Kërko

Gjon Pali II në Brazil, 1997 Gjon Pali II në Brazil, 1997

Parolin: Papa Wojtyla, dritare e hapur mbi botën

L'Osservatore Romano boton sot një edicion të veçantë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Gjon Palit II: katërmbëdhjetë faqe, që fillojnë me përshëndetjen e Papës Françesku. Të shumta, dëshmitë dhe kujtimet. Ndërmjet autorëve, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

PIETRO PAROLIN

Ishte kthyer në Vatikan kur mungonin vetëm pak ditë nga ditëlindja e tij e shtatëdhjetë. Unë, në anën tjetër të oqeanit, po mendoja për atë, që sapo kishte ndodhur, përvojë me të vërtetë unike, që do të doja ta quaja “shpërthyese” nga pikpamja njerëzore dhe shpirtërore, për mua dhe për miliona besimtarë, takuar gjatë rrugës, e cila, praktikisht, e kishte bërë ta prekte, brenda një jave, tërë gjeografinë e “tokës së vullkaneve”.

Qyteti i Meksikos, 1990. Edhe atëherë ishte maj. Aty fillojnë kujtimet e mia më personale për shën Gjon Palin II, të cilin e kisha përshëndetur shkarazi disa vite më parë, gjatë vizitës në Akademinë Papnore Kishtare. Kishte përfunduar udhëtimin e tij të 47-të apostolik jashtë vendit, në përgatitjen dhe zhvillimin e të cilit isha përfshirë drejtpërdrejt si Sekretar i Delegacionit të atëhershëm Apostolik në Meksikë. I njëjti vend që, në janar 1979, ishte bërë hallka e parë e atij zinxhiri të pamendueshëm itineraresh apostolike nëpër botë, realizuar nga Papa “i thirrur nga larg”, i cili arriti të shkurtonte çdo distancë. Jo vetëm kilometrike.

 Në atë kohë, Meksika, megjithëse me 95% të popullsisë katolike, shpirtërisht tejet mariane, për shkak të pranisë së shenjtërores së Zojës së Guadalupes në kryeqytet dhe të shumë vendeve të tjera kulti kushtuar Virgjërës Mari në gjithë territorin, kishte një Kushtetutë laiciste, e cila nuk ia njihte Kishës të drejtën për të ekzistuar e, madje, arrinte deri tek ndalimi i funksioneve fetare në publik.

 Por Gjon Pali II nuk erdhi si politikan në kërkim të marrëveshjeve, megjithëse karizma dhe “shtytja” e tij favorizuan në vitet e mëpasme, ndryshimin e politikës qeveritare në çështjet fetare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, në favor të të cilave pati punuar gjatë e me zell, Legati i atëhershëm apostolik, imzot Girolamo Prigione. Ati i Shenjtë e paraqiti veten si shtegtar në kërkim të fesë. Në ceremoninë e mirëseardhjes, në aeroport, tha: “Hyji, zoti i historisë dhe i fatit tonë, ka vendosur që papnia ime të jetë ajo e një Pape shtegtar i Ungjillit, që përshkon udhët e botës, duke çuar kudo mesazhin e shëlbimit”. Më pas e përsëriti atë koncept, duke u paraqitur si “shtegtar dashurie dhe shprese, me dëshirën për të nxitur energjitë e bashkësive kishtare, në mënyrë që ato të jepnin fryte të bollshme dashurie për Krishtin dhe shërbimi për vëllezërit”.

Mendoj se mund t’i kondensojmë këto fjalë në një: mision. Për të, ai nuk ishte ndonjë mundësi për t’u parapëlqyer, por kërkesë ungjillore. Të dalim nga vetja për ta rizbuluar atë, ta humbasim veten, për ta gjetur: kështu na mëson Krishti – Mësuesi i Madh. Vetë emri, që pati zgjedhur si Papë, mbante gjurmën e misionarit të parë të madh, Palit të Tarsit [shën Pali apostull]. Si ai, pati marrë thirrjen e pakthyeshme për t’i hapur dykanatësh dyert e shtëpisë e për ta bërë të ndihej në shtëpi këdo shkelte në të: shtëpia e Zotit të gjallë është e destinuar për familjen e madhe njerëzore. Jo vetëm kaq, por si Apostulli i Popujve, nuk e kurseu veten, duke u bërë gjithçka për të gjithë, që të bëhej pjesëmarrës [në shëlbim] bashkë me ta (shih 1 Kor 9,23).

Më la një përshtypje të pashlyeshme dhe më frymëzoi lodhja, që nuk e ndalte, për të përballuar besnikërisht dy takimet e planifikuara çdo ditë, njëri paradite e tjetri në mbrëmje, në anë të ndryshme të Republikës, me kremtimin e meshës shenjte dhe me liturgjinë e Fjalës. Madje, edhe me humorin e hollë, që e karakterizonte, me të cilin, një mëngjes, duke përshëndetur si zakonisht dhjetëra mijëra njerëz që “rrethonin” selinë e Nunciaturës Apostolike ditë-natë gjatë qëndrimit të tij, duke u lutur dhe duke kënduar, u tha (duke iu referuar faktit se atë mbrëmje nuk do të kthehej në Qytetin e Meksikos, si ditët e tjera): “Sot po ju jap pushim: pushoni pak!”.

Gjithnjë e më shumë, brenda meje po përvijohej ajo “Hapjani portat Krishtit”: nuk ishte vetëm një nxitje e guximshme, por vetëdija se nuk mund të kishte Kishë pa ia hapur me të vërtetë Zotit dyert e shtëpisë e, bashkë me Të, edhe gjithë vëllezërve dhe motrave, krijuar në ngjashmëri me Të. Lajm ky, që ia dha menjëherë botës, që nga përurimi i papnisë e nga Enciklika e parë, kushtuar Shëlbuesit të njeriut dhe njeriut, udhë e Kishës.

 Ja si shërbimi diplomatik, në të cilin hidhja hapat e mi të parë, hapte horizonte më të gjera: nuk kërkonte vetëm t’u tërhiqej vëmendja të tjerëve për arsyet tona të ligjshme, por të hapeshin – e ta bënim ne në radhë të parë, për të gjithë - dyert e shtëpisë, në emër të Jezusit. Duhej jetuar misioni diplomatik, duke kujtuar se emri i paraprin dhe e motivon mbiemrin. Duhej pranuar një e vërtetë e mrekullueshme: nuk jemi të huaj në asnjë vend, prandaj, jemi në shtëpi kudo. Jo vetëm pse katolikët janë kudo në botë, por, sidomos, pse tek njeriu, në çdo njeri, është Krishti që troket, duke kërkuar t’i hapet një portë.

 Vijnë kështu ndërmend gjeste të reja me një shije ungjillore të lashtë, shenja, pamje të pashlyeshme: kufijtë e kapërcyer, takimet ekumenike, ndërfetare, shoqërore dhe historike. Ungjilli i jetës, i lakuar në njëjës e shumës: Ungjilli i jetëve, i shumë e shumë jetëve (kush ka takuar më shumë në dekadat e fundit?), të gjitha të çmuara, unike, të përkëdhelura nga një buzëqeshje, që e donte gjithnjë bukurinë, si kur përvijohej e qartë në majat e Luginës së Aostës, ashtu edhe kur shtrihej, përmbys e plot dhimbje, në një shtrat spitali. Nuk është rastësi që Papa më i vuajtur, treguar nga mediat, ishte edhe Papa i të rinjve, të cilëve, më 15 prill 1984, me rastin e Ditës së parë kushtuar atyre, iu drejtua me një frazë të paharrueshme: “Ia vlen të jesh njeri , sepse ti, Jezus, ke qenë njeri!”.

Kishin kaluar 25 vite nga ato tetë ditë të paharrueshme në Meksikë. Edhe unë kisha kapërcyer oqeanin, duke mbërritur në Kurien Romake. Në pranverën e atij viti, shihnim nga dritaret lumenj njerëzish që ecnin, me lutje e këngë, drejt atij që, duke e futur Kishën në mijëvjeçarin e tretë, foli për pranverën e re të Shpirtit Shenjt. Njerëz nga anembanë globit vinin për t’ia kthyer vizitën Papës shtegtar. Familja kristiane e humane shtrëngohej rreth atit, vëllait, mikut. Në gjuhë të ndryshme, shprehej e njëjta dashuri për Papën misionar, që kishte përshkuar planetin për t’u kujtuar të gjithëve, dinjitetin e secilit.

Në gjuhën e krishterë, misioni bën rimë me bashkimin. Na e mësoi Koncili II i Vatikanit, duke na kujtuar se Kisha, në thelb, është bashkim në vetvete dhe mision për të tjerët. Shtegtari Gjon Pali II qe për Koncilin – harta e rrugës së Kishës së sotme - së pari, atë i ri dhe më pas, bir i moshuar. E ja ku u mblodhëm, të gjithë të bashkuar ngushtë rreth Papës së misionit, në ato ditë fillimi prilli, në ditët e tij të Pashkëve. Shihnim të Kryqëzuarin dhe kryqin e tij, mbledhur si Maria dhe Gjoni rrëzë atij druri, e kështu, formonim një familje të vetme. E kuptuam se ata emra i përshtateshin: Maria, inicalet e së cilës dalloheshin nën kryqin e stemës së tij, por ishte edhe më e theksuar në atë “Totus tuus” të zemrës; shën Gjoni, ungjilltari – ikonë e bashkimit, emri i parë i një Pape besnik ndaj tij, sepse atë i gjithë familjes njerëzore.

Pamja e fundit është dalja e tij në dritare mbi shesh, të Dielën e Pashkëve, kur bënte gjeste e s’arrinte të fliste, në bekimin e tij të mbramë, pa fjalë, bërë me jetën e tij. Dikush ka shkruar se jeta është dritare e hapur mbi botën. Mendoj se kjo vlen veçanërisht për Papën e lindur njëqind vjet më parë. E falënderoj nga zemra, sepse hapi shumë dritare, edhe në botën time shpirtërore. E, sepse la të hyjë Drita e botës.

18 maj 2020, 11:31