Kërko

IMG_4591aem.jpg

Papa: të tregojmë histori konstruktive. Ruffini: komunikimi duhet të bashkojë

Në Ditën e 54-t Botërore të Komunikimeve Shoqërore, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku i nxiti të gjithë të krijojnë së bashku një histori më të madhe se ajo e secilit, duke u kujdesur për njëri-tjetrin. Krijimi i bashkësive mikpritëse dhe solidare është një nga detyrat e komunikimit, pohon në një videomesazh, prefekti i Dikasterit tonë, Paolo Ruffini.

R.SH. - Vatikan

Në lutjen e djeshme të Mbretëreshës Qiellore, në Ditën e 54-t Botërore të Komunikimeve Shoqërore, Papa Françesku nënvizoi sërish ç’shkruan në Mesazhin për këtë ditë, me temë “Që ti të mund ta tregosh e ta ngulësh mirë në kujtesë. Jeta bëhet histori”, publikuar më 24 maj 2020, ditën kur Kisha kujton shën Françeskun e Sales, pajtor i gazetarëve.  

 “Bie sot – tha Ati i Shenjtë – Dita Botërore e Komunikimeve Shoqërore, këtë vit, kushtuar temës së tregimit. Kjo ngjarje na inkurajoftë të tregojmë e të ndajmë me të tjerët histori konstruktive, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë që jemi të gjithë pjesë e një historie më të madhe se ne e që mund ta shohim me shpresë të ardhmen, vetëm nëse kujdesemi për njëri-tjetrin, me të vërtetë e si vëllezër”.

Ruffini: komunikimi të jetë në shërbim të bashkimit

Në një video, me të cilën komenton mesazhin e Papës për Javën e Komunikimit, organizuar nga paolinët, që, për shkak të koronavirusit, zhvillohet në lidhje me internet, prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, përqendrohet në një fjalë kyç të Papës Françesku: “bashkëndarja apo ndarja me të tjerët”. Për të ndarë diçka me të tjerët, nënvizon ai, duhet më parë ta ndajmë me Zotin, në mënyrë, që t’i japim çdo lloj tregimi një kuptim të ri, “një perspektivë shëlbimi”. Muajt e mbylljes në shtëpi, për shkak të pandemisë, në një farë mënyre, na kanë detyruar të reflektojmë për komunikimin ndërmjet nesh. Nga njëra anë, i jemi mirënjohës të ashtuquajturit “qytetërim dixhital”, i cili na ka ndihmuar t’i shkurtojmë distancat, por, nga ana tjetër, kemi frikë se “kjo përmasë mund ta zëvendësojë përfundimisht afërsinë fizike” me njerëzit.

Bukuria e komunikimit me Zotin

 Në këtë periudhë, edhe komunikimit iu desh të përballet me të mirën e të keqen. Iu desh të kuptojë nëse duhet t’ia besojë vetveten vetëm teknologjisë apo t’i japë asaj një shpirt. Iu desh të zgjedhë ndërmjet përgjegjësisë për të vërtetën dhe mundësisë për t’u bërë mjet (i vetëdijshëm apo jo) i përhapjes së “fake news” (lajmeve të rreme). “Gjithçka – nënvizon Ruffini – varet nga kush është baza e shpresës sonë”, varet nga çfarë mendojmë se vlen vërtet, varet nga realiteti ku jeton secili e nga vendimi i tij për të mos u korruptuar. Për të qenë dëshmitarë të besueshëm në kohë pandemie, pra, në kohë të vështira, çdo komunikator i krishterë duhet të ketë inteligjencë dhe fe. Duhet të kuptojë nëse komunikimi para pandemisë ishte vërtet i tillë e nëse “kalimi i shkretëtirës”, që na imponoi koronavirusi, mund të na nxisë drejt marrëdhënieve më të vërteta me të tjerët, kur takohemi sërish me ta.

Fara e bashkësive mikpritëse

Sytë e rinj, që kemi marrë dhuratë nga Zoti gjatë kësaj kohe, duhet të na nxisin të krijojmë bashkësi më mikpritëse e solidare, nënvizon prefekti Ruffini. Është farë, që duhet hedhur sot, por i duhet tokë e mirë që të mbijë e të rritet. Prandaj, siç tha Papa Françesku në lutjen e jashtëzakonshme të 27 marsit, “duhet të gjejmë guximin për të krijuar hapësira të reja, ku të gjithë ta ndiejnë veten të thirrur për t’u dhënë një mundësi formave të reja të mikpritjes, vëllazërimit, solidaritetit”. “Komunikimi duhet të rithemelohet mbi një rrjet, njëkohësisht global dhe lokal. Dixhital dhe real. E shërben – nënvizohet në videomesazh – për të bashkuar, jo për të ndarë. Për të dhuruar, jo për të shitur e për të blerë. Për t’i dhënë teknologjisë një përmasë, që shkon përtej saj”. Ruffini e përfundon fjalën e tij, duke përmendur një proverb afrikan, që i referohet përgjegjësisë së komunikatorëve. “Nuk mund të jemi buzëqeshja e atyre, që na kanë paraprirë”, thotë proverbi. “Ja pra: çdo histori mund të shpërblehet, të shëlbohet, duke ndarë me të tjerët një buzëqeshje, që bëhet tregim”.

25 maj 2020, 14:43