shumë njerëzve u duket se koha u zbraz, mbeti fare bosh. E çorientohen.

Po koha… Si ta jetosh kohën? E për çka duhet, në fund të fundit?  Ka kohë që duhet për veprimtari, por edhe kohë kur priten gëzime të mëdha; kohë për të ndenjur bashkë e për t’u dashur fort, e kohë për kundrim; kohë për të soditur bukuri, e kohë për netë të gjata, pa gjumë, në pritje të vuajtjes….

Ka edhe mundësi të humbasësh shumë kohë kot, i pushtuar nga hidhërimi e nga një ndjesi kotësie, boshllëku…E kohë për të ndenjur me vetveten…Po, a ka edhe kohë për të ndenjur me Zotin?  Kur jemi përplot me jetë e gjallëri, këtë të fundit e shtyjmë shpesh në skutat e jetës sonë,  sepse gjejmë një mori gjërash, të cilat duhen bërë më parë. Gjëra që na duken më të ngutshme, ose më të këndshme, ndërsa gjunjëzimi para Zotit, mund edhe të shtyhet për më vonë.

Për shumëkënd, kjo kohë e çuditshme e mbylljes në shtëpi për shkak të pandemisë, ishte edhe kohë e rizbulimit të lutjes. Lind pyetja nëse kufizimi i mundësisë për të shkuar në Kishë do të ndikojë negativisht mbi fenë e mbi jetën shpirtërore, apo mund të jetë edhe kohë, në të cilën - siç i thoshte Jezusi Samaritanes - mësojmë ta adhurojmë Zotin në shpirt e vërtetësi në çdo vend, edhe në shtëpi, ku jemi të detyruar të ngujohemi, e edhe në atmosferën e zbraztësisë së detyrueshme të jashtme. Jezusi shton se shpirti fryn ku dëshiron, por pa përjashtuar edhe mundësinë që ne t’i ofrojmë raste e rrugë për të fryrë, duke ndihmuar njëri-tjetrin në mijëra mënyra, për ta mbajtur gjallë praninë e Zotit në horizontin e kohës sonë, me dëshmi, me fjalë, me afërsi, me dashuri.

Koha për Zotin mund të duket e dorës së dytë në ditët tona, por në të vërtetë, nga kjo mund të shpërthejë gurra e kuptimit dhe e rendit për gjithë hapësirën, që na mbetet nga jeta jonë në dritën e Ungjillit. Ç’gjë ishte e mirë në ditët e mia? Në këtë ditë, që po jetoj? Me çfarë shpirti i jetova marrëdhëniet e mia me njerëzit, që m’u besuan e që takova? Të gjithë kemi dëgjuar të flitet për rrëmimin e ndërgjegjes, për gjunjëzimin para Zotit, për të vënë kështu në rregull jetën tonë. Po shpesh edhe e harruam. Pandemia, që i përmbysi ritmet e jetëve tona, a nuk është, thua, rast i papritur për t’i vënë përsëri në rregull, në mënyrë që të rigjejmë qëllimin dhe kuptimin e tyre? Vetëm për ne, apo edhe për bashkësinë tonë njerëzore?    

 

07 maj 2020, 13:28